Miliona për mirëmbajtje, kaos në Kosovë

  • 12 January 2019 - 18:14
Miliona për mirëmbajtje, kaos në Kosovë

Për çdo veturë paguhet edhe një taksë 40 euro për mirëmbajtjen e rrugëve. Miliona euro mblidhen çdo vit në emër të këtij obligimi, por kur del në trafikun e rënduar e sheh se sa skandaloze është përkujdesja e autoriteteve qendrore e lokale. Me fondet publike paguhen dhjetëra milionë euro për kompanitë që ofrojnë shërbime pastrimi gjatë dimrit, kur reshjet e borës e vështirësojnë dhe bllokojnë në plot raste lëvizjen e automjeteve. Për zonat e thella nuk kemi as çka të shtojmë, sepse atje, përjashto ndonjë kamerë që shfaqet për të raportuar nga vendi i ngjarjes, mjetet e pastrimit nuk mbërrijnë kurrë. Në tërë këtë anarki dimërore, kur na "befason" bora si zakonisht, kampioni i dështimit është, pa dyshim, kryeqyteti. Me një kryetar që i ka hyrë seriozisht dialogut me Serbinë, Prishtina edhe nuk ka pse të presë më mirë. Lagje të tëra janë krejtësisht nën pushtetin e borës dhe akullit, ndërsa Shpend Ahmeti, eventualisht shfaqet në rrjetet sociale, por jo edhe në frontin e punës. Kryetar më të papërgjegjshëm nuk kanë mundur të zgjedhin kryeqytetasit. Është e pafalshme kjo indiferencë dhe papërgjegjësi e qeverisjes lokale, që tallet me fatin e qindra mijëra njerëzve që jetojnë e punojnë në Prishtinë. Shpend Ahmetit i teprojnë miliona euro në fund të vitit, por niveli i mirëmbajtjes së infrastrukturës në stinën e ftohtë është skandaloz. Është e turpshme, se si asnjë trotuar në Prishtinë nuk pastrohet dhe njerëzit nuk kanë nga të ecin!Ngjashëm është anembanë Kosovës. Qytetarët paguajnë taksa të shtrenjta dhe si "shpërblim" marrin neglizhencën shtetërore. Dikush duhet të kërkojë llogari për këtë abuzim të fondeve publike. Kuvendi do të duhej të diskutonte se ku shkojnë paratë e tenderëve të shtrenjtë të kompanive, që me gjasë ua mbushin gushën pushtetarëve, prandaj nuk lodhen fort që të shpenzojnë naftë, kripë e energji në pastrimin e rrugëve. 

 

(Kosova Sot)