'Po' themelimit të shkollës kombëtare të baletit

  • 15 December 2018 - 12:58
'Po' themelimit të shkollës kombëtare të baletit

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Kjo shkollë do të bënte pjesë në grupin e shkollave të profilizuara profesionale 

Baleti i Kosovës nuk mund të mbetet me balerinët dhe balerinat e përhershme, por duhet të merr e ushtrojë vazhdimisht balerinët dhe balerinat si kuadro të reja. Rekrutimi i Trupës së Baletit duhet të bëhet me baza profesionale, me konkurse publike dhe me kritere rigoroze meritokratike. Kosova përmes themelimit të një Shkolle Kombëtare të Baletit të Kosovës (SHKBK), mund të krijojë një traditë profesionale dhe akademike mbi baletin, pasi që tashmë Kosova vlon nga shkolla me profile të ndryshme profesionale, me karakter privat e publik, por jo edhe të drejtimit të baletit. Traditë për balet qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovës, ka pasur kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, por tash janë rrethanat e tjera e të reja, që na lehtësojnë më shumë punën. Ka disa kurse private të vallëzimit balet, por këto përfshijnë vetëm aspektet praktike të ushtrimeve, me karakter direkt komercial; jo me kurrikula formale, shkollore e akademike; as me licencime nga MASHT për të marrë diploma të llojit formal arsimor etj. Kurset private janë intensive, të shkurtra, pa u zhytur në teori, por me qëllime të zotërimit të aftësive më themelore e më funksionale. Kurset private të gjuhës angleze apo gjermane nuk mund ta zëvendësojnë Fakultetin e Filologjisë, por mund ta plotësojnë atë. Zakonisht një kosovar që interesohet për të shkuar për bashkim familjar në Gjermani, kryesisht ndjekë kurset e gjermanishtes, sesa të regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë - Gjuhë dhe Letërsi Gjermane. Edhe me kurset e baletit, fëmijët tanë bëhen vitalë, nuk e çojnë kohën kot, zhvillojnë aftësitë e talentet e tyre, por kurset nuk e zëvendësojnë një shkollë baleti dhe jo domosdoshmërisht na përgatisin kuadro për t'ia besuar Baletin e Kosovës.

QËLLIMET E THEMELIMIT TË SHKBK-SË

Qëllimet e themelimit të SHKBK-së janë deklaruar edhe në kërkesën e Ministrit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), Kujtim Gashit, drejtuar Ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT): "Kosova, për momentin ka një trupë të vogël të Baletit në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe pse shumë profesionale dhe që ka dëshmuar vetën në shumë shfaqje në Kosovë dhe në shumë qendra të Evropës me performanca artistike dhe profesionale, si dhe në shumë bashkëpunime ndërkombëtare"…"(Shih lajmin në linkun zyrtar të MKRS-sës: https://www.mkrsks.org/?page=1,6,1958#.XBLe34tKjIU) Ndërsa sa i përket modelit për këtë shkollë, ministri ka përmendur Shkollën Kombëtare të Baletit në Shqipëri: "Në lidhje me strukturën dhe veprimtarinë e përgjithshme të shkollës mund të themelojmë një grup të përbashkët, i cili grup punues do të përgatiste në detale organogramin e shkollës si dhe veprimtarinë e saj, si model mund ta marrim shkollën Kombëtare të Baletit në Shqipëri…" (Po aty)

