Tendenca për shkatërrimin e metropoleve

  • 15 April 2018 - 15:46
Tendenca për shkatërrimin e metropoleve

KRITIKË E FILMIT 'RAMPAGE'

Dwayne Johnson,i cili luan rolin e ekspertit të primatëve,Davis Okoye,është një prezencë goxha argëtuese në ekran

Bazuar në lojën e njëjtë të mesit të viteve 1980, "Bally Midway", e cila, jozyrtarisht, frymëzoi edhe filmin e 'Disney'-t, "Wreck-It Ralph", filmi i regjisorit Brad Peyton me titull "Rampage" duket se nuk e kupton as 'kuptimin e vet'. Duke ribashkuar yllin rezistent ndaj fatkeqësive, Dwayne Johnson me këtë regjisor "San Andreas", ky film i pamend me përbindësh supozon se shikuesit duan ta shohin "The Rock"-un duke ndalë tri krijesa të mëdha mutante, duke i penguar ato nga shkatërrimi i metropoleve, duke harruar në tërësi domethënien e titullit të filmit ('rampage'dmth 'tërbim, inat'). Duke filluar që të jepet në kinema pak javë pas filmit "Tomb Raider" dhe atij me titull "Ready Player One", "Rampage" është tentimi më i ri i studiove filmike që të arrijnë sukses në zhanrin më irritues të Hollivudit: filmat VXF të bazuar te video lojërat. 

EKSPERIMENTET ME MINJ LABORATORIKË

Nëse për momentin i lëmë anash filmat e tjerë, të ngjashëm, atëherë mund të themi se "Rampage" është mu ai film, i cili është: një mega-projekt i bazuar te një lojë 'arcade' me kapacitet 8-bit, me jo më pak se katër skenaristë, i dizajnuar për të 'ngrënë' para sikur edhe loja origjinale. Dwayne Johnson, i cili luan rolin e ekspertit të primatëve, Davis Okoye, është një prezencë goxha argëtuese në ekran, por ka diçka që nuk shkon në luajtjen e rolit të një djali i cili duket sikur shëmbëlltyrë e reklamimit të hormonit të rritjes, në një film i cili e paraqet veten si rrëfim të kujdesshëm rreth rreziqeve të manipulimeve biologjike. Davis mund të flasë me kafshët dhe ka një lidhje të veçantë me George-in, një gorillë albin i cili mësohet që të komunikojë me shenja. Në vend që të shkonte rrugës së filmit "Big Meets Bigger", sikur që edhe mund të pritej, meqë kështu ky do të ishte një film me të vërtetë argëtues, ngjarja e filmit bën që Johnson gjen një shoqëruese në formën e aktores Naomie Harris, e cila luan rolin e Dr. Kate Caldwell, shkencëtares karizmatike përgjegjëse për zbulimin e teknologjisë 'editimi gjenetik'. Pasi që një seri eksperimentesh me minj laboratorikë, të bërë në një stacion hapësinor, shkon si nuk duhet, duke rezultuar me shkatërrimin e tërë qendrës, në skenat fillestare, pjesë të formulës së Caldwell-it bien në Tokë, duke infektuar gorillën George (i cili më pas merr përmasa të King Kongut), një ujk alfa diku në Uajomingun jugor dhe një krokodil në Parkun nacional "Everglades". Davis pikëllohet shumë duke parë primatin e tij të dashur duke u tërbuar. Pasi që kupton se me çka ka të bëjë, puna e tij është që ta gjejë kundërhelmin para se përbindëshi ta shkatërrojë një qytet të tërë.

MUNGESA E VIZIONIT ARTISTIK

Duke 'huazuar' një faqe nga skenari i filmit "Ghostbusters", skenari i filmit "Rampage" luhatet midis shakave të këqija dhe dokrrave shkencore. Thënë shkurt, filmi shkon tepër larg duke u munduar ta justifikojë konceptin e tij të gabuar, duke manifestuar një mungesë totale të respektit ndaj ligjeve natyrore, edhe pse 'shikuesit e filmave adhurues të kokoshkave' nuk do t'ia zënë për të madhe aq shumë. Përkundër të metave që mund t'i ketë (dhe, pa dyshim, i ka), filmi "Rampage" e di se te cilët shikues mund të llogaritë - te fansat e filmave "Transformers" dhe te fëmijët e lindur pas 11 shtatorit të vitit 2001, për të cilët skenat e elaboruara me qëllim të rrëzimit të rrokaqiejve nuk janë përjetuar asnjëherë në jetën reale. Ky film është më vështirë që të 'tretet' nga ata që kujtojnë ende erën e veçantë që mbizotëronte pas rrëzimit të Kullave binjake. Ajo që i mungon regjisorit Peyton, është vizioni artistik, mangësi të cilën ai e kompenson me aftësitë e tij tjera. Për dallim nga kolegët e tij, regjisori David Yates ("The Legend of Tarzan") dhe Zack Snyder ("Justice League"), Peyton sjell një tërësi që duket unike, në të cilën efektet vizuale integrohen mirë me skenën dhe lokalitetin. George, gorilla i cili fillon që të rritet me të shpejtë, ballafaqohet me një sfidë unike, meqë duhet të mbetet mjaft i ndjeshëm, që Davis të vazhdojë të përpiqet për ta shpëtuar atë. 

(Kosova Sot)