Akademisë i doli gjumi

  • 12 February 2019 - 16:46
Akademisë i doli gjumi

Kur një institucion ka ngarkesa të thella politike, edhe pozicionimi i duhur në momente vendimtare gjithnjë është i vështirë. Sidoqoftë, në rastin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, letra e fundit për opinionin publik ka arritur t'i tejkalojë llogoret e partive apo protagonistëve që duan të fusin vendin në një cikël të ri kompromisesh të dëmshme për Republikën. Kundërshtimi i qartë, i prerë i ASHAK-ut, për çështjen e kufijve, është lajmi i mirëpritur prej kohësh, por më mirë vonë se kurrë. Ka dy vjet që flitet në prapaskenat e takimeve për idenë e pazarit territorial me Serbinë. Siç e theksoi edhe Akademia në qëndrimin e saj zyrtar për këtë temë, kjo është një ide rusoserbe, e si e tillë duhet të hidhet poshtë nga autoritetet tona. Zëri i akademikëve vjen në një periudhë kur letrat janë hapur dhe alternativë e bisedimeve është edhe rishikimi i kufijve. Duhet theksuar se muajt që lamë pas, askush nuk ka dhënë një shpjegim të argumentuar shkencor, historik, gjeopolitik, se çfarë dobie do të sillte për Kosovën dhënia e një pjese të territorit, në këmbim të njohjes nga Serbia dhe të anëtarësimit në OKB. ASHAK-u nuk duhet të mjaftohet me reagimin e djeshëm, sepse ka shumë punë për këtë institucion, që të tregojë në mënyrë të detajuar se si do të humbte Kosova nëse hap temën e kufijve dhe pranon të cenohet sovraniteti e integriteti territorial i vendit. Akademikët e Kosovës duhet të jenë shumë më aktivë ditëve në vijim, për t'iu bashkuar shumicës që e kundërshtojnë rishikimin e kufijve. Hartimi i një platforme për dialogun do të duhej të kalonte edhe në filtrin e ASHAK-ut, po të kishim një politikë më të zgjuar. Me kryeneçësi e individualizëm nuk mund të ecim përpara, prandaj na duhet unitet dhe vendosmëri. Mbi të gjitha, edhe vija të kuqe!

 

 

(Kosova Sot)