Lahuta shqiptare është gati për UNESCO, mungon lobimi

  • 07 December 2018 - 16:23
Lahuta shqiptare është gati për UNESCO, mungon lobimi

Serbia e futi eposin e saj në UNESCO së bashku me instrumentin që e quajnë "gusle", që është i ngjashëm me lahutën shqiptare, por me disa ndryshime të vogla. Akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole shprehet se "ky suksesi i Serbisë duhet të na shërbejë për të nxitur institucionet e vendit tonë, se pse nuk është futur ende Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO".  

"Institucionet duhet ta bëjnë një lëvizje"

Tole që ka qenë pjesë e grupit të punës që kanë bërë gati dosjen për në UNESCO, u shpreh se serbët kanë regjistruar pjesën e tyre, porse nuk na është mbyllur dera ta fusin lahutën dhe eposin tonë në UNESCO."Është një trashëgimi që është e pranishme tek të dy popujt, por ne themi se tek ne është më e hershme, sipas referencave të studiuesve dhe albanologëve të njohur", thotë ai."Por, nuk është çështja që ka diskutim nëse është lahuta shqiptare apo serbe; lahutën e kanë edhe malazezët edhe boshnjakët. Ajo që duhet të bëjmë është më mirë të diskutohet dhe të nxitet opinioni për t'u regjistruar Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO. Por, për t'u bërë kjo, ndërmarrja nga Ministria e Kulturës dhe e Jashtme mungojnë. Ato nuk e bëjnë shtysën. Këto institucione duhet ta bëjnë një lëvizje. Secili vend bën maksimumin për trashëgiminë e vet".

Variantet e ndryshme

Para tetë vjetësh Shqipëria ka nisur punën për të plotësuar dosjen mbi Eposin e Kreshnikëve, për t'ia çuar UNESCO-s. Pas plotësimit të saj, UNESCO-s do t'i propozohej që ta merrte atë në mbrojtje si një kryevepër në rrezik. Ministria e Kulturës kishte ngritur një grup pune që përgjatë një viti do të merrej me dosjen. Studiuesit nisën debatet, ku propozonin që për sa i takon dosjes, përveç Eposit në të duhet të përfshiheshin edhe lahuta, madje edhe kullat ku këndohej eposi, veshjet tradicionale të zonave ku eposi mori jetë, xhubleta, si një ndër veshjet më të veçanta shqiptare, dhe vetë lahuta si shoqëruese e këngëve të kreshnikëve. Poema e lashtë shqiptare "Eposi i Kreshnikëve" e quajtur nga disa studiues si "Iliada" shqiptare, është pjesë e pandashme e lahutës. Grupi i punës për dosjen kanë sqaruar se instrumenti i lahutës që e shoqëron eposin, dhe madje rapsodi, interpretuesi, sa vjen dhe po rrallohet në trevat shqipfolëse. Për eposin, studiuesit shqiptarë, por edhe ballkanikë, kanë shprehur argumentin se është më arkaik në trojet shqiptare, si rrjedhojë edhe më origjinali. Prej kësaj ka rrjedhur argumenti se edhe vetë lahuta që e shoqëron është më e hershmja përkundrejt varianteve serbe, malazeze, boshnjake, e më gjerë. Kjo edhe për karakteristikat e ndërtimit të saj.

 

(Kosova Sot)