Po na vjedhin hapur, e drejtësia nuk lëviz nga vendi

  • 21 February 2019 - 16:23
Po na vjedhin hapur, e drejtësia nuk lëviz nga vendi

Nuk ka ditë që nuk publikohet një skandal i abuzimit me paranë publike. Çuditërisht, organet kompetente heshtin. Mediet raportojnë për konflikte interesi të pastra, për afera korruptive me prova serioze, për shpërdorime të pozitës zyrtare, por asnjë hetues, asnjë prokuror, asnjë zyrtar përgjegjës në institucione nuk e bën as reagimin më të vogël. Kjo është vërtet alarmante. Hapur, vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve publike ndodh para syve tanë, e askush nuk ndërmerr diçka për ta ndalur këtë dukuri të tmerrshme zhvatjeje dhe plaçkitjeje. Kurrë nuk ka pasur kaq shumë hajni dhe keqmenaxhim në sektorin publik dhe kurrë nuk ka pasur më pak veprim nga institucionet e rendit dhe të ligjit. Çka bën Agjencia e ashtuquajtur Antikorrupsion? Çka bëjnë prokurorët specialë? Çka bëjnë ata gjyqtarë që kur iu vjen një rast i madh, e lirojnë me kusht ose e shpallin të pafajshëm, e kur e zënë një druprerës ilegal, për një metër dru e kalbin në burg!

Kjo, pra, është drejtësia kosovare, që në fakt është padrejtësi. Të gjitha rrugët të çojnë te pafuqia e saj, te korrupsioni në gjykata e prokurori dhe në policinë hetuese. Përditë dalin fakte, argumente, prova serioze dhe të besueshme, për lidhjet korruptive, nepotizmin, klientelizmin dhe askush nuk e vë ujin në zjarr…Kjo është e pafalshme. Çka mund të presësh nga një Qeveri që është në gjendje ta boshatisë edhe fondin e rezervave shtetërore, për t'ia trashur xhepin familjarit të një politikani? Çka mund të thuhet kur e afërmja e një politikani të lartë përfiton paligjshëm fonde publike të konsiderueshme? Dhe, prapë kjo drejtësi e krimbur hesht. Por, deri kur kështu?! Qytetarëve me gjasë nuk do t'u mbetet alternativë tjetër, pos të mbushin rrugët dhe sheshet e të protestojnë kundër kësaj të keqeje të madhe që e ka pllakosur Republikën. Po na vjedhin deri në palcë, e nëse heshtim do të jetë vonë dikur!

 

 

(Kosova Sot)