Shpendi dhe PSD-ja, biznes edhe me dialogun

  • 12 March 2019 - 16:39
Shpendi dhe PSD-ja, biznes edhe me dialogun

Me një Qeveri me paterica, që mbahet sipas orekseve të partisë së Shpend Ahmetit, Kosova ka hyrë në fazën finale të dialogut me Serbinë, me pikëpyetje të shumta. Ligji dhe Platforma, që u miratuan në Kuvend, nuk kanë shërbyer për asnjë lloj uniteti politik mes liderëve kosovarë. Një ndarje e madhe është mes presidentit dhe kryeministrit, që lidhet me taksën ndaj Serbisë, e cila kërkohet të hiqet nga SHBA-ja. Se sa ngushtë i kanë punët liderët kosovarë tregon edhe vizita e nënsekretarit amerikan të Shtetit, Hale. Për dallim prej Beogradit, ku ai u prit në zyrën e Vuçiqit, në Prishtinë Ambasada amerikane i mblodhi krerët e Republikës dhe ua tërhoqi edhe një herë vërejtjen për bllokadën e dialogut. Më pas politikanët tanë u mjaftuan me nga një status "facebook"-u, ku në fakt nuk thanë asgjë fare. Serbia thotë se taksa dhe Platforma e Kosovës e kanë përkeqësuar dialogun, ndërsa presioni për të arritur një marrëveshje sivjet është më i madh se kurrë. Se si do të dalë nga ky rreth vicioz pushteti në Kosovë, veç ata mund ta dinë. Është më se e qartë, se çdo veprim i tyre është "ad hok" dhe i pamenduar. Njësoj është proceduar edhe me taksën pas një sërë dështimesh të Qeverisë kosovare. Serbia meriton reciprocitet të plotë dhe jo thjesht një taksë, që tani përdoret si alibi mes liderëve që edhe qeverisin bashkërisht, por edhe janë rivalë të egër mes tyre. Kamuflimi i dialogut përmes improvizimeve partiake nuk sjell asnjë të mirë për Kosovën. Është e çuditshme sesi Qeveria nuk e kupton se pa përfshirjen e opozitës, dhe këtu nuk bëhet fjalë për PSD-në, që bën biznes edhe me dialogun, nuk mund të ketë qëndrueshmëri dhe përfaqësim dinjitoz në bisedimet me Serbinë. E tëra kjo, që ka ndodhur deri tani, është legalizim i presidentit në krye të dialogut dhe asgjë tjetër. Qeveria në këto rrethana vështirë se mund të mbijetojë, aq më tepër kur edhe serbët e Listës kanë paralajmëruar votë kundër, në rast të një mocioni mosbesimi. 

 

(Kosova Sot)