Për 122 vjet, populli shqiptar u dëmtua për 142 miliardë dollarë amerikanë

  • 08 December 2018 - 08:22
Për 122 vjet, populli shqiptar u dëmtua për 142 miliardë dollarë amerikanë

SHKRUAN: PROF. DR. HAKIF BAJRAMI 

Diplomati anglez në Stamboll, më 24 korrik 1877, kishte shënuar se Rusia e ka marrë përsipër për të pastruar Ballkanin prej elementit etnik mysliman. Së këndejmi, kur t` i shtohet tragjedisë shqiptare edhe Programi Evropian i vitit 1910, për pastrimin e Evropës prej myslimanëve, çështja bëhet e qartë Më 1 mars 1992 pata shkruar në medie të shkruara se popullit shqiptar iu kanë shkaktuar dëme nga Serbia për 125 miliardë dollarë. Askush atëbotë nuk mësoi asgjë nga ky shkrim, sepse mendohej që do të çlirohemi me deklarata për shtyp. Dhe, kush ka mundur ta njoftojë opinionin se po ajo Serbi gjatë viteve 1992- 1999 do t'i shkaktonte dëme popullit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë, edhe për 30 miliardë dollarë, që gjithsej del se dëmet arrijnë në 142 miliardë dollarë. Tani shtrohet pyetja, se si është arritur kjo shifër. Pas vitit 1945, me kujdes u përpiluan metoda dhe rregullore se si llogariten dëmet e luftës, edhe në Kosovë. Prej atyre materialeve, të cilat i ka përpiluar Prof. Zekeria REXHA, me disa bashkëpunëtorë, ku ndihma e Fadil Hoxhës ishte evidente, edhe sot mund të mësohet. Tani shtrohet vetëm një pyetje se si Fadil Hoxha arriti menjëherë ta krijojë Komisionin për dëme të luftës, e që ky personalitet e kishte vetëm shkollën e mesme, ndërsa drejtuesit tanë sot (2018), që injorojnë çdo dituri, vetëm blofojnë e "kuadro" me tituj dhe pozita politike madje, ka për eksport. Tani po e ribotojë shkrimin e vitit 1992, me plotësim të dëmeve që i janë bërë Kosovës nga vitet 1992-1999. Në mjetet e informimit serb, në momentin aktual, gati për çdo ditë mund të lexohet, për dëmet që Serbisë ia paskan bërë të tjerët. Zakonisht aludohet në Austrinë, në Gjermaninë dhe në Kroacinë. Në lidhje me këtë, dihet saktësisht se popullsia serbe, në truallin kroat është e kolonizuar. E kolonizuar popullsia serbe është edhe në Vojvodinë. Por, pjesa dërmuese serbe (75%) në Kosovë është e kolonizuar, pas vitit 1912, kur kjo trevë etnike shqiptare u okupua, me tolerimin e Austro-Hungarisë, Italisë dhe me forcën falangë, të ortodoksisë ballkanike, e dirigjuar nga Rusia cariste. RUSIA "PASTRON" BALLKANIN NGA MYSLIMANËT Gjatë viteve 1877-1912, Serbia i okupoi 714 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Sipas një statistike turke, Serbia atëbotë i përvetësoi 98000 shtëpi banimi, 82300 stalla bagëtish,58000 hambar drithërash, 98000 maxhe buke. Prej çdo shtëpie, Serbia plaçkiti prej 20 deri 400 copë dele, prej 3 në 150 copë lopë, afër 40 000 kuaj, 70000 qerre e mjete të tjera shtëpiake. I tërë drithi u plaçkit dhe kurrë për këtë nuk është debatuar në ndonjë forum ndërkombëtar. E vërteta, për krimet ndaj shqiptarëve flasin edhe dokumentet sekrete të qeverisë serbe. Jo vetëm kaq, për ato krime kundër shqiptarëve, serbët kanë debatuar në organin e Qeverisë që quhej "Samouprava".Vetëm gjatë dimrit 1877/78, Serbia me dhunë i largoi 350 000 shqiptarë, ndërsa pronën e tyre e përvetësoi. Numri i të zhdukurve nuk do të dihet kurrë. Serbia në këtë kasaphane i dogji fshatrat shqiptare nga Nishi e deri në afërsi të Prishtinës, duke e përfshi Kazanë e Gjilanit, Nahinë e Llapit dhe një pjesë të Permalinës. Në bazë të një analize profesionale, të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1919), duke marrë për bazë edhe pronën e plaçkitur tokësore të tërë territorit Tiplicës, Masuricës, Jabllanicës, Nishit me qytete tjera,duke e llogaritur trevën e Plavës dhe Gucisë, të Ulqinit, deri në vitin 1912 trojet shqiptare që u theksuan, janë plaçkitur me një shumë prej 40 miliardë dollarësh. Në këtë aspekt, duhet të mendohet qartë për pasurinë e patundshme që është grabitur edhe në krimet që nuk vjetrohen. Këto dëme nuk janë të luftës, sepse shqiptarët nuk kanë qenë në luftë me Serbinë fare. Dëmet janë pra, të shkaktuara nga Serbia për t` ua grabitë pronat shqiptarëve dhe në to për të vendosur kolonistë sllavë. Lidhur me këtë Jovan Haxhivasileviq shkruan se kur brigadat serbe hynë në Sanxhakun e Nishin, emrat e lokaliteteve nuk i dinin, sepse nuk kishte njeri t` u tregojë", që do të thotë se nuk mbeti njeri i gjallë. Nuk i thonë këtij realiteti tragjik akt gjenocidal. E trimëruar prej kësaj plaçkitje, pa kurrfarë pasojash dhe e garantuar prej Falangës-kryqëzatë evropiane, terrorin antishqiptar, serbo-malazezët do ta vazhdojnë me 1912. Lidhur me këtë, diplomati anglez në Stamboll, më 24 korrik 1877, kishte shënuar se Rusia e ka marrë për sipër për të pastruar Ballkanin, prej elementit etnik mysliman. Së Këndejmi, kur t` i shtohet tragjedisë shqiptare edhe Programi Evropian i vitit 1910, për pastrimin e Evropës prej myslimanëve, çështja bëhet e qartë. BURGOSJA E HASAN PRISHTINËS Gjatë viteve 1912-1915, Serbia dhe Mali i Zi, si okupator përmes forcës do të fillojnë për të realizuar planin e dytë të dëbimit të shqiptarëve prej trojeve të veta. Në saje të atij plani që bazohej në paragrafët e "Naçertanisë" 1844, më 1913 në Kosovë u dogjën 132 fshatra shqiptare, deri në themel. Për dy vjet, Serbia dhe Mali i Zi arritën për t'i përzënë prej vatrave të veta një masë prej 250 000 vetave shqiptarë, turq dhe boshnjakë. Plaçkitjet do të vazhdojnë në të gjitha fushat. Por, shqiptarët do të mbesin sërish në tokën e Kosovës, nën mëshirën e thikës dhe zjarrit. Vlerësohet se gjatë kësaj kohe në Kosovë u plaçkitën 125000 bagëti të llojeve të ndryshme. Në viset shqiptare do të rrënohen 328 xhamia, do të përdhosën 85 mejtepe dhe bibliotekat e tyre me vlerë të madhe historike, ku kishte edhe dorëshkrime me germa arabe dhe fjalë shqipe, do të digjen me plan të qeverisë (Stio: Sta hoçe Serbia 1910-1912). Prej vitit 1878 e deri më 1914, në viset etnike shqiptare, do të shkatërrohen 8450 biblioteka private, që fshihnin një pasuri të paçmuar kombëtare dhe fetare civilizuese. Vetëm në Dukagjin, me qëllim që të zhduket feja islame dhe katolike, serbo-malazezët do t`i likuidojnë me mija libra, do t` I vrasin me mija njerëz e sidomos priftërinj katolikë dhe ylema myslimanë. Dëmet materiale, ndaj popullit shqiptar, nga ana e Serbisë dhe Malit Zi, në këtë periudhë kanë arritur çmimin deri në 15 miliardë dollarë. Gjatë okupacionit Austro- Hungarez 1915-1918, edhe pse shqiptarët ishin neutralë, Serbia zyrtare në vend që të vlerësojë pozitivisht sjelljet e shqiptarëve, në vend që në qetësi të tërhiqej, filloi të bëjë plaçkitje edhe djegie të fshatrave shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipërinë Bregdetare, deri në brigjet e Adriatikut. Ato dëme Serbia kurrë nuk i ka përmendur në asnjë vend. Në fakt, meqë shqiptarët i lejuan serbët të kalojnë nëpër viset e tyre lirisht, diplomacia serbe kurrë nuk ka shprehur një më të voglin falënderim. Përkundrazi, në çdo tubim ndërkombëtar, Serbia është kujdesur që çdo kërkesë kombëtare shqiptare, ta diskreditojë me të gjitha mjetet, madje duke shprehur cinizëm se "nuk jemi të aftë të krijojmë shtet". Mjafton të shikohet dokumentacioni se çka plasonte diplomacia serbe në Londër më 1913. Për popullsinë e Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës, (94% shqiptare) dezinformohej opinioni se "janë të gjithë banorët shqiptarë, por në familje flasin serbisht, serbët e ndiejnë vetën dhe duan t'i takojnë Serbisë". Ku e dinte diplomati i Fuqive të Mëdha në Londër më 1913, se ku gjinden këto krahina denbabaden shqiptare. As që lodhej. Aq më parë rrena kishte hapësirë të mjaftueshme të pranohet, sepse Rasih Dino, Filip Noga dhe Mehmet Konica nuk u konsideruan të autorizuar të Vilajetit Kosovës, aq më pare kur Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Idriz Seferin, Shefqet Shkupin, Seit Efendinë etj., oficerët serbianë i kishin burgosur në Shkup dhe i kishin deportuar në burgun e Kalemegdanit në Beograd. Atje i mbajtën derisa mbaroi Konferenca e Londrës, deri më 1 prill 1913. TOKA SHQIPTARE PLAÇKITEJ E U JEPEJ KOLONISTËVE Me riokupimin e Shqipërisë Kontinentale 1918-1941 me ndihmën e Armatës Franceze (përbëhej nga mercenarët nga Somalia dhe Vietnami, Serbia e Karagjorgjeviqëve, filloi në Kosovë të rrënojë çdo gjurmë shqiptare. Në pesë vitet e para të okupimit, në viset etnike shqiptare u dogjën 182 fshatra të ishVilajetit Kosovës, ndërsa kur t` i shtohen dëmet në Vilajetin e Manastirit, atëherë djegia e fshatrave arrin në 247 lokalitete. Në ato rrethana ishte plaçkitur mbi një e treta e tërë pronës tokësore, dhe ajo u ishte ndarë kolonistëve sllavë. Kolonizimin e Kosovës dhe Manastirit, serbët e arsyetojnë prej vitit 1912, qoftë edhe për 200 000 kolonistë të planifikuar sllavë, se janë vetëm fillimi. Propaganda serbiane propagandon sot nëpër botë për 300 mësues që kishin ardhur më 1941 nga Shqipëria Kontinentale, për t`i hapur shkollat, sepse okupatori gjermano- italian nuk e donte një popull analfabet, sikurse projektonin serbët me shekuj. Madje, Serbia zyrtare e kritikon edhe faktin se më 1945 në Kosovë nga Shqipëria Bregdetare kishin ardhur në Shqipërinë Kontinentale prapë edhe 200 mësues të rinj. Politika kriminale serbe fare nuk i llogarit se nga viti 1918 e deri më 1921, i kishte vrarë pa armë në dorë 12 371 shqiptarë civilë për të shkaktuar panik në masë. Gjatë kësaj kohe ishin burgosur 22 110 shqiptarë, ishin djegur 60 000 shtëpi, ishin plaçkitur mbi 12 000 familje. Serbia shtetërore kurrë nuk i ka zbardhur se sa shqiptarë janë vrarë në veri të Serbisë më 1914, si ushtarë që ishin destinuar të hapin llogore mbrojtëse në frontin me Austro- Hungarinë. Ata të rinj, Serbia i ka sakrifikuar të gjithë, e numri i tyre ishte mbi 16 000 persona nga 18 e deri në 28 vjeç, kryesisht nga trevat që u okupuan në tetor-nëntor 1912, si rezultat i Luftës së Parë Ballkanike. (Hulumtojeni Koleksionin e Radniçke Novine 1913-1914). Serbia okupatore më 1918-1924 në Kampin e koncentrimit i kishte dërguar 630 familje shqiptare (familjarë nga familjet kryengritëse, gra, fëmijëve, pleq e plaka). Kulmi i krimeve gjenocidale (spastrim me detyrim) arrin më 1938, kur Mbretëria Jugosllave arriti ta akordojë një Konventë, me Republikën e Turqisë, për t`i deportuar në Anadolli të gjithë shqiptarët e Vilajetit Kosovës dhe Vilajetit Manastirit, deri mi më 1944. Në këtë deportim me dhunë ishin paraparë 40 000 familje. Për çdo familje të shpërngulur Jugosllavia dhe Turqia i kishin llogaritur pazaret e sakta.(vijon) 

(Kosova Sot)