Aktori i madh alarmonte se mund t'i kishte infektuar me sëmundjen vdekjeprurëse

  • 11 December 2018 - 08:53
Aktori i madh alarmonte se mund t'i kishte infektuar me sëmundjen vdekjeprurëse

"Kemi bërë seks tash vonë dhe... unë mund të jem i prekur nga sida" 

Hamshori i viteve 1950, i cili e kaloi tërë jetën si homoseksual i fshehtë, iu dërgoi letra katër dashnorëve të tij, për të cilët kishte frikë se mund ta kishin marrë sëmundjen vdekjeprurëse nga ai. Por, këtë gjë e bëri në mënyrë anonime

Një libër i ri tregon se, para se të vdiste, aktori Rock Hudson iu dërgoi të dashurve të tij (meshkuj) letra prekëse, duke kërkuar nga ta që të testoheshin pasi që ai ishte diagnostikuar me sidë. Hamshori i viteve 1950, i cili e kaloi tërë jetën si homoseksual i fshehtë, iu dërgoi letra katër dashnorëve të tij, për të cilët kishte frikë se mund ta kishin marrë sëmundjen vdekjeprurëse nga ai. Por, këtë gjë e bëri në mënyrë anonime. Në letrat e botuara në librin e autorit Mark Griffin, me titull "All That Heaven Allows: A Biography of Rock Hudson", aktori shkruan: 'Kemi bërë seks tash vonë dhe unë jam informuar nga mjeku im se mund të jem prekur nga sida. Ju lutem shkoni te mjeku juaj dhe kontrollohuni".

Kurrë nuk e pranoi faktin se ishte prekur nga sida

Njëri ndër këta meshkuj kuptoi se letrën e kishte shkruar Hudson dhe ia shiti rrëfimin e tij një tabloidi, por ky rrëfim nuk u botua deri 18 muaj pas vdekjes së Hudsonit, në vitin 1985, duke e bërë atë figurë publike të krizës AIDS dhe duke e ndryshuar pikëpamjen e Amerikës rreth kësaj sëmundjeje. Sipas librit, Hudson ishte aq i prekur nga diagnoza me sidë, sa që i kishte thënë një mikut të tij se ndihej tepër 'i fëlliqtë' për këtë gjë. Gjatë muajve të tij të fundit, ai kishte shkuar në Paris, që të trajtohej me një ilaç eksperimental, të quajtur HPA-23, por miqtë e tij të afërt thonë se ai kurrë nuk e pranoi faktin se ishte prekur nga sida. Ata tregojnë se, në një rast, ai iu kishte thënë atyre: "Unë nuk e kam sidën. Nëse jam duke vdekur, kjo është për shkak të kancerit të mëlçisë". Libri flet edhe për dhembjen e brendshme të Hudsonit, për shkak se me dekada të tëra kishte bërë një jetë publike të një njeriu të dhënë pas femrave, derisa, në fakt, ai ishte homoseksual.

Hudson ishte i interesuar për meshkuj tepër burrërorë

Biografia e Hudsonit pritet që të shndërrohet në një film të madh, me regji të Greg Berlantit, i cili tash vonë bëri regjinë e një rrëfimi të dashurisë, të shkollës së mesme, rreth një adoleshenti që ishte homoseksual sekret, "Love, Simon". Disa nga skenat më shqetësuese kanë të ngjarë që të jenë marrë nga jeta e hershme rurale e Hudsonit, në Uinteka të Ilinoit, ku ai ishte rrahur nga njerku i tij, Wallace Fitzgerald. Ky i fundit ishte i vendosur që ta 'shëronte' Hudsonin nga homoseksualizmi, me dajak dhe duke e detyruar atë që të regjistrohej në "Boy Scouts". Hudson, i cili kishte lindur si Roy Harold Scherer, Jr, asnjëherë nuk fliste në intervista rreth fëmijërisë së tij. 'Që nga një moshë e re, ai kishte mësuar se mund të flisni sa të doni dhe si të doni, përderisa nuk e thoni atë që e ndjeni me të vërtetë dhe atë që doni me të vërtetë ta thoni', thotë autori i librit. Në janar të vitit 1944 Hudson u lajmërua vullnetar në marinë, i vendosur që të përpiqej të jetonte sikur që pritej nga një mashkull të jetonte. Por, sipas të gjitha gjasave, mu gjatë këtij shërbimi ai filloi që të bënte seks me meshkuj. Pasi që ishte liruar me nderime nga ky shërbim, në vitin 1946, Hudson kishte shkruar në dokumente se nuk kishte fëmijë, gjë që më pas ishte bërë objekt i kontroversave. Në vitin 2014, një grua e quajtur Susan Dent, 69 vjeçe, e paditi fondacionin "Hudson", duke kërkuar që të vërtetohej atësia e saj. Ajo nuk kërkonte para. Alice Waier, e bija e njerkut të Hudsonit, thoshte se ai kishte pranuar në disa letra se kishte një fëmijë sekret, me një shoqe të shkollës. Hudson më pas u zhvendos në Los Anxheles, me qëllim që të depërtonte në Hollivud, ku u takua me Kenneth Hodge, një asistent të produksionit, i cii do të bëhej dashnori i tij i parë i vërtetë. Hodge kishte 33 vjet kur u takuan, derisa Hudson vetëm 21 - me gjasë ky i fundit shihte te Hodge figurën atërore, e cila i mungoi tërë jetën. Griffin shkruan se si Hudson ishte i interesuar për meshkuj tepër burrërorë, të cilët identifikoheshin si heteroseksualë, apo të cilët 'hanin me dy lugë'. Aktorja Mamie Van Doren tregon sesi Hudson kishte sfiduar veten se a do të mund ta bënte për vete një mashkull heteroseksual dhe ajo thotë se nuk ka dyshim se ai ia kishte dalë.

 

(Kosova Sot)