Drejtësia e nënshtruar trimëron abuzuesit

  • 08 February 2019 - 17:03
Drejtësia e nënshtruar trimëron abuzuesit

Abuzime seksuale ndodhin gjithandej në botë. Të gjithë e kanë të freskët fushatën "Me too!", që shpërtheu në Amerikë pas skandaleve që plasën në botën e Hollivudit. Por, dallimi mes Kosovës dhe vendeve perëndimore është se te ne sistemi i drejtësisë është katastrofal, ndërsa atje i konsoliduar. Problemi më i madh është se ligji në duart e zyrtarëve kosovarë zbatohet sipas "shijes" së shefave. Sa e sa ngacmime, abuzime, favore, shantazhe, ndodhin në zyrat e shtetit e askush nuk i lajmëron kurrë…

Sa e sa herë një notë kushtëzohet nga profesorë që në vend të universitetit meritojnë prangat. Edhe në rastin e Drenasit, nuk ka asnjë garanci se autorët e skandalit zinxhiror mund të ndëshkohen, pavarësisht presionit të shtuar publik. Prokurorët e gjyqtarët mund të ankohen se janë nën presion, por, në fakt, ata njohin veç një lloj presioni të cilit gjithnjë i nënshtrohen presionit të politikës.

Ashtu siç urdhëron pushteti, ashtu shqiptohet edhe vendimi. Mungesa e pavarësisë së gjyqësorit është sfiduese për sundimin e ligjit në Kosovë. Po të bëhet ndonjë analizë e thukët se si trajtohen rastet e krimeve seksuale në vendin tonë, rezultatet sigurisht do të ishin alarmuese. Në këtë shtet viktima e pëson dhe krimineli amnistohet. Kjo është bërë rutinë tashmë për organet e drejtësisë, të cilat gjejnë justifikime të bollshme nga mungese e provave, te tërheqja e deklaratave dhe korniza ligjore që mbulon këtë fushë.

Shteti ynë duhet të bëjë shumë më tepër për të mos lejuar që banditët e veshur me pushtet të abuzojnë sërish. Dje edhe në Komisionin për të drejtat e njeriut, dy deputete adresuan akuza ndaj zyrtarëve të lartë politikë, duke theksuar se janë duke dhunuar vajza! Kjo është e turpshme dhe e bën Kosovën një vend të frikshëm, prandaj reagimi duhet të jetë i gjithanshëm. Shoqëria, mediat, institucionet, duhet të mobilizohen për ta zvogëluar këtë epidemi imoraliteti që ka përfshirë Republikën. 

(Kosova Sot)