Taksa është alibi, arsyeja është biznesi i politikës

  • 31 January 2019 - 16:48
Taksa është alibi, arsyeja është biznesi i politikës

Në pamje të parë duket se përplasjet e fuqishme brenda koalicionit qeverisës, për taksën ndaj Serbisë, përbëjnë edhe arsyen bindëse për rënien eventuale të kabinetit "Haradinaj". Në fakt, gjërat qëndrojnë më ndryshe. PDK-ja nuk e mban në pushtet një Qeveri, pavarësisht se është pjesë e saj, kur i cenohen interesat biznesore. Në Kosovë koalicione parimore dhe mbi bazën e vlerave nuk ka pasur kurrë. As PAN-i nuk bënte përjashtim. Kryeministri Haradinaj jo vetëm ka hyrë në vallen e oligarkëve, por me veprimet e ndërmarra, që favorizojnë grupe të caktuara të interesit, po dëshmon se edhe ai po e rrit hisen e tij pasurore. Këtu bëhet fjalë për shumë zero…Rasti me akcizën në duhan, ku Qeveria "Haradinaj" përpiqet të favorizojë biznesin e këshilltarit të tij dhe njëkohësisht të njërit prej drejtorëve të Shpend Ahmetit, që i bën argatë të përditshëm ekzekutivit, edhe pse opozitë, e ilustron më së miri oreksin për të paluar edhe ca miliona më shumë. PDK-ja, si parti e rryer në zhvatje dhe prapaskena, e ka hetuar këtë tentativë, prandaj i duhet ta krijojë një alibi, për ta mbështetur me shpatulla për muri njeriun më ambicioz në Kosovë për postin e kryeministrit.

Vendosja e taksës ishte thikë me dy tehe, sepse përfshirja e SHBA-së pashmangshëm krijon një rrethanë të re në të cilën e pësojnë ata që janë naivë në politikë dhe mashtrohen lehtë. Liderët tash luajnë secili për interesat personale dhe nuk brengosen për Kosovën. Veseli, në emër të raporteve me SHBA-në, shfaqet si partner afatgjatë i tyre, ndërsa Haradinaj parashikon se rezistenca për taksën do t'i sjellë ca vota më shumë. Asnjërit nuk i bie ndërmend se Kosova është bllokuar nga grevat dhe protestat, asgjë nuk po funksionon dhe shteti praktikisht është në kolaps. Shkarkimi i Qeverisë mund të ndodhë, sepse është prishur biznesi mes partnerëve, ku dikush po fiton më shumë se që duhet. Nuk ka lidhje me taksën!

 

(Kosova Sot)