SHKOLLA NË VARTËSI TË DY MINISTRIVE APO VEÇ MASHT-IT

Sikurse MKRS-ja që ka institucionet e saj vartëse kulturore: Teatri Kombëtar i Kosovës, Galeria e Arteve të Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "SHOTA" etj., ashtu edhe SHKBKja mund të jetë vartëse e kësaj ministrie, por edhe MASHT-it, pasi kjo e fundit ka nën përgjegjësi bashkë me komunat përkatëse, edhe shumë shkolla të tjera të karakterit profesional, shkollat e mesme publike të arteve pamore etj. Prandaj, me të drejtë, MASHT-i mund ta marrë përgjegjësinë për themelimin e SHKBK-së, por të bashkëpunojë ngushtë edhe me MASHT-in dhe Baletin e Kosovës, sikurse duhet të ketë bashkëpunime ndërministrore dhe ndërinstitucionale edhe për fusha të tjera. FINANCIMI I SHKBK-SË Duhet bërë një analizë buxhetore sa do të kushtonte ndërtimi i një objekti special për SHKBK-në, pasi kjo shkollë kërkon kushte të posaçme, parket të ndjeshëm për kërcimtarët balerinë e balerina, sallat e mëdha etj. Do të mund të mendohej edhe për një objekt të vetëm me disa blloqe ndërtimi apo anekse, bashkërisht me Shtëpinë e Operës dhe Baletit, ngjashëm sikur është Fakulteti i Mjekësisë i ndërlidhur edhe me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe klinikat e ndryshme në Prishtinë. Edhe ndaras mund të jetë më mirë, por po flasim për nxitje të diskutimit rreth racionalizimit të parasë së këtij buxheti të varfër kosovar dhe dhënien e alternativave. Kur e dimë se sa shumë mori kohë dhe u zvarrit mbi një dekadë, ndërtimi i objektit për Operë dhe Balet, atëherë gjasat janë për të na zemëruar edhe me fillimet e ndërtimit të një SHKBK-je. Ministri përmendi Grupin Punues dhe organogramin e shkollës në kërkesën drejtuar MASHT-it. Shumë më lehtë është veç ndërtimi i objektit të SHKBK-së, sesa edhe mirëmbajtja financiare e saj, paratë për stafin akademik, mungesa e stafit të mjaftueshëm akademik, ndarja e bursave për orientim akademik në fushat deficitare sikurse baleti, infrastruktura përcjellëse etj. Edhe nëse mund ta marrim modelin nga Shqipëria, apo edhe të bashkëpunojmë me stafin e tyre, sërish ka vlerë të rëndësishme financiare dhe duhet kalkuluar. Investimet në shkollat e tilla të vallëzimit, janë investime edhe për shëndet, tërheqje kah e bukura dhe menaxhim të kohës së lirë për qëllime të larta estetike-koreografike të fëmijëve tanë, si dhe arritje të performancës dhe suksesit të mëtejshëm të Baletit të Kosovës në performanca jashtë vendit, me balerinët dhe balerinat e reja në vazhdimësi. Po ashtu, do të duhej të vendosej një kolonë për thirrje sponsorimi sistematik, sikurse e kanë shumë shkolla baleti në botë. Ta zëmë, Shkolla Kombëtare e Baletit në Kanada, ka rubrikën e dhurimit të donacioneve, por edhe përmend aq shumë organizata dhe institucione qeveritare e joqeveritare që e mbështesin financiarisht këtë shkollë! Shkolla kushton financiarisht edhe për përpilimin e kurrikulave dhe plan-programeve të reja, duke i angazhuar ekspertët e kurrikulës, në shkrimin e kurrikulimit për shkollën e re të baletit.

NIVELET E SHKOLLIMIT PËR BALET

Ka praktika të ndryshme të dërgimit të fëmijëve që nga moshat e hershme për balet, përkatësisht prej klasës së parë e gjer në klasën e dymbëdhjetë. Kjo shkollë do të bënte pjesë në grupin e shkollave të profilizuara profesionale, që nga klasat e para. Do të bëhej një kurrikulë e re vetëm për të nga MASHT. Por shkolla do të duhej të ishte me mundësi të arsimimit nga mosha 6 vjeç e gjer në moshën 18 vjeç, për të qenë pastaj nën kujdesin e Baletit të Kosovës, pasi që nuk mund të hapet në fillim vetëm cikli fillor i SHKBK-së, e më pas cikli i mesëm i ulët dhe i lartë, sepse sapo do të pushonin prej klasës VI-XII, atëherë do të mund të pushonin aktivitetin dhe të tërhiqeshin ndoshta krejt nga profesioni i balerinit dhe balerinës. Shkolla duhet të themelohet që në fillim nga klasa I e gjer në klasën e XII. Kjo do të kishte çmimin e vet, por edhe do të mund të mendohej që në fillim, se nxënësit do të mund të paguanin, me përjashtim të rasteve me asistencë sociale, në mënyrë që mos të privohej ndonjë talent, vetëm se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare. Edhe pse, më shumë e mbështes idenë që SHKBK të themelohet dhe të financohet nga dy ministritë, MASHT dhe MKRS, shoqëruar edhe me ndonjë tarifë krejt simbolike për nxënësit që kanë status të mirë socio-ekonomik.

