Shfaqja e Blerta Nezirajt, kritikë e ashpër ndaj politikës kosovare

  • 28 September 2016 - 17:00
Shfaqja e Blerta Nezirajt, kritikë e ashpër ndaj politikës kosovare

Njerëzit nuk dallonin nga kafshët

Perdet ishin të hapura, ndërsa publiku zinte ulëset e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke shijuar vallëzimin e aktorëve nën përcjellje të kitarës dhe baterisë. Dritat u fikën e katër aktorët filluan prezantimin e personazheve të tyre, që vërehej qysh në fillim veçantia e kësaj shfaqjeje.

3 mijë rregullat e reja që Kosova duhet t’i plotësojë për të hyrë në BE pas largimit të Britanisë së Madhe, ishte tema kyçe. Njerëzit në këtë shfaqje nuk dallonin nga kafshët e aq më pak politikanët. Krejt ngjarja zhvillohej në Kosovë në mishtoren Tony Blair.

“Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra, me disa lopë me disa kuaj, me një kryeministër, me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Neziraj u shfaq premierë të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja flet për politikën në Kosovë, për pozitën e opozitën, me ç’rast disa nga ta ishin të pranishëm, të cilët kësisoj panë veten e tyre nga këndvështrimi i autorit, regjisores e pa dyshim edhe publikut, të cilët duartrokitën e qeshën përgjatë 1 ore e 45 minutash me lojën e katër aktorëve: Shengyl Ismajli, Adrian Morina, Ernest Malazogu e Shpëtim Selmani.

Përmes lojës brilante të aktorëve, kjo shfaqje kritikon aktualitetin politik në vend që nga punësimet e militantëve partiakë dhe personave jokompetentë në institucionet publike, shantazhet, presionet ndaj të padëgjueshmëve të pushtetit, korrupsionin dhënien e mitës për ta mbajtur një biznes, vrasjet enigmatike në Kosovë e deri te dialogu me Serbinë dhe procesi i stërzgjatur i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe kushtet që i janë vënë Kosovës, për dallim prej vendeve të tjera aspiruese për në BE.

Shfaqja u mirëprit nga audienca për guximin e regjisores e autorit, ndërkaq regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj këtë shfaqje e quajti protestë artistike. “Kjo shfaqje u mirëprit sonte prej publikut, kështu që po shpresoj që edhe kritikat kanë me qenë të atilla sa i përket kësaj çka kemi prezantuar sonte. Ka qenë një punë e palodhshme nga ana e gjithë ekipit, e tash natyrisht fjala e fundit gjithmonë është tek publiku, ne natyrisht tani jemi të lodhur nga e gjithë kjo punë, por po shpresoj shumë që ia ka vlejtur”, tha për KultPlus, Rrustemi-Neziraj.

(Kosova Sot)