Ç'ËSHTË TULLA?

  • 15 April 2018 - 15:38
Ç'ËSHTË TULLA?

Si gjithë kombi ynë, edhe unë, edhe familja, jemi përgatitur shpirtërisht për të hyrë në BE

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Emocione të mëdha më japin provimet. Thonë se Bonoparti është shprehur: "Më mirë një betejë, se një provim. "Për mua ka të drejtë. Nuk është mosmarrja e provimit, që më frikëson, por sedra më lëndohet shumë. Nuk jam nga ata që hollohen në sezonin e provimeve, por edhe një gram nuk e shtoj. Tërë natën, përpara ditës së provimit, gjumi më braktis. Në mëngjes herët, për të mbledhur veten, pi një kafe pa sheqer, dhe nisem për provim. Enigma, që më syrgjynos gjumin, fillon me marrjen e tezes. E tëra zbulohet kur nënshkruhet nota në librezë. Nuk jam student i shkëlqyer. Vlerësimet i kam rreth notës shtatë, ndonjëherë marr edhe tetë. Fiskulturën e kam dhjetë, pa diskutim. Si i thonë popullorçe, nuk jam student, që i marr provimet; "me brekë nëpër këmbë". Jam student në vitin e katërt, në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Sot kam provim lëndën e "Materialeve të Ndërtimit." Për një javë, kam studiuar shumë dhe më dëshirë. Dihet, se kur nuk mëson sistematikisht, mbesin ca kapituj të mjegullt, që nuk ke dëshirë të përgjigjesh në provim. Për mua, nuk ka më turp, që të rrish si memec, përpara komisionit të vlerësimit, ndërsa jashtë, flet me 100 kilometër në orë, si spikerët italianë. Njëqind herë i jam betuar vetes, se do të mësoj çdo kapitull, asnjëherë nuk e kam mbajtur fjalën tamam-tamam. Nuk e marr vesh, se pse më ndodh kjo punë, ndonëse shpjegime japin shumë. Dikush thotë, se vjen nga dembelizmi, një tjetër thotë, aq mend ke, dhe mos kërko më shumë. Është e vërtetë, që të gjithë studentët nuk mund të jenë të dhjetës, por është edhe më se e vërtetë, që gjithsecili e mban veten më të zgjuar se shoku, apo shoqja, përbri. Në garën për zgjuarsi, ende as kam parë, e as kam dëgjuar, t'i hapet me dëshirë rruga më të zgjuarit. Kur më doli emri, për të hyrë në provim, po diskutoja me shokun tim Sokolin, kinse për të sqaruar disa paqartësi,që më turbullonin në arsyetim. Kur trokita në derë, këmbët me dridheshin, si të më kishin futur në korrent. Pasi u përshëndeta me shikim, me dy pedagogët, tërhoqa tezen me guxim, i bindur, se ky do të jetë fati im. Me tezën në dorë, shkova të zë vend në një tavolinë, pa e parë se çfarë ishte shkruar në letër. Nga eksperienca, ne studentët e vitit të katërt, kemi parë edhe dëgjuar, se disa nga shokët tanë, sapo kanë lexuar tezen, u ka rënë të fikët, pa zënë vend në karrige.

DERI VONË, FISI YNË KA MBAJTUR LLAGAPIN TULLA

Pasi peshova rëndë në karrige, fillova të lexoj tezën. Syve nuk po ju zija besë. E rilexova. "Flisni për teknologjinë e tullave dhe llojet e tyre."Të fusja shtatëqind miq të fuqishëm, nuk do të ma përzgjidhnin këtë tezë. Duhej të flisja për trashëgiminë e fisit tim. Nuk mbahet mend se sa breza kanë prodhuar me duart e tyre, tullën e thjeshtë. Deri vonë, fisi ynë ka mbajtur llagapin Tulla. U ndërrua në Hasani, sepse shumëkush e konsideronte si nofkë ,dhe jo si profesion. Në fabrikën e re, të tullave,vëllai i madh është kryeteknolog. Kam shkuar kush e di sa herë në fabrikë, sepse edhe perspektivën për punë e shoh aty, meqë na e tërheq tradita familjare. Madje, verën e fundit, kam punuar dy muaj, pa ndërprerje, si punëtor thjeshtë , për të blerë rroba të reja,si shokët e mi. I gëzuar, ula kokën dhe fillova të shkruaja me shumë dëshirë. I përshkrova me hollësi repartet e fabrikës. I specifikova asortimentet për konstruksion, për ndarje ambientesh, për dekorim, për …. Ta them shkurt, nuk lashë gjë pa shkruar për tullat, si për teknologjinë, asortimentet dhe historikun e prodhimit të tyre, nga koha romake e deri më sot. Koha më doli e më teproi. Po ndiqja profesorët, në punën e tyre, jo më shumë vëmendje, nga gëzimi që më vlonte në gjoks. Si nuk janë dy gishtat njëlloj, edhe profesorët kanë ndryshime. Ylberi, pak më i madh në moshë, është nga ata profesorët, që e deklaron, që në leksionin e parë, se nëntën dhe dhjetën e ka për vete, ndërsa notat e tjera për studentët. Tregonin, se nuk e ka zemrën e keqe, sepse nuk e ka praktikë të lërë studentet masivisht në provime. Për asistentin, Agronin, ne, të viteve të katërta, e trajtonim si shok, sepse edhe ai na thërriste kolegë. Më erdhi radha, të dilja përpara komisionit. Isha i bindur, se do t'i befasoja pedagogët me përgjigjen time të rrjedhshme dhe të saktë. E fillova nga karriera e marrjes së argjilës dhe e gjezdisa baltën repart më repart, deri te prodhimi i gatshëm. Fola me imtësi për historinë e prodhimit të tyre, me fakte e data konkrete. I specifikova tullat sipas përdorimit, formës, teknologjisë. Fola me ton të qetë, duke respektuar pikat e presjet, në ligjërim. M'u tha goja kur mbarova. -Keni folur në hava,- më befasoi pedagog Ylberi, ndërkohë që prisja shpërblim maksimal, dhe për t'u larguar, në hesapin tim. -Puna fillon nga koka dhe jo nga bishti. Përpara se të futeshit ,në atë që lexuat, duhet të thoni përkufizimin. Ç'është tulla? Pas këtij shpjegimi, ato që rreshtove deri tani, mund të kenë vlerë, për ngritje në vlerësim.

