Kroacia, Sllovenia, Italia dhe Kosova, film për ilirët

  • 14 December 2018 - 16:03
Kroacia, Sllovenia, Italia dhe Kosova, film për ilirët

Populli i lashtë i Gadishullit Ballkanik, ilirët, përkundër që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë e arkeologjisë, nuk kanë pasur një trajtim të njëjtë edhe në kinematografi.

Këtë zbrazëti tenton ta plotësojë së shpejti projekti filmik i titulluar "Illyricvm" ku producente kryesore e filmit është Ankica Tilic, një emër i njohur i kinematografisë evropiane, ndërsa skenari dhe regjia janë nga Simon Bogojevic Narath.

Projekti "Illyricvm" shënon bashkëpunimin produksioneve mes Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kosovës. Buka Production nga Kosova është përzgjedhur që të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi me producentë të vendeve të tjera, ndërsa filmi është subvencionuar si kooproduksion minor nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Puna rreth konceptit të filmit ka filluar që gjashtë vjet, ndërsa vitin tjetër do të fillojë realizimi i tij, duke përfshirë në kastën e aktorëve edhe aktorë nga Kosova, audicioni i të cilëve është zhvilluar këto ditë në Prishtinë.

Xhirimet e tij do të fillojnë në fillim të korrikut, ndërsa janë planifikuar që të zgjasin rreth një muaj. Pamjet do të xhirohen në Kroaci dhe Itali. Producenti kosovar Fatmir Spahiu tregoi se ftesën për këtë projekt e ka marrë nga producentja e njohur evropiane Ankica Tilic, që vjen nga produksioni Kinorama.

 

(Kosova Sot)