Qeveria e improvizimeve e fut Kosovën në rrugë pa krye

  • 19 February 2019 - 17:05
Qeveria e improvizimeve e fut Kosovën në rrugë pa krye

Presidenti thotë se do t'i korrigjojë kufijtë me Serbinë, kryeparlamentari ka një plan që ta pezullojë taksën përkohësisht, e kryeministri është i prerë se sa të jetë ai në këtë post, taksa as që hiqet. Qeverisja vazhdon pa u penguar, ndërsa secili lider del me opsionin e tij të ndryshëm nga tjetri. Këta ose po tallen me këtë popull, siç kanë bërë për vite me radhë, ose vërtet kanë papajtueshmëri dhe do ta prishin koalicionin qeveritar. Një gjë është e sigurt, dialogu një ditë do të zhbllokohet me këtë apo një tjetër Qeveri. Individët e pushtetshëm nuk mund ta mbajnë peng Republikën. Nga ana tjetër, armiqësimi me Uashingtonin dhe Brukselin duket një aventurë e pazakontë e politikës kosovare. E ka fajin Specialja apo ku qëndron motivi, këtë duhet ta thonë vetë liderët tanë që e sollën vendin në një gjendje të tillë të palakmueshme.

Veprimet e pamenduara sjellin pasoja të paparashikueshme. Askush nuk i mbështet në mënyrën se si janë duke bërë politikë, pa kurrfarë koordinimi, zgjuarsie dhe për më keq, pa asnjë grimë mbështetje. Të gjithë i pamë në takimet e shumta në konferencën e Munihut, ku asnjëri prej personaliteteve nuk u ka shprehur mbështetje për çështjen e taksës dhe bllokimin e dialogut. Po të kishte qenë ndryshe, secili lider do të kishte ngarendur për ta postuar i pari lajmin e hareshëm. Por, duhet të kuptohet edhe diçka tjetër. Kosova ka mbetur në izolim, ndërsa të izoluar nga ndërkombëtarët janë edhe lidershipi ynë. Përvjetori i pavarësisë nuk solli në Prishtinë ndonjë figurë të lartë, duke treguar kështu një zbrazëti në raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zor se dikush mund të mendojë se Kosova fiton nëse refuzon partneritetin me SHBA-në. Nuk duhet t'i trembemi dialogut, por të kërkohet marrëveshje e drejtë, pa cenuar territor dhe duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e luftës. Pezullimi i taksës është veprimi i duhur dhe jo deklaratat e rrahagjoksëve qeveritarë.

 

(Kosova Sot)