Kur Kosova u qet kushte amerikanëve dhe evropianëve

  • 29 January 2019 - 16:56
Kur Kosova u qet kushte amerikanëve dhe evropianëve

Kryeministri i Kosovës i ka vendosur kushte Bashkimit Evropian për heqjen e taksës ndaj Serbisë, por duket se letra e tij është më tepër një letër lamtumirëse në krye të Qeverisë. Sidoqoftë, këshilltarët që i kanë sugjeruar ta shkruajë këtë letër kanë bërë gabime të rënda. Duke kërkuar mbajtjen e një konference ndërkombëtare për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri duhet ta ketë parasysh se kur mbahet një konferencë e tillë, një "Rambuje II", p.sh., Kosova duhet të bëhet gati për lëshime të reja, përndryshe përse duhet organizuar ajo. Më qesharake është edhe afatizimi i konferencës dhe "obligimi" i SHBA-së dhe BE-së për të dhënë zotime publike ndaj Kosovës, në kohën kur vetë presidenti kosovar ka hapur temën e kufijve, vetë institucionet kosovare e kanë miratuar marrëveshjen e Asociacionit. Kushtëzimi i BE-së për liberalizimin e vizave, gjithashtu, është tepër ironik, sepse dihet që shtetet e mëdha, si Gjermania, Franca etj., kanë rezerva për liberalizimin e vizave dhe kërkesa duhet t'u adresohet atyre në mënyrë të posaçme. Kryeministri ynë dhe këshilltarët e tij janë aq naivë, saqë besojnë se një marrëveshje eventuale me Serbinë na anëtarëson menjëherë në OKB dhe siguron njohje reciproke. Për të hyrë në OKB duhet kaluar një proces tepër i vështirë, ku vetoja ruse është pengesa kryesore. Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk e garanton zhbllokimin nga Rusia dhe të gjitha zotimet e liderëve tanë, se Kosova hyn në OKB sapo të arrihet pakti me Serbinë, janë të pavërteta. Kushtet e kryeministrit të Kosovës ndaj SHBA-së dhe BE-së e bëjnë vendin tonë të duket joserioz në proceset e nisura. Në rrafshin e brendshëm, disa mund t'ia rrahin supet kreut të Qeverisë, por të gjithë e dinë se politikanët kosovarë mund t'i qesin kushte Serbisë dhe armiqve të pavarësisë, por assesi partnerëve vendimtarë të shtetësisë sonëSHBA-së dhe BE-së.

 

(Kosova Sot)