Të paditet Serbia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore

  • 28 August 2017 - 09:30
Të paditet Serbia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore

DËMET SERBE GJATË LUFTËS SË FUNDIT NË KOSOVË

Autoritetet e shtetit nuk kanë bërë asgjë në mbledhjen e fakteve

Krijuesi Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti i Kosovës duhet ta fusë në kuadër të padisë për dëmet e luftës kundër Serbisë edhe çështjen e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, të bërë nga forcat serbe

Mijëra objekte të trashëgimisë kulturore, por edhe atyre të kultit janë shkatërruar gjatë luftës nga ana e forcave serbe. Forcat serbe nuk kursyen bibliotekat, shkolla shtëpitë e kulturës deri tek objekt e kulturës, të cilat në përgjithësi i shkatërruan dhe i dogjën deri në themele. Ky veprim i qëllimshëm i forcave serbe duhet të evidentohet dhe të dënohet. Njohës të zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se pjesë e padisë për Dëmet e Luftës, që shteti i Kosovës do ta dërgojë në gjykata kompetente kundër Serbisë, të jetë edhe padia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, arsimore, por edhe sportive. Sipas tyre, biblioteka dhe shtëpi kulture janë djegur anekënd vendit qëllimisht nga forcat serbe. Por, pavarë- sisht insistimit, ata janë shprehur kritikë ndaj autoriteteve, të cilat nuk kanë bërë sa duhet për të mbledhur dëshmi për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore nga serbët. 

Janë djegur sa e sa ndërtesa të bibliotekave

Krijuesi Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti i Kosovës duhet ta fusë në kuadër të padisë për dëmet e luftës kundër Serbisë edhe çështjen e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, të bërë nga forcat serbe. Por, ka shtuar se fare pak është bërë në vend për të evidentuar dëmet që serbët i kanë shkaktuar trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ai ka thënë se për këtë çështje është treguar një neglizhencë e të gjithëve, veçmas e personave përgjegjës të asaj kohe, të cilët mblidhnin dëshmitë për dëmet e shkaktuara gjatë luftës nga forcat serbe. "Ishte një neglizhencë e njerëzve, të cilët menjëherë pas lufte evidentonin dëmet, pasi kur u përmendeshin dëmet në trashëgimi kulturore, ajo refuzohej automatikisht. Pasi ishin të fokusuar vetëm te dëmet e tjera. Janë djegur sa e sa ndërtesa të bibliotekave, ku në arkivat e tyre gjendej lloj- lloj dokumentacioni i nevojshëm për të kaluarën shqiptare", ka pohuar ai, duke shtuar se duhet dikush të ushtrojë padi ndaj Serbisë për gjithë këto dëme të pakthyeshme. "Në të kundërtën, na hakmerren fatet tona si për anëtarësim në Unesko. Deri më tash një punë të tillë e ka krye vetëm Skenderaj, asnjë komunë tjetër apo nivel qendror", ka pohuar Tahiraj. 

Kompensimi i Serbisë ndaj Kosovës të kushtëzohet me fillimin e bisedimeve Kosovë -Serbi 

Edhe krijuesi dhe studiuesi Dan Ibrahimi ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se institucionet duhet të ngrenë edhe çështjen e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe të kultit, në kuadër të padisë për dëmet e luftës kundër Serbisë. Pasi, sipas tij, një padi për dëmet e luftës s'do të kishte kuptim pa padi edhe ndaj dëmeve që Serbia u ka bërë objekteve të kulturës dhe sportit, arsimit, objekteve të kultit etj. "Madje, Serbia pikërisht këtë kategori objektesh e ka dëmtuar veçantë", ka thënë Ibrahimi. Kurse, Sokol Plakolli, dramaturg, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se kompensimi i shtetit të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, me theks dëmet kulturore, do të duhej të kushtëzohej me fillimin e bisedimeve Kosovë -Serbi, ngase, siç ka thënë ai më tej, agresori, në këtë rast Serbia, së pari duhet të kompensojë dëmet e luftës, të kërkojë falje publike, pastaj të bisedohet për dialog të mundshëm, qoftë ai ndërkulturor a politik. "Në këtë kontest individë të caktuar të rekrutuar nga Beogradi dhe të instaluar nëpër organet vendimmarrëse të institucioneve të Kosovës i kanë shkaktuar dëme serioze, qoftë në fushën e kulturës apo në sektorë të tjerë", ka pohuar ai, duke kujtuar se Gjermania akoma paguan dëmshpërblim për agresionin nazist në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa, sipas tij, serbët akoma nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë.

(Kosova Sot)