MODELET E SHKOLLAVE TË BALETIT

Unë kam përcjellë punën e Shkollës Kombëtare të Baletit në Kanada (SHKBK). "Themeluar në vitin 1959 nga Beti Olifant dhe Sellia Franca, Shkolla Kombëtare e Baletit në Kanada (NBS) është një nga institucionet kryesore të trajnimit në botë për kërcimtarë dhe mësues të rinj. Duke tërhequr studentë nga mbarë vendi dhe rreth botës, NBSja është e vetmja akademi baleti në Amerikën e Veriut për të ofruar trajnime elite vallëzimi, instruksion akademik dhe kujdes rezidencial në të njëjtin kampus. Kurrikula progresive e shkollës, me theks të veçantë në mirëqenien fizike dhe emocionale të nxënësve, e ka vënë NBS në ballë të trajnim vallëzimit ndërkombëtarisht. Talenti është kriteri i vetëm për pranimin në Programin e Baletit Profesional të NBS. NBS gjithashtu ofron një Program profesional të Trajnimit të Mësimdhënësve, një Programi të Mentorimit të Muzikantëve dhe Klasave të Komunitetit për të dytë, fëmijët dhe të rriturit. 'Programi Asoshiejtis' ofron klasa pas shkollës dhe në fundjavë për nxënësit në moshën 6 deri në 17 vjeç, ndërsa Programi i njohur i Baletit të të Rriturve të Shkollës ofron klasa në mbrëmje dhe në fundjavë për të rriturit e të gjitha niveleve të fitnesit dhe përvojës së vallëzimit." (Faqja zyrtare e Shkollës Kombëtare të Baletit në Kanada në linkun: https://www.nbs-enb.ca/About-NBS) Ajo që më ka bërë shumë përshtypje, e të cilin model do të duhej ta ndiqnin edhe në SHKBK-në tonë të ardhshme, do të ishte zgjerimi i atyre qëllimeve të ngushta të Ministrit të MKRS-së në kërkesën ndaj MASHT-it. Nuk mund të jetë qëllimi i vetëm i themelimit të SHKBK-së, përgatitja e kuadrove të reja të Baletit të Kosovës, por shumë më kaq se kjo. Le të marrim mësime nga Shkolla Kombëtare e Baletit të Kanadasë: "NBS është në ballë të shkollave profesionale të baletit për të ofruar një gamë të gjerë dhe të larmishme të programeve të komunitetit që përmirësojnë shëndetin dhe cilësinë e jetës për njerëzit e të gjitha moshave dhe aftësive. Përmes programit "Sharing Dance", NBS-ja promovon pjesëmarrjen e gjerë të publikut në vallëzim, duke ofruar aktivitete vallëzimi për fëmijët e shkollave publike, të rriturit dhe të moshuarit, përfshirë ata që jetojnë me Sëmundjen e Parkinsonit ose demencia…(Po aty)

MODELI KANADEZ I SHKOLLËS KOMBËTARE TË BALETIT

Kurrikula e SHKBK-së do të duhej të mos kufizohej vetëm në ushtrime praktike, por edhe të mësonte teoritikisht, nxënësit e kësaj shkolle të nesërme. Aty do të mund të mësonin për historinë e baletit, për anatominë e trupit të njeriut dhe kinestetikën etj. "Pedagogjia e trajnimit të valleve të NBS është unike për NBS dhe integron elementë nga metodat më të mira të trajnimit të baletit klasik dhe progresiv, vallëzim bashkëkohor dhe përparimet më të fundit në shkencën e lëvizjes. Përveç baletit, nxënësit në NBS marrin mësime në repertorin dhe teknikën bashkëkohore, improvizim, vallëzimin klasik indian, dramë dhe ekspresivitetin, vallëzim historik… dhe anatomi, si dhe klasa baleti duke u fokusuar në variacionet, repertorin… Programi i vallëzimit rritet më tej përmes përdorimit të mësuesve të ftuar ndërkombëtarisht. Gjithashtu, nxënësit në klasat e larta inkurajohen që të përfitojnë nga programet e shkëmbimit që NBS-ja ka në vend me rrjetin e tij të 24 shkollave partnere ndërkombëtare."(Po aty) Përveç anës kurrikulare, Shkolla Kombëtare e Baletit në Kanada, ka edhe staf, jo direkt të profesionit, sikurse janë fizioterapistët… "Specialistët - duke përfshirë fizioterapistët në vend, mjekët, psikiatërit, punonjësit socialë dhe nutricistët - ofrojnë udhëzime mbi tema të tilla si: parandalimi i lëndimeve, ushqimi, shëndeti mendor dhe emocional, palestër personale dhe mënyra e jetesës. Konsulentët janë gjithashtu në dispozicion të nxënësve individualë sipas kërkesës. Për nxënësit rezidentë, një pediatër është në thirrje dhe konsultohet sipas nevojës…" (Po aty) Në Shkollën Kombëtare të Baletit të Kanadasë, në vitin e parë: "Nxënësit gjithashtu do të mësojnë bazat e anatomisë, muzikës, pedagogjisë së baletit dhe historisë së valleve dhe artit si themeli i trajnimit të tyre… Viti II… të ndjekin rregullisht stërvitjen e valltarëve profesionistë në programin e baletit profesional me orar të plotë. Në vitin III, theksi është në aplikimin praktik në studio." Disa nga lëndët e kësaj shkolle janë: Teknikat e Baletit, Komunikimet, Anatomia, Historia e valleve, Historia e baletit, Muzika etj.

FUND

"Po" themelimit të Shkollës Kombëtare të Baletit të Kosovës! Veç kur të merret vendimi, mos të zvarritet sikurse ndërtimi i Shtëpisë për Operë dhe Balet "Ibrahim Rugova"! Po bëhen 10 vjet dhe objekti ende është shumë larg realizimit. Bile, ende diskutohet se ku do të ndërtohet! Sa absurde dhe e papërgjegjshme!

 

(Kosova Sot)