Ridvan Dibra, kandidati shqiptar për Çmimin Letrar "Balkanika 2017"

  • 11 December 2018 - 14:40
Ridvan Dibra, kandidati shqiptar për Çmimin Letrar

Shkrimtari shqiptar, Ridvan Dibra, autor i mbi njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë e studime letrare, si një prej zërave më të rëndësishëm e novatorë të letërsisë shqipe pas viteve '90, do të përfaqësojë këtë vit letërsinë shqipe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe letrare për rajonin e Ballkanit, që mban emrin simbolik "Balkanika", me romanin e tij "Legjenda e vetmisë" (botuar në shqip nga Shtëpia Botuese "Onufri").

Këtë vit, kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do të organizohet në Bukuresht të Rumanisë, më 15 dhjetor 2018, ndërkohë që juria ndërkombëtare do të mblidhet për të diskutuar dhe vendosur për veprën më të mirë të botuar në rajonin e Ballkanit, në datat 13-15 dhjetor. Përfaqësuese e Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare është Bisej Kapo. Botimet Toena si pjesë e Fondacionit "Balkanika" (me qendër në Sofie) organizojnë mbledhjen dhe funksionimin e jurisë kombëtare që vendos çdo vit për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë kompeticion letrar ballkanik.

 

(Kosova Sot)