Një kryetar i ri për FFK-në

  • 11 March 2019 - 17:02
Një kryetar i ri për FFK-në

Nuk ka kaluar shumë kohë prej ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri, e Federata Kosovare e Futbollit e ka marrë tatëpjetën. Një lidership si ai i Vokrrit, që e ndërkombëtarizoi me sukses futbollin e Kosovës, nuk pritej assesi nga biznesmeni Agim Ademi, por së paku një menaxhim korrekt dhe transparencë financiare. Sidoqoftë, kështu ndodh kur një biznesmen i dyshimtë, i arrestuar para disa vjetësh bashkë me Sami Hamitin, kapon e Komunës së Prishtinës, i akuzuar për aferë korruptive. Megjithëse, kreu aktual i FFK-së kishte telashe me drejtësinë, kjo nuk e pengoi atë dhe njerëzit që e zgjodhën të katapultohej në postin që me nder e përkushtim e mbajti Fadil Vokrri.

Djali i legjendës, Gramozi, si duket nuk ka arritur ta përballojë manipulimin e organizuar kriminal të Federatës së Futbollit nga klani i Ademit dhe ka treguar versionin e tij. Të gjitha këto zhvillime tregojnë se FFK-ja po kalon një krizë të thellë lidershipi dhe organizimi, prandaj nevojitet një reformë e thellë dhe sigurisht shkarkimi i kryetarit aktual, për t'i hapur rrugën një strukture të përgjegjshme, që do ta udhëheqë futbollin e Kosovës. Shndërrimi i FFK-së në biznes, nga njerëzit që kanë të kaluar të përlyer dhe janë hetuar e arrestuar nga organet e drejtësisë, e rrezikon seriozisht të tashmen dhe të ardhmen e futbollit, këtij sporti me kaq perspektivë në vendin tonë. Edhe pse Agim Ademi u thirr shumë në emrin dhe vlerat e Fadil Vokrrit, është e qartë se ai po bën krejtësisht të kundërtën. Me shumë mund u ndërtua një bazë e mirë për përparimin e futbollit kosovar, por brenda një periudhë të shkurtër i tërë mundi mund të shkojë dëm, nëse nuk ka ndryshime në kreun e FFK-së. Veprimet jotransparente dhe mbi të gjitha goditja e djalit të Fadil Vokrrit, që ka denoncuar abuzimet e Ademit, janë dëshmi se sa poshtë ka rënë udhëheqja e Federatës. Edhe MKRS-ja, që e financon këtë Federatë, duhet të reagojë dhe të kërkojë zgjedhje të reja për kryetarin e ri, sepse kriza në FFK do të ndikojë negativisht edhe në bilancin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe kjo do të ishte e pafalshme. 

 

 

(Kosova Sot)