SEDRA MË KURDISTE NË KRAHUN E KUNDËRT

Mendova se e donte përgjigjen në të kundërt, pra nga produkti i gatshëm, të shkoja deri në karrierën e argjilës. Në provim edhe mbledhje, duhet t'i rreshtosh problemet si i kërkon drejtuesi. - Nuk po të pyes për teknologjinë e prodhimit,- ma ndali hovin.- Dua të di nga ju shkurt! Çfarë është tulla? Pa kaluar këtë prag, mos kërko të ecësh më tej! - Tulla është dhe i pjekur,- përgjigjem me ton. - Në asnjë mënyrë. Nuk është ky përkufizimi për tullën, të cilin ua kam theksuar në leksion. - -Kemi tulla të plota, me vrima, me veshë, të kuqe, të bardha, zjarr duruese,… - Ç'është tulla, more djalë?- më ndërpreu barabarisht. Hedh shikimin nga Agroni, për të kërkuar ndonjë ndihmë, sa do të vockël, po mesa pashë, ai ishte hutuar më keq se unë. - Tulla,- kërkova të futem në një variant tjetër të rrëfyeri,- është lëndë ndërtimi, që e përdor njeriu për nevojat e veta jetike. Ajo përdoret në shtëpitë e banimit, për konstruksion e ndarje ambientesh, në veshje dekorative apo në furrat me temperaturë të lartë,n ë drenazhimet në bujqësi,… - Ju nuk dini thelbin e tullës,- me ndërpreu, përsëri. Ju nuk kuptoni më të qenësishmen. Nuk merrni vesh aspak nga tullat. Nuk më keni dëgjuar në leksion. - -Më falni,- i ndërhyj. - Në fabrikë e përziejnë argjilën e bluar edhe me pak skqorje, që të piqet sa më mirë. Ky sqarim, m'u mbush mendja, se do ta sqaronte të qenësishmen,që kërkonte profesor, Ylberi, me kokëderrësi. - Jo,- e shoqëroi me kokë, me shumë hidhërim. - Më falni! Jam i përgatitur shumë mirë për pyetjen, si nga ana teorike dhe praktike,- i them me vendosmëri. - Nuk më duhen arsyetimet. Unë kërkoj përkufizimet teorike, se jemi në provim universitar, e jo në fabrikën e tullave. - Teza më kërkon të shpjegoj teknologjinë dhe llojshmërinë e tullave. Atë e shpjegova qartë. Nuk e di se çfarë më kërkoni? - Për të kaluar atje, më parë duhet të thuash saktë përkufizimin e tullës. - Zoti profesor. Nuk e di përgjigjen. A mund të ma thoni ju? - Këtu pyes unë,- m'u përgjigj shkurt.- Si ju kanë futur të punoni në fabrikën e tullave, dhe nuk të kanë shpjeguar se ç'është tulla? - Dy muajt e verës kam punuar me karrocë dore ,e jo teknolog,- ia kujtoj. - Po vëllai u juaj,që është kryeteknolog, nuk të ka thënë ndonjë fjalë?- më befasoi, me njohjen e vëllait të madh. - Zoti profesor!Do të them diçka me siguri. Edhe po të jenë miliona mallra në një magazinë, të jap fjalën se tullat i veçoj një nga një. - Për këtë jam i sigurt, se e di që e keni traditë familjare,- për herë të parë, ma lëshoi një miratim.- Përqendrohu. I sillesh vërdallë, por tek strumbullari nuk shkon. Ndërsa ai, tregonte bashkëpunimin teorik dhe praktik, me vëllain, shumë marina, ma zaptuan kokën. Çfarë më kërkon ky zog …..? Mos po tall …… ? Për pak çaste e vendosa, t'i them, se nuk e flas më asnjë fjalë. Sedra më kurdiste në krahun e kundërt. Llap sa të mundesh, si studentet e shkathët, sepse dikur do të dalësh matanë. Mendova të futem në trajtimin e punë- toreve në komunizëm, dhe tani në demokraci, por kishte një rrezik. Nuk e dija nëse profesori ishte i majtë apo i djathtë, dhe" fifti-fiti" kandari mund të shkonte nga dhjeta në dysh. - Trajtimi i punëtorëve ka ndryshime në komunizëm dhe sot në demokraci,- e fillova ,duke ndarë fjalët me rrokje, për t'i dhënë kohë vetes, që të merrja ndonjë informacion nga mimika e tij, në cilin shteg të hyja, majtas apo djathtas. - Thirre për ndihmë shkrimtarin e madh, Ismail Kadare, se: "stepa paska vetëm në Rusi". Ç'është tulla?