Lërini vizat, na tregoni se kur fillon mësimi

  • 26 January 2019 - 16:01
Lërini vizat, na tregoni se kur fillon mësimi

Pasi presidenti iu rikthye temës së liberalizimit të vizave, edhe kryeministri nxitoi të shprehte dakordimin me të, duke potencuar se qershori do të jetë afati i ri kur pritet të ndodhë lëvizja e lirë për kosovarët në hapësirën e Shëngenit. Kush e di atë anekdotën me bariun që mashtronte për delet e sulmuara nga ujku, e kupton se edhe liderët tanë janë bërë pikërisht si çobani mashtrues që gënjente tërë fshatin dhe në ditën kur tregoi të vërtetën askush nuk i besoi më. As zyrtarëve të Kosovës nuk u beson njeri më. Ka disa vjet që na mashtrojnë rregullisht. Disa herë e kanë hapur shampanjën e kanë festuar triumfalisht, por Kosova mbeti vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Tanimë, të gjithë e kemi të qartë, se çdo premtim i tyre është propagandë. Vendimi varet nga anëtarët e BE-së, të cilët, me gjasë, hezitojnë të votojnë në favor të Kosovës për shkak të qeverisjes së korruptuar dhe kriminalitetit në rritje.

Qeveritarët kosovarë nuk mund të na tregojnë më për vizat, por së paku do të duhej të bëheshin të përgjegjshëm dhe të tregojnë se kur nis mësimi. Java e dytë e grevës është kjo që po lëmë pas dhe asnjë shenjë pozitive se Kosova do të zhbllokohet nuk po duket. Pesëqind mijë nxënës kanë mbetur në shtëpi, sepse mësuesit kërkojnë trajtim më të dinjitetshëm për pagat e tyre në fund të listës, sipas ligjit në procedurë. Papërgjegjshmëria e pushtetit mund të na lërë sivjet pa vit shkollor, nëse nuk arrihet një zgjidhje së shpejti.

Kryeministri dje e tha një shprehje, që e ilustron më së miri situatën ku jemi. "Ne jemi këta që na keni bërë ju", iu drejtua ai arsimtarëve. Këta që ka prodhuar kjo shkollë, janë në fakt kulmi i analfabetizmit funksional dhe pasojat po i vuan mbarë Kosova, për fat të keq!

 

(Kosova Sot)