Hart tërhiqet nga udhëheqja e ceremonisë së Oscarit

  • 11 December 2018 - 08:55
Hart tërhiqet nga udhëheqja e ceremonisë së Oscarit

Nuk mbarojnë asnjëherë befasitë që kanë të bëjnë me natën e madhe të çmimeve Oscar. Vetëm pak ditë pasi kishte zyrtarizuar përfshirjen e tij si prezantues së natën e madhe, aktori komik Kevin Hart njoftoi përmes një postimi në "Instagram" tërheqjen e tij nga prezantimi i këtij eventi. Lajmi i bujshëm vjen si pasojë e polemikave në rrjetet sociale mbi disa statuse në "Twitter" që aktori kishte shpërndarë vite më parë, dhe që ironizonin komunitetin LGBT.

"Nuk dua të shpërqendroj vëmendjen nga një natë që do të festohet nga shumë aktorë të mrekullueshëm. Më vjen keq dhe i kërkoj falje komunitetit LGBT për pandjeshmërinë e fjalëve të mia në të kaluarën", ka shkruar Hart në "Instagram". Fjalët e akuzuara datojnë në vitet midis 2009 dhe 2011, por me sa duket do ti kushtojnë aktorit të Jumanji dhe Scary Movie ndoshta performancën më të rëndësishme të karrierës së tij, që vetëm një javë më parë cilësonte si "një ëndërr, një nga prioritetet e karrierës time".

 

(Kosova Sot)