A e ndal kush këtë babëzi milionëshe?

  • 15 March 2019 - 16:47
A e ndal kush këtë babëzi milionëshe?

Milionat në Qeverinë kosovare janë si disa centë të parëndësishëm, që përfundojnë në xhirollogaritë e privatëve, pa kurrfarë arsyetimi. Kështu ndodh rëndom, ndërsa askush nuk jep llogari, askush nuk merr përgjegjësi. Ky ekzekutiv është më shpërdoruesi që ka parë historia e Kosovës.

Ministrat, zëvendësit, bashkë me kryeministrin, mbajnë mbledhje sa për sy e faqe. I ngrenë duart në shenjë miratimi, për secilin vendim me kosto financiare, pa asnjë lloj argumentimi. Një qind mijë euro për një përmendore, 180 mijë euro për një film, 500 mijë euro për disa orë festive, 660 mijë euro për një shkollë private, qindra mijëra të tjera për Vitin e Skënderbeut… Lista është e gjatë dhe këto janë shifra modeste krahasuar me faturat milionëshe. 53 milionë me një të rënë të lapsit për 'Bechtel-Enkan'.

Dhe askush nuk flet. Askush nuk vepron. Prokurorët marrin rroga të majme, por nuk është kjo çështje page. Drejtësia e kapur jeton në luksin që ia siguron korrupsioni i pushtetit. Pushteti u ndan firmave të veta dhjetëra - qindra milionë dhe asnjë hetim nuk ndërmerret. Këta po na vjedhin hapur, me votë unanime në mbledhjet qeveritare, ndërsa prokuroria vazhdon të flejë.

Nuk ka vendim qeverie që nuk do të hetohej në një shtet me drejtësi normale, por një gjë e tillë nuk ndodh në Kosovë. Shikoni çfarë ndodh me rastin e veteranëve, ku politika kërcënon prokurorinë, që ka kërkuar ndalimin e pagesës për mijëra veteranë fals. Këto hiena i janë vërsulur shtetit të dobët për ta zhvatur deri në palcë. Në 20-vjetorin e çlirimit, problem kryesor për Kosovën nuk është më Serbia, por bandat tona në pushtet. Ato janë kërcënimi i shoqërisë që aspiron të integrohet në Evropën moderne. Vështirë të shkojmë atje me një lidership të tillë, që abuzon dhe vjedh, sundon popullin dhe ndan territore. Pa u bërë transparenca e çdo euroje të shpenzuar nga arka e shtetit, nuk ka shpresë për ndryshim. Nëse drejtësia heziton ende, njerëzit duhet të dalin e të mbushin rrugët e sheshet, për të kërkuar ndëshkimin e hajnave të veshur me pushtet. 

(Kosova Sot)