I jepet lamtumira e fundit dirigjentit të parë kosovar, Bahri Çelës

  • 11 October 2018 - 13:00
I jepet lamtumira e fundit dirigjentit të parë kosovar, Bahri Çelës

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare ishin mbledhur shumë familjarë, bashkëpunëtorë e ish-studentë të Bahri Çelës për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Filarmonia e Kosovës së bashku me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës mbajti sot mbledhjen komemorative në kujtim të dirigjentit të parë të Kosovës, e atij që i vuri themelet Filarmonisë së Kosovës. Dardan Selimaj i cili foli në emër të Filarmonisë së Kosovës u shpreh se Bahri Çela ishte një nga personalitetet e rralla të skenës kulturore në Kosovë dhe jo vetëm, pedagog dhe punëtor i përkushtuar dhe iniciator në themelimin dhe zhvillimin e institucioneve muzikore të Kosovës. Pas fjalimeve në skenë u ngjit mbesa e profesorit Bahri Çela për të interpretuar në tinguj e pianos e më pas Kori i Filarmonisë së Kosovës, që interpretoi veprën "Nënë" të Kushtrim Gashit dhe "Një lule" të Rexho Mulliqit, nën dirigjimin e Rafet Rudit. Bahri Çela vdiq në Londër në mëngjesin e 30 shtatorit, pasi vuajti për disa muaj një sëmundje të pashërueshme të organeve të frymëmarrjes.

 

(Kosova Sot)