Rebelimi i sektorit publik

  • 30 January 2019 - 16:45
Rebelimi i sektorit publik

Edhe anormaliteti politik i ka disa limite, por ky i Kosovës tejkalon të gjitha caqet e mundshme. Gjatë dy dekadave, nuk ka ndodhur të mos mbesë sektor publik pa u rebeluar. Të gjithë duan rritje rroge, të zemëruar me një ligj për pagat, që ka nxitur një revoltë të paparë në Kosovë. Joserioziteti qeveritar duket në çdo komunikim me publikun. Kur as personi i autorizuar për të shpjeguar Ligjin e Pagave nuk e ka idenë se si janë përcaktuar koeficientet për kategoritë e ndryshme, që paguhen me buxhet shtetëror, çka mund të presësh nga zyrtarët e tjerë. E tërë Kosova është në grevë. Protestojnë arsimtarët, mjekët, infermierët, zyrtarët, shërbyesit civilë, doganierët, gazetarët…Qindra-mijëra të punësuar janë ngritur kundër injorancës qeveritare. Në tërë këtë gjendje të jashtëzakonshme, prej disa javësh tashmë, Qeveria sodit dhe nuk ndërmerr asnjë veprim. Koalicioni është qartazi në prag të shkapërderdhjes, por të bien në sy indiferenca dhe neglizhenca e madhe e ekzekutivit. Pavarësisht ndërlidhjeve me politikën, grevat që kanë përfshirë sektorin publik, kanë bllokuar arsimin dhe shëndetësinë, shërbimet publike, administratën, kanë ardhur si pasojë e frustrimit të madh nga abuzimi me pushtetin i kupolës së institucioneve. Kështu kanë vepruar me Ligjin e Pagave, duke vendosur për rritjet sipas shijeve dhe preferencave të ngushta, klienteliste, nepotike, korruptive. Me amatorizmin e saj, kjo qeveri ka goditur rëndë reformën në administratën publike dhe përpjekjet për të bërë një nivelim të drejtë të pagave. Qeveritarët dhe parlamentarët nuk kanë përtuar që vetes t'ia bëjnë koeficientet më të larta të pagës, ndërsa shtresat intelektuale janë nënçmuar tej mase. Pse duhet një mjek ta ketë rrogën dukshëm më të vogël se një ministër apo deputet? Trajtimi jodinjitoz i kategorive të rëndësishme për shoqërinë ka nxitur trazira sociale në Kosovë. Vetëm një qeveri e verbër nuk i sheh dhe nuk jep dorëheqje!

 

(Kosova Sot)