Askush nuk pranon të mashtrohet nga premtimet elektorale

  • 28 January 2019 - 16:40
Askush nuk pranon të mashtrohet nga premtimet elektorale

Shpërthimi i grevave anembanë Kosovës, as që po iu bën përshtypje qeveritarëve të vendit. Përkundrazi, në vend që të ndërmarrin hapa seriozë që të adresojnë shqetësimet e arsimtarëve, mjekëve, minatorëve, shërbyesve civilë, e plot kategori të tjera të pakënaqura, ata janë duke u treguar neglizhentë dhe indiferentë. Në anën tjetër, nxitimi qeveritar për të privatizuar PTK-në dhe për të gllabëruar asetet e tjera të mbetura të pronës publike, dëshmon se edhe vetë pushtetarët po e ndiejnë se koalicioni mund të bjerë së shpejti. Ndryshe nuk mund të shpjegohet edhe qëndrimi refuzues i kryeministrit ndaj SHBA-së sa i përket taksës. Haradinaj është i vetëdijshëm se partnerit kryesor në shtetndërtimin e Kosovës nuk mund t'i jepet një përgjigje e tillë arrogante, por arsyeja pse e bën ka lidhje me interesin e tij elektoral. Vendimi për taksën e Serbisë, që u mor pasi oligarkët përfituan miliarda në kurriz të qytetarëve kosovarë, shërbeu si mburojë e përkohshme e dështimeve flagrante të liderëve tanë. Tanimë ata nuk kanë nga të fshihen dhe secili prej tyre përpiqet të dalë faqebardhë, kur të detyrohen ta shfuqizojnë taksën. Por, përveç çështjes së taksës, është revolta popullore, sociale, që e ka vënë Qeverinë me shpatulla për muri.

Kjo është hera e parë në historinë e Kosovës, kur askush nuk pranon të mashtrohet nga premtimet dhe memorandumet e fushatës. Votën ua morën, shpinën ua kthyen, por si rrjedhojë, vendi ka hyrë në kolaps. Qindra mijëra të punësuar në sektorin publik janë në grevë dhe shteti është paralizuar. Nëse edhe ky reagim nuk u bën përshtypje këtyre qeveritarëve, atëherë nuk ka më asnjë arsye që ata të rrinë në ata kolltukë të pushtetit. Rënia e Qeverisë duket çështje ditësh, sepse arroganca dhe paaftësia e saj, tashmë është bërë e padurueshme edhe për vetë kreatorët e saj. Pyetja e natyrshme është se kush do ta pasojë atë, në këtë skenë politike pikë e pesë, të zhytur në korrupsion dhe pa alternativë?!

 

(Kosova Sot)