A e harruat liberalizimin e vizave?

  • 18 March 2019 - 16:45
A e harruat liberalizimin e vizave?

Para zgjedhjeve, fjalia e parë e secilit politikan ishte liberalizimi i vizave. E dinin ku të preknin. Aty, më së shumti vazhdon t'u dhembë njerëzve të këtij vendi. Por, regjimi i vizave në hapësirën e Shëngenit nuk u hoq. Gjërat u përkeqësuan. Beteja më e madhe sot është të bësh një termin në ambasada. Ky, natyrisht, nuk është problem për politikanët dhe familjarët e tyre. Ata janë pajisur me pasaporta diplomatike, kanë marrë edhe shtetësi shqiptare e lëvizin lehtësisht. Plus, edhe shpenzimet i kanë zero, sepse përdorin fondet publike edhe kur bëjnë vizita për arsye thjesht private. Shumica, qytetarët e thjeshtë, diskriminohen në dyert e ambasadave për muaj të tërë. Kosova ka mbetur si një geto, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, ndërsa fajtorët kryesorë, liderët kosovarë, as që po e përmendin më edhe si temë. E vetmja që flet nganjëherë si me gjysmë zëri është ministrja e Integrimeve Evropiane, e cila, përfaqëson një qeveritare të dështuar. Në një vend normal, ajo do të duhej të jepte dorëheqje, por në mentalitetin e politikës kosovare, dorëheqja është një fjalë që nuk ekziston. Rrethanat janë përkeqësuar muajve të fundit, e në vend që të shohim një dritë në fund të tunelit, në fakt errësira është bërë edhe më e thellë. Kryeministri i ka "shpallur" luftë BE-së që prej vendosjes së një takse ndaj Serbisë e Bosnjës, prandaj tash duket e kotë që dikush në Bruksel të ndjejë keqardhje për kosovarët e izoluar. Me një lidership arrogant, konfrontues dhe pa vizion, është e pamundur të ndodhë edhe liberalizimi i vizave. Refuzimi që vjen edhe nga shtete partnere të Kosovës, si Gjermania, Franca, Holanda, është mesazh i qartë për popullin, se me këtë kastë në pushtet izolimi do të vazhdojë. Megjithatë, më e rënda nuk ka ardhur ende. Do të ishte fatale, nëse liberalizimi kushtëzohet sërish dhe kuptohet se cili mund të jetë kriteri shtesë-Një marrëveshje me Serbinë!

(Kosova Sot)