Zhvendosja e vëmendjes nga dështimet qeverisëse

  • 27 February 2019 - 16:53
Zhvendosja e vëmendjes nga dështimet qeverisëse

Tema e dialogut Kosovë-Serbi vazhdon të dominojë agjendën politike shtetërore, ndërsa energjia kryesore po fokusohet pikërisht aty, edhe pse rezultatet janë të paqarta me këtë lidership që e ka vendi. Ngarendja për të arritur një marrëveshje me çdo kusht sivjet, e ka shndërruar dialogun në një garë të brendshme, ku secili lider shfaqet ndryshe nga tjetri dhe asnjëri nuk flet qartë për epilogun e këtij procesi. Ndërkohë, paqartësitë bëhen edhe më të mëdha në raport me Brukselin. Refuzimi për të dëgjuar sugjerimet e BE-së, për pezullimin e taksës, e ka thelluar hendekun mes Kosovës dhe Zyrës së Mogerinit. Njëkohësisht, hapja e një fronti të panevojshëm konfrontimi me SHBA-në për taksën mund t'i kthehet boomerang Qeverisë kosovare. Të gjithë e dinë se kjo është një betejë përkohësisht e fituar për Kosovën, por në një periudhë afatgjatë mund të korrim ndëshkime nga bashkësia ndërkombëtare. Të sillesh si shtet nuk do të thotë të arrish deri aty sa t'i rrezikosh marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, që janë vendimtarë në themelimin e Republikës. Bashkimi Evropian është donator më i madh në Kosovë dhe sjellja arrogante e Prishtinës zyrtare me zyrtarët e Brukselit nuk është veprim i mençur. Për sa kohë vendi do të udhëhiqet nga ky kurs populist, që dikujt mund t'i sjellë ca vota më tepër, Kosova do të humbasë terren dhe marrëveshja finale me Serbinë do të jetë kundër interesit tonë. Sidoqoftë, këtë dialogim dhe gjithçka që lidhet me të, Ligji për dialogun, Platforma për dialogun, pushteti i sheh si mënyrë e mirë për të mbuluar dështimet qeverisëse në ekonomi, në arsim, në shëndetësi etj. Mediet janë të pushtuara nga lajmet për dialogun, gjithfarë spekulimesh dhe ka kaluar në plan të dytë zhvillimi i Kosovës, sundimi i rendit dhe i ligjit. Dialogu nuk po shërben si qëllim për të arritur marrëveshje të paqes, por si pretekst për të zhvendosur vëmendjen e shoqërisë së lodhur nga kjo klasë politike. 

 

(Kosova Sot)