Platforma negociatore

  • 11 February 2019 - 16:22
Platforma negociatore

Ekipi negociator ka paralajmëruar hartimin e një platforme brenda kësaj jave, për t'ia lënë më pas fjalën Kuvendit. Ky dokument do të duhej ta përcaktonte qartë dhe prerë vijat e kuqe në bisedimet që pritet të zhvillohen me Serbinë në fazën finale. Platforma mund t'i hapë rrugën unifikimit politik kosovar, nëse nuk lë hapësirë për interpretime që prekin më pas kufijtë. Droja e partive që kundërshtojnë pjesëmarrjen në këtë dialog ka të bëjë me hapjen e temës së kufijve. Nëse në platformën e propozuar çështja e kufijve përfundimisht përjashtohet nga bisedimet, atëherë edhe partive kryesore të opozitës u krijohet shansi i duhur që t'i thonë "Po" bisedimeve.

Deri tani nuk ka pasur asnjë argument të fort për t'i bindur edhe opozitarët që të bashkëpunojnë. Një opozitë e vërtetë, që ia do të mirën Kosovës, nuk do ta humbiste këtë rast që ta thotë fjalën e saj dhe t'i bashkohet një veprimi vendimtar politik. Sa më e fuqishme të jetë pala kosovare në dialogun me Serbinë, aq më i suksesshëm do të jetë edhe përfundimi i këtij procesi. Nëse dialogu i lihet në dorë një Ekipi jopërfaqësues negociator, gjasat janë që Kosova të dalë me pasoja serioze nga kjo finale e bisedimeve. Politikanët kosovarë nuk duhet të bëjnë kalkulime personale dhe partiake, sidomos në rastin e taksës që dikujt mund t'ia shtojë përkohësisht popullaritetin dhe ndonjë tjetri mund t'ia zbehë. Ky është moment, për t'u ulur në një tryezë të përbashkët dhe për të arritur një pajtim mbarëkombëtar. Si mund të presim sukses nga dialogu me Serbinë, kur nuk jemi në gjendje të dialogojmë me njëri-tjetrin brenda Kosovës?!Pushteti, nëse e ka seriozisht kur thotë se është i vendosur ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, duhet të bashkëpunojë dhe të jetë i hapur me opozitën. Platforma është dokumenti më i rëndësishëm, që do t'i hapte udhë këtij partneriteti të munguar deri tash. Por, kuptohet, vijat e kuqe duhet të saktësohen.

 

 

(Kosova Sot)