Kujdesi për fëmijët bonjakë

  • 16 December 2018 - 18:42
Kujdesi për fëmijët bonjakë

Vazhdimet e vonuara të Hollivudit së fundmi më shumë kanë dështuar, sesa që kanë pasur sukses, por "Disney" e largon këtë ogur të keq me filmin "Mary Poppins Returns", një film të kënaqshëm muzikor, i cili vazhdon dhe ndërlidhet me filmin origjinal prej më shumë se gjysmë shekulli më parë, në vitin 1964. Duke ruajtur frymën e filmit origjinal, por edhe duke sjellë elemente të reja dhe të freskëta, ky film sjell si nostalgji, po ashtu edhe risi. Me një ekip të kompletuar, si dhe me këngë të bukura nga Marc Shaiman dhe Scott Wittman, që i shtohen kontributit të çmueshëm të vëllezërve Sherman. Regjisori Rob Marshall ka pasuruar repertorin e filmit me këngë të reja, që kanë dalë gjatë periudhës prej dy dekadave të fundit, duke përfshirë edhe hitet e njohura, si "Chicago" dhe "Into the Woods", duke mos harruar as "Nine". Kjo përvojë, si dhe prapavija e Marshallit si performues në skenë, koreograf dhe regjisor, pasqyrohen në filmin e tij të parë origjinal muzikor të bërë për ekran të madh, duke sjellë kështu, me gjasë, filmin më të suksesshëm të tij deri më tani.

KY MUND TË JETË NJË FILM PAKSA I GJATË PËR FËMIJËT E VEGJËL

Pa marrë parasysh a eksplodon në numra të mëdhenj të produksionit, apo mbyllet në skenat intime të një familjeje në krizë, ky vazhdim përshtatë një formulë të dëshmuar kohore të "Disney"-t që kombinon gëzimin dhe imagjinatën e fëmijërisë me një shtresë së melankolisë. Sentimentaliteti i kohëve të kaluara sjell një buzëqeshje në fytyrën tuaj, por edhe ndonjë lot në sytë tuaj. Të gjitha këto elemente duhet ta bëjnë këtë kreacion një film të suksesshëm familjar, jo vetëm për këtë sezon, por edhe për vitet që vijnë. Me një kohëzgjatje prej 130 minutash, ky mund të jetë një film paksa i gjatë për fëmijët e vegjël, por filmi origjinal "Mary Poppins" ishte edhe më i gjatë, duke mos paraqitur kurrë problem një gjë e tillë për popullaritetin e filmit. Emily Blunt me plot të drejtë mund të krenohet se është pasuese e denjë e Julie Andrews. Me diksionin e saj të thuktë, me qëndrimin e drejtë dhe me një logjikshmëri në çdo lëvizje të saj, përpos kompetencës, ajo sjell edhe butësi, derisa përkujdeset për tre fëmijët e Michael-it, të sapombetur jetimë - binjakët John dhe Annabel (Nathanael Saleh, Pixie Davies) dhe vëllanë e tyre më të ri, Georgie (Joel Dawson). Sikur edhe në filmin e mëparshëm dhe në rrëfimet P.L. Travers, të cilët i frymëzuan të dy filmat, Mary Poppins vjen në kohë të duhur për t'u përkujdesur për këta fëmijë. Në vitin 1964, nevoja që e kërkonte një gjë të tillë ishte mungesa e dashurisë nga i ati i dhënë pas punës; këtu, në filmin e ri, kemi të bëjmë me mungesën më të rëndë të nënës së tyre, tanimë të ndjerë. Skenaristi David Magee, duke punuar nga një rrëfim të cilin ai e kishte zhvilluar me kolegët Marshall dhe John DeLuca, nuk sjell vetëm ndjenjat e fëmijëve, por edhe mërzinë që ndjen Michael. Kjo është shprehur në një monolog të dashur, të quajtur "A Conversation", të recituar/kënduar nga Whishaw, me ndjenja të thella. 

PERFOMANCA PREKËSE

Pikëllimi për gruan e vdekur ka bërë që Michael të bëhet tejet i paaftë për të kryer obligimet e tij të përditshme, aq sa ka mbetur prapa edhe me pagimin e faturave. Një shtëpi plot me kujtime, tani rrezikon që të konfiskohet nga banka "Fidelity Fiduciary", ku ai gjeti punë pasi që nuk ishte më në gjendje që të fitonte për bukë, si artist. Ky institucion i nderuar financiar udhëhiqet nga William Weatherall Wilkins (Colin Firth), një djall mashtrues, i cili nuk mërzitet fort rreth interesit të klientëve të bankës. Shpresa e vetme e Michael-it janë aksionet e "Fidelity"-s të cilat i ati ia kishte lënë atij dhe Jane-s, vetëm sikur të mund ta gjejnë certifikatën e cila iu mungon. Por, nuk është situata krejt e zezë, meqë Mary Poppins dhe fëmijët gradualisht iu bashkohen përpjekjeve të Michaelit dhe Janes për ta gjetur dokumentin e zhdukur. Në këto momente filmi merr njëfarë ngjashmërie me filmat "Harry Potter". Por, karakteristikë e këtij filmi është mënyra diskrete me të cilën Mary Poppins mban krahët e saj të engjëllit. Duke i drejtuar ata në drejtim të duhur, ajo iu ndihmon pjesëtarëve të familjes Banks për ta shpëtuar vetveten. Performanca e saj është e mrekullueshme. Në çdo hap, Mary Poppins ndihmohet nga miku i saj i vjetër, Jack (Lin-Manuel Miranda). Roli i tij si trashëgues shpirtëror i personazhit Dick Van Dyke, është i qartë që nga fillimi i filmit. Krahas Bluntit dhe Mirandës, të cilët bartin barrën kryesore në këtë film me një karizëm natyrore, Whishaw meriton që të përmendet veçanërisht për një performancë me të vërtetë prekëse, të një njeriu 'të thyer', i cili mësohet që të jetojë përsëri. Julie Walters dallohet me rolin e saj të shtëpiakes së kahershme të familjes Banks. 

 

(Kosova Sot)