Mbrojtësit e ... 'ushkurit'

  • 07 February 2019 - 17:22
Mbrojtësit e ... 'ushkurit'

Kjo është si një fabul filmash horrorë. E mitura abuzohet nga mësuesi, por ky i fundit lihet i lirë nga drejtësia. Viktima merr guximin ta denoncojnë krimin seksual në Policinë e qytetit, pa e menduar se do të binte prej shiut në breshër. Mbrojtësi i rendit e keqpërdor pozitën njësoj si arsimtari i pamoralshëm. Pastaj vjen epilogu. Abort në një nga klinikat gjinekologjike që veprojnë, në shumicën e rasteve jashtë normave etike e ligjore. Ky nuk është një film në fakt, por ngjarja që ka tronditur opinionin kosovar. Rrallëherë kanë pasur kaq shumë reagime në lidhje me një rast të tillë. Sa shumë shembuj të ngjashëm ndodhin anembanë këtij vendi, të cilat i mbulon heshtja. Heshtje nga frika, heshtje nga familja, heshtje nga shoqëria, heshtje nga shteti! Imoraliteti e ka kapluar këtë vend. Nuk bëhet thjesht fjalë për abuzimin me vajzat e gratë, nënat e motrat. Ka dimensione më të frikshme. Politika është amorale, liderët janë imoralë, zyrtarët janë abuzivë.

Arroganca e funksionarëve është e pashembullt në Kosovë. Sikur të raportoheshin abuzimet seksuale, drejtësisë do t'i duheshin vite të tëra për t'i trajtuar. Por, sa do të guxojë nesër një tjetër e mitur t'i drejtohet organeve të rendit për të denoncuar përdhunuesin, ngacmuesin, abuzuesin?! Çka mbron pra ky shtet? Sa poshtë kemi rënë si shoqëri dhe si institucione. Kur ata lart, femrat i shohin thjesht si objekt seksi, çka po prisni nga këta më poshtë?!Ata që sillen si kapadai përmbi ligjin na kanë sjellë në këtë derexhe. Ka njerëz të mirë kudo, ka policë dhe mësues të mirë, ka zyrtarë e nëpunës të devotshëm, por mbi të gjitha vepron një logjikë kriminale e pushtetit. Imoralët mbrojnë imoralët, të korruptuarit mbrojnë të korruptuarit, banditët mbrojnë banditët. Prandaj, abuzimi vazhdon dhe viktimat shndërrohen në personazhe të ditës, për t'u harruar shpejt, pa kaluar as një javë. Mos qoftë ky rasti, sepse kupa është mbushur dhe nuk mban më!

 

(Kosova Sot)