Editoriali: Dy dekada padrejtësi

  • 19 March 2019 - 16:38
Editoriali: Dy dekada padrejtësi

Dy dekada kanë kaluar, por në kujtesën tonë është gjithnjë i freskët akti barbar i forcave serbe, të cilat në reprezaljet e tyre nuk kursyen as median e lirë që mbështeste luftën për liri. Ndërmarrja Botuese dhe Shtypshkronja "Interpress R.Company" u përball me piromanët e Beogradit, që digjnin çdo gjë që frymonte shqip. "Kosova Sot" i ishte bërë halë në sy shumë shpejt regjimit shovinist dhe lakenjve të tyre në Prishtinë dhe sulmi nuk vonoi. Dëmet ishin të papërballueshme, por vullneti për të mos u dorëzuar dhe aspirata për shtypin e lirë na mbajti gjallë e na dha shpresë. Pas 20 vjetësh, megjithatë shpresat ishin së paku për një vendosje të drejtësisë, ndëshkim të kriminelëve që na dogjën e na bënë shkrumb, por asgjë e mirë nuk ndodhi në këtë drejtim. Shtetin e bëmë, megjithatë drejtësia jonë në vend të sundimit të ligjit aplikoi nënshtrimin ndaj oligarkëve. Dikur na digjnin, për të na e mbyllur gojën, sot djegia vjen në forma më të sofistikuara.

Është dëshpëruese, që Republika jonë, asnjëherë nuk e vendosi në tryezën e dialogut kompensimin e dëmeve miliardëshe të luftës. Sidomos sipërmarrja private e pësoi rëndë nga ofensivat serbe, që shënjestronin çdo burim mbështetjeje për luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës. Sot, lidershipi ynë mburret kur ulet në një tavolinë me nxënësit e Milosheviqit që udhëheqin Serbinë.

Udhëheqësit tanë bëjnë sikur kanë harruar, sikur nuk dinë gjë, injorojnë të kaluarën pa iu dridhur syri. Në vend që ta kushtëzojnë çdo proces negociator me reparacionet dhe kompensimin e dëmeve të luftës, arrijnë deri aty sa kërkojnë edhe ndryshime kufijsh, shkëmbime territoriale, rihapje të statusit. 20 vjet pas krimit monstruoz, kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim për urdhërdhënësit si dhe ekzekutuesit e aktit kriminal.

Është e turpshme për këtë shtet dhe këtë drejtësi të dirigjuar nga politika, se si nuk është në gjendje të hedhë as hapin më të vogël në adresimin e krimeve të luftës dhe kompensimin e dëmeve. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!

(Kosova Sot)