Si e mori Samuel Beckett çmimin 'Nobel' në vitin 1969?

  • 13 January 2019 - 17:06
Si e mori Samuel Beckett çmimin 'Nobel' në vitin 1969?

Samuel Beckett mori çmimin 'Nobel' në literaturë, në vitin 1969, por disa dokumente, të bëra publike vetëm tani, tregojnë se, vetëm një vit më herët, komiteti sekret i cili përzgjedhë fituesit, kishte pasur shqetësime serioze rreth asaj se a do të ishte shpërblimi i Beckett-it në frymë të shpërblimit 'Nobel'. Në testamentin e Alfred Nobelit thuhet se shpërblimi i jepet autorit i cili ka shkruar "veprën më të dalluar në një drejtim ideal". Fituesi shpallet çdo vit nga anëtarët e Akademisë suedeze, ku qëndrimet e anëtarëve janë mbajtur sekret tash e 50 vjet. dokumentet e bëra publike tani tregojnë sesi kryesuesi i komitetit, Anders Osterling, ndër tjerash kishte thënë: "në lidhje me Samuel Beckett-in, për fat të keq më duhet të mbaj dyshimet e mia themelore. Natyrisht, nuk e mohoj efektin artistik të dramave të Beckett-it, por satira mizantropie (e llojit Swift), ose pesimizmi radikal (i llojit Leopardi) ka një zemër të fuqishme, gjë që, sipas mendimit tim, i mungon Beckettit", shkruante Osterling. Ai më parë kishte mohuar mundësinë që autori i librit "Duke pritur Godonë" ta merrte çmimin 'Nobel' në