- e ngriti zërin lart. Ma mbylli edhe këtë shteg, ku u përgatita, të shëtisja sa më gjatë. M'u kujtua mallkimi absurd: "Të zenshin tullat brenda! "Jeta, prandaj është e bukur:" Sa të rrosh do të shikosh, e do të dëgjosh."Asnjë, në fisin tim, nuk mund ta pranonte katrën, sepse nuk kam ditur të përgjigjem për tullën. Për materiale të tjera ndërtimi, edhe do të ma falnin mosdijen, por, për tullën , kanë të drejtë që nuk më bëjnë lëshime. U përqendrova. I thirra kujtesës, se çfarë kam dëgjuar në leksionet, e tij. M'u kujtua një shprehje e tij,që kam qeshur me lot. - Tulla është gurë artificial,- artikulova, tërë frikë. Për çudinë time, fytyrat e tyre filluan të dritësohen. - Përgjigje shumë e saktë,-e filloi me entuziazëm profesor ,Ylberi.- Tani po ma mbush mendjen, se mbiemrin e keni ndërruar pa të drejtë. Të tjerat i ke thënë e stërthënë. Për herë të parë do të vë notën dhjetë, sepse të ndihmojë Perëndia, që të seleksionoi atë tezë. Besoj se edhe kolegu im do të jetë dakord, -asistentit, edhe flokët i gëzonin, kur dëgjoi profesorin. - Mos do të më rritet mendja,- ju them, me humor, pasi futa librezën në xhep, të firmosur nga të dy. - E pashë në librezë, se edhe në fizkulturë kishe notën dhjetë. Besoj se nuk ta ka rritur mendjen,- më thumbon profesor ,Ylberi. - Dhjetën, në fizkulturë, e ka marrë se është sportist e ekipit kombëtar,- e sqaroi, Agroni. - Dhjetën, në lëndën time , e mori, se e di mirë, që fisi i tij janë kapedanët e kombit, për prodhimin e qeramikës. - Zoti, Profesor! - drejtohem. - Me profesor jam dakord, se kam mbrojtur titullin, me të gjitha aftësitë e mia. Zotnillëkun nuk e kuptoj. Ku ke parë, dhe dëgjuar, se ka zotëri te rrogë- tarët e shtetit?- më hutoi ,me pyetjen e tij.- Të shplodhemi pak, se më kënaqe me përgjigjen. - Profesor! Mos e bëj si pozita, që nuk i lëshon aspak pe opozitës,- e zgjas , se pashë që erdhi në formë. - Me politikën mos më ngatërro! Vendi i punës më kërkon, të jem i depolitizuar. Meqë e do një përgjigje, po mundohem të shpjegoj shkurt. Si gjithë kombi ynë, edhe unë, edhe familja, jemi përgatitur shpirtërisht për të hyrë në BE. Për të marrë kreditë, dekanët na urdhërojnë të shkojmë të dëgjojmë lektorët e tyre, të cilët, vetëm dhjeta marrim gjashtëmijë Euro në muaj,se pagën nuk e tregojnë,se na qenka vendim - BEsë,për fshehjen e saj. Në shtatëmbëdhjetë leksione kam shkuar. Të shtatëmbëdhjetët janë hapur me pyetjet: "Ç'është puna? Çfarë janë kontratat?" Me ka renë në vesh,edhe sy ,se na detyrojnë të mbajmë shënime, se, asnjeri prej tyre,nuk i thonë përkufizimet njëlloj. Që tulla është gurë artificial,ju a kam shpjeguar studentëve nga dita e parë që kam dalë në punë. Do ta kërkoj saktësisht deri në ditën që do të dal në pension, pavarësisht se çfarë na mësojnë lektorët e BE-së. - Qerpiqi, besoj, se nuk është gurë artificial,- e gërgas. Ik!Kam edhe shtatë studentë që do të marr sot në provim. E shoh, që nga gëzimi, do muhabet. Do ta gjej kohën të rrimë një ditë me nge, mos ta kesh merak, se jam burrë, e fjalën e mbaj,- dhe profesorët u ngritën në këmbë, kur tokëm duart, në ndarje.

(Kosova Sot)