Mona Liza shqiptare

  • 09 December 2018 - 08:28
Mona Liza shqiptare

Piktori Idromeno e realizoi veprën në moshën 23- vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare 

Pa mëdyshje, "Motra Tone" është portreti i parë realist me një shprehje të lartë psikologjike. Qëndrimi dhe realizimi i çdo detaji në këtë portret tregon individualitetin e mirëfilltë dhe tejet sensitiv të një vepre madhore në tërë veprimtarinë e arteve pamore shqiptare. Ajo, gjithsesi, qëndron stoike me imazhet e saj heroike.

Gjithsesi, veprimtaria e arteve pamore shqiptare në përgjithësi, është mjaft e dendur dhe e realizuar me përpikëri. Ajo në gjirin e saj pati piktor të kalibrit të lartë, që gjithsesi patën shprehje të mirëfilltë dhe shpërfaqjen të lartë përmbajtësore. Megjithatë, në tërë këtë krijimtari kolosale, duhet të dallohet portreti "Motra Tone" [75X60] i realizuar nga piktori Kol Idromeno në vitin 1883. Këtë portret, piktori Idromeno e realizoi në moshën 23-vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare. Zaten, mënyra e qëndrimit, realizimi me mjeshtëri i çdo detaji, drita e qetë që e përshkon të tërë figurën në përgjithësi dhe portretin në veçanti, është një bindje e fuqishme e piktorit në realizimin e këtij portreti madhor i cili pati ndikim nga piktura italiane e shekullit XVI-XVIIItë. Sipas G. Qëndro, "Tone Shkanjeti [Idromeno] motra e Kolës [një vit më e madhe se i vëllai], në vitin 1883 ishte 24- vjeçare, nëna e dy fëmijëve. Andrea [i shoqi] një nga intelektualët më të civilizuar të Shkodrës, i kishte kërkuar asaj të vishej me kostumin "ala franga", ndryshe nga nuset e tjera që mbanin kostume popullore. Ajo ia plotësoi porosinë të shoqit, por dëshirën më të madhe e kishte për kostumet e bukura shkodrane". Dhe, kështu në janar të vitit 1883, duke pozuar dita ditë radhazi, përpara të vëllait piktor, u realizua portreti i motrës Tone.

KRIJIMI I VEPRËS SË PARË REALISTE

Zaten, në kohën kur është realizuar portreti; piktori Idromeno dhe as motra Tone nuk ishin të vetëdijshëm se po realizohej piktura e parë realiste. Dhe, sigurisht, me këtë vepër do të shënohej fillimi i një faze të re në artin pamor shqiptar. Ajo vepër për shumë mote [vite] do të qëndronte e mbyllur në shtëpinë e Shkanjetëve. E pas vdekjes së motrës Tone [1890], piktori Idromeno e mori pikturën dhe në shenjë kujtimi për motrën e vendosi në shtëpinë e tij. Ky qëndrim i të "mbyllurit" i përngjet njësoj si historisë së tablos së "Mona Liza" që ishte e vendosur në shtëpinë e piktorit Leonardo, ashtu disa vite radhazi. Portreti "Motra Tone" i piktorit Idromeno, asnjëherë nuk është ekspozuar gjer sa ishte gjallë piktori dhe nuk ishte ekspozuar në asnjë ekspozitë që organizoheshin në atë kohë, sigurisht, bëhej nga kureshtja dhe korrektësia e piktorit duke e quajtur atë si "Portret familjar". Megjithatë, dihet mirëfilli se kjo vepër është ekspozuar për të parën herë pas 71 vjet pas krijimit të veprës. S'do mend se në fillim, ky portret është quajtur, pak më ndryshe, si "Portret i gruas shkodrane", e më vonë kur vepra erdhi në Galerinë Kombëtare [pas vitit1954] u emërua si "Motra Tone". Ky portret, nuk është pikturua në bazë të fantazisë, por në bazë të modelit të gjallë përpara. Gjithsesi, pikturimi i këtij portreti është realizuar në mënyrën më mjeshtrore. Ajo me sytë e saj sheh larg dhe shpreh dëshirën e madhe për të vështruar hapësirën përreth, e cila me dy gishtërinjtë e saj e ofron shaminë afër buzëve, që njëkohësisht tregon ndrojtjen e madhe që e ndjen femra shqiptare gjatë kohës kur ajo pozon gjatë pikturimit.

BALLAFAQIMI ME REALITETIN

Piktori Kol Idromeno njihet si piktori i parë i Rilindjes dhe sigurisht autori më i rëndësishëm i asaj kohe. Ai nuk ishte vetëm piktor, por ishte edhe skenograf, fotograf, arkitekt, muzikant; por ishte edhe nismëtar i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Motra Tone, kjo vepër , që u pikturua me një sensibilitet të lartë ravijëzimi dhe me një emocion të rrallë përjetimi të një personazhi real, është piktura e parë realiste. Dhe, gjithsesi, duke e vështruar me një vëmendje, pak më të lartë, ky portret sikur i ngjason Mona Lizës. E, pra, pse mos ta quajmë "Mona Liza" Shqiptare? Andaj, ky ballafaqim i realitetit, tregon përherë edhe atë krenarinë e femrës shqiptare e cila gjithherë ballafaqohet me realitetin jetësor. Dhe, në këtë rrjedhë, edhe mënyra e qëndrimit, realizimi dhe, besa, edhe studimi i çdo detaji, tregon atë baraspeshën kompozicionale të një portreti, gjithsesi madhor dhe me një shprehje të lartë të kreativitetit sensual e ndjesor. Pa dyshim, kjo rezonancë e shpërfaqjes së lartë kreativiteti, tregon edhe atë gjenialitetin e piktorit, sigurisht për t'na treguar edhe shëmbëlltyrën e femrës shqiptare, e në anën tjetër, për t'na treguar edhe stoicizmin dhe heroizmin e saj. Andaj, pa përjashtim, të gjitha këto, varg e vijë, tregojnë dendur shprehjen e lartë të këtij portret realist. Pa mëdyshje, ky portret sot e gjithë ditën, mbeti vepra më e rëndësishme dhe më e realizuar në artet tona pamore. E, ishte vepra e parë realiste, me një shprehje të lartë psikologjike. Zaten, gjithsesi, ky portret tregon individualitetin e mirëfilltë, sigurisht të një vepre madhore, në tërë veprimtarinë e bujshme në artet pamore shqiptare. Andaj, s'do mend, ajo gjithherë dhe përherë, qëndron stoike me imazhet e saj heroike. 

 

(Kosova Sot)