Brezi i PISA-ve

  • 15 January 2019 - 17:01
Brezi i PISA-ve

Gati dy dekada pas luftës nuk mjaftuan për t'i kthyer sytë nga arsimi. Secila Qeveri që erdhi, vetëm sa e rëndoi situatën, por jo edhe të bëjë ndonjë reformë. Ministrat ishin zakonisht figurantë të partive, zbatues të tenderomanisë dhe partizanë të flaktë të klientelizmit. Secila parti e shfrytëzoi MASHT-in për të prodhuar profesorët e vet, dekanët,rektorët, doktorët, drejtorët, etj, etj…Politizimi i skajshëm e degradoi sektorin arsimor. Rritja e pagave ndodhi, por ishte një veprim elektoral, e si i tillë edhe u harrua shpejt nga arsimtarët. Krahasuar me kohën sa përkushtohen në shkollë, mësuesit në Kosovë nuk paguhen keq, megjithatë frustrimi i tyre ishte i pritshëm, pasi morën vesh se një roje e ministrit, me dy klasë shkollë, e ka rrogën më të madhe se një arsimtar me përvojë të gjatë. Qeveria "Haradinaj" nxitoi të mbushë konton e anëtarëve të saj, por nuk i ra ndërmend se mijëra punëtorë të arsimit kanë disa kërkesa. Mbështetja e gjerë për grevën e nisur nga SBASHK-u dëshmoi se kësaj here arsimtarët e kanë seriozisht. Kosova rrezikon për herë të parë të humbë vitin shkollor. Arroganca qeveritare mund ta shtyjë vendin drejt kësaj tragjedie nacionale. Arsimi, pavarësisht propagandës qeveritare, gjithnjë mbeti në hijen e zotimeve, programeve. Shkolla kosovare jo rastësisht doli e fundit edhe në testin e PISA-s. Ka një mospërputhje në mes kërkesës për rritje pagash dhe rezultateve në mësimnxënie, prandaj përveç aspektit buxhetor, SBASHK-u do të duhej të reagonte edhe për cilësinë, edhe pse është përgjegjësi e MASHT-it. Por, çka kanë bërë deri tash ministrat e Arsimit? Gati asgjë të hairit. Mësimi në shkollën publike është me vite larg standardeve evropiane. Politika është përkujdesur të zhvatë qindra- miliona euro të dedikuar për arsim, pa hedhur asnjë hap serioz në forcimin e sistemit arsimor. Sot, profesorë janë edhe injorantët, falë mbështetjes partiake. Pa e depolitizuar arsimin, nuk ka rimëkëmbje kurrë. SBASHK-u duhet ta kërkojë një gjë të tillë, meqë i ka hyrë kësaj rruge radikale tashmë.

 

(Kosova Sot)