Nën ethet e Speciales

  • 14 January 2019 - 16:34
Nën ethet e Speciales

Dy nga komandantët e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës udhëtuan në Hagë, ku mbetet e paqartë nëse do të merren thjesht në pyetje apo do të përballen me aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë. Në listën e "pritjes" janë emrat e drejtuesve të luftës, duke pasur parasysh raportin e Dik Martit, me të cilin tallej dikur Hashim Thaçi. Ky i fundit konsiderohet "peshku" i madh i këtij Tribunali të drejtësisë ndërkombëtare. Raportuesi i Këshillit të Evropës e përshkruante atë si udhëheqës të grupit të Drenicës, kryemafioz dhe drejtues trafiqesh,por këto akuza mbeten për t'u provuar. Gjykata Speciale është e padrejtë në thelb, sepse në mënyrë raciste trajton krimet mbi baza etnike. Shqiptarët, pra, janë të akuzuarit. Megjithatë, për shkak se në rrjetën e saj mund të bien "specialët" e sundimit politik kosovar, njerëzit kanë ushqyer pritje dhe nuk e kanë kundërshtuar. Me një drejtësi të pafuqishme për të vënë në bankën e të akuzuarve mafio-oligarkët e njohur për të gjithë, askush nuk shpreson se e keqja do të marrë fund në Kosovë. Shpresa të mëdha u varën te Specialja. Kur presidenti aktual urdhëroi Kuvendin ta votojë Gjykatën, që supozohej se mund ta gjykonte edhe atë, shumëkush mund të ishte habitur. Por, rrengu ishte i qartë. Thaçi po akuzohet se planifikoi të dërgojë në Hagë komandantët që e pengonin në sundimin e tij, sepse i përziheshin në pushtet, pa llogaritur se edhe vetë mund të jetë njëri nga klientët e avokatëve të shtrenjtë. Pastaj tentoi ta shfuqizojë Gjykatën, por dështoi keq. I mbeti edhe një mundësi. Pazari me Serbinë. Tash, ai po akuzohet se sërish ka vënë bast…kësaj radhe me Kosovën.

 

(Kosova Sot)