Të mos heshtim, të denoncojmë e të protestojmë

  • 20 February 2019 - 16:14
Të mos heshtim, të denoncojmë e të protestojmë

Rasti me përvjetorin e Pavarësisë, ku bëhen rrush e kumbulla 500 mijë euro, është vetëm një pikë uji në tërë këtë det korrupsioni të pushtetit në Kosovë. Por, çka të bëhet tash, kur qeveritarëve as që u bëhet vonë për vjedhjet e hapura që ia bëjnë parasë publike? Të paktën duhet të mos heshtim. Njerëzit të shikojnë përtej interesave personale dhe ta kërkojnë me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien. Është koha e fundit që askush të mos ndihet mbi ligjin, qoftë ky edhe zyrtari më i lartë. Është çasti i volitshëm për të bërë VETTING në politikë dhe në drejtësi së pari, por edhe në sektorët e tjerë. Si ka mundësi që brenda natës disa kosovarë bëhen milionerë pa punuar kurrë në jetën e tyre?! Si është e mundshme që një grusht njerëzish, burra e gra, me të ardhura mesatare, sa për të jetuar në mënyrë modeste, janë zhytur në luks?!

Si munden disa kompani anonime të përfitojnë miliona nga buxheti i shtetit pa kurrfarë përvojë, ekspertize?! Si e ka degraduar edhe moralin e familjes dhe shoqërisë mania për para dhe pushtet, duke keqpërdorur fondet publike?! Të gjitha këtyre pyetjeve shteti duhet t'u japë përgjigje ligjore, konkrete, me veprime të rrepta. Llogaridhënia nuk është fjalë boshe, por do të thotë që shkelësit e ligjit përfundojnë në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet. Për secilin cent të shpenzuar, e lërë më për shuma të mëdha që shpërdorohen çdo ditë nga ky pushtet. Njerëzit nuk duhet të heshtin dhe nuk duhet të bëjnë sehir, por të ngrihen kundër pushtetit të korruptuar dhe plaçkitës që po e rrënon të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Është e pafalshme të durojmë më në këtë mënyrë këtë sundim kaq të egër dhe të korruptuar!

 

 

(Kosova Sot)