Ju doni rritje pagash. Mirë shumë. Por, këta qindra- mijëra që as punë nuk kanë?!

  • 02 February 2019 - 16:32
Ju doni rritje pagash. Mirë shumë. Por, këta qindra- mijëra që as punë nuk kanë?!

Janari shkoi si muaj grevash dhe revolte. Greva për koeficiente, revolt për rritje pagash në sektorin publik. Për privatin askujt nuk i ra ndërmend, sepse logjika ekonomike aty nuk është si manipulimi shtetëror. Kur ecën biznesi, rriten edhe pagat, rritet mirëqenia ekonomike. Në aparatin shtetëror, sa më shumë degradohet, aq më të forta janë kërkesat për rritje page. Shumica e mijëra nëpunësve, zyrtarëve të tjerë, mjekëve, infermierëve,mësuesve, inspektorëve, drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve, etj., nuk kanë shkëlqyer në punën e tyre. Sidomos sektorët më të ndjeshëm, drejtësia dhe mjekësia, kanë pasur një performancë skandaloze. Megjithatë, ata duan paga më të mira. Rivaliteti pas përfundimit të grevës së SBASHK-ut nuk është me Qeverinë, sa është mes sektorëve. "Ne meritojmë më shumë, ju meritoni më pak. Ne jemi më të shkolluar, ju keni më pak vite arsimimi. Ne jemi më të rrezikuar, juve kush nuk ju ngacmon".

Të tilla argument po dëgjojmë këto ditë dhe me siguri, ky debat do të vazhdojë gjatë. Por, a nuk u bie ndërmend të gjithë këtyre që të paktën një punë e kanë, sado që të jetë paga, ndërsa në anën tjetër së paku një e treta e popullsisë është e papunë?! Problemi më i madh nuk është rritje e rrogave, një çështje që u ndez pas gafës së Ramush Haradinajt, i cili paturpësisht ia dyfishoi rrogën vetes dhe oborrit qeveritar. Shqetësimi më i rëndë për Kosovën është papunësia alarmante. Të shtunën pritet të votohet buxheti dhe Ligji për pagat, por parametrat e planifikuar nuk garantojnë asnjë vend të ri pune.

Të gjithë i janë sulur arkës së shtetit, që ta shqyejnë derisa ta zbrazin e të fillojnë minuset dhjetëra-milionëshe. Me këtë lloj qeverisjeje nuk është larg përfundimi 'Made in Greece'! Në vend që buxheti dhe investimet të orientohen nga projektet dhe investimet që sjellin vende pune, prodhimtari, ka rritje artificiale pagash dhe rëndim të sektorit privat. Shteti nuk zhvillohet kështu!

 

(Kosova Sot)