Reçaku

  • 16 January 2019 - 17:07
Reçaku

20 vjet më parë, regjimi i Milosheviqit kreu një ndër masakrat më monstruoze në Kosovë, duke tronditur kështu opinionin publik botëror dhe duke nxitur reagimin e qendrave të vendosjes. Kosova duhet t'i jetë gjithnjë falënderuese ambasadorit Uilliam Uoker, që e ngriti zërin dhe e denoncoi fuqishëm këtë akt kriminal shtetëror. Masakra e Reçakut, ku u vranë shqiptarët e pafajshëm, edhe pas dy dekadash mbetet e pandëshkuar nga drejtësia. Kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre janë të lirë. Njëzet vjet nga krimi makabër, ishkomandantët e UÇK-së po intervistohen në Hagë për akuzat e Dik Martit për krime lufte. Por, si ndodhi që UÇK-ja u shndërrua në objekt të drejtësisë dhe Serbia u shndërrua në viktimë?! Përgjigjen do të duhej ta jepnin udhëheqësit e Republikës, që luftën e keqpërdorën dhe idealet i shkelën. Pushtetarët, që dolën nga flakët e luftës, harruan shpejt plagët e popullit, i përveshën mëngët për pasuri e luks, duke harruar se luftëtarët e vërtetë e lanë luksin e pasurinë, që të jepnin jetën për lirinë e vendit. Sot, pas gjithë kësaj kohe, mund të akuzojmë Serbinë për shumëçka, por nuk mund të shfajësojmë politikanët kosovarë, që injoruan pasojat e luftës dhe hynë në dialog me shtetin armik, pa kushte. Kurrë nuk u fol për krimet e pandëshkuara, masakrat si ajo e Reçakut, të pagjeturit, dëmet miliardëshe. Në fund të procesit, kur po gatuhet marrëveshja e dëmshme me Serbinë, politikanëve tanë po u bie ndër mend të përmendin çështjet e injoruara kaq gjatë. Në vend që të kërkojmë nga Qeveria serbe shpagim për krimet, kemi ardhur në ditë që të diskutojmë për dhënie territori. Përvjetori i Reçakut na risjell ndër mend një batutë të njohur që një e moshuar ia kishte thënë ish-kryeministrit të ndjerë, Bajram Rexhepi…"Na keni nimu, na keni…." 

 

(Kosova Sot)