Këtu na zhvatin deri në palcë, e as që e përmendin dorëheqjen

  • 15 February 2019 - 15:47
Këtu na zhvatin deri në palcë, e as që e përmendin dorëheqjen

Një deputet slloven dha dorëheqje pas një rasti të pazakontë, pasi iu shmang pagesës së një sanduiçi. Homologët kosovarë me siguri që kanë qeshur shumë me këtë akt. Këta tanët, jo për një sanduiç, por edhe krejt Kosovën ta shesin nuk mërziten fare. Por, morali i historisë sllovene është shumë domethënës për qeverisjen kosovare. Edhe Sllovenia, edhe Kosova, kanë qenë nën një ombrellë, megjithatë, sot e para është anëtare e Bashkimit Evropian, kurse ne ende nuk kemi të drejtë as të lëvizim pa viza në hapësirën e Shëngenit.

Gjesti i deputetit është thjesht një akt moral, aspak i detyruar nga forca e ligjit, për një sanduiç të cilin politikani më vonë e kishte paguar, duke kërkuar falje ndaj shitësit. Veprimi i tij dëshmon për një vlerë që i mungon politikës sonë. Te ne, na zhvatin me miliona e as që e vë ujin në zjarr dikush. Me një të ngritur të dorës Qeveria ndan fonde të konsiderueshme pa kurrfarë mbulese dhe argumentimi. Kuptohet, pas secilit vendim vjen era korrupsion. Pa asnjë hezitim, ekzekutivi kosovar merr vendime që favorizojnë bizneset e këshilltarëve e të klientelës së kryeministrit e partnerëve të tij, në kurriz të taksapaguesve.

Mos të flasim për tenderët njëburimorë, ku qarkullojnë shuma dhjetëra e qindra miliona euro, por drejtësia asnjëherë nuk i heton, edhe pse ka prova të bollshme që dëshmojnë shkeljet dhe abuzimet. Mentaliteti politik kosovar është " vjedh sa më shumë që mundesh, se kush nuk të ngacmon". Si i thonë asaj fjalës "kush është ndër dardha, han dardha!" Zhvatësit po e zhbijnë Republikën, sepse qytetarët janë lodhur aq shumë, saqë nuk po munden as të ngritën kundër sundimit korruptiv. Dialogu, taksa, etj., janë zhvendosje e vëmendjes nga një qeverisje e dështuar dhe kriminale, që po mbush xhepat e pushtetarëve dhe po zbraz ato të qytetarëve.

(Kosova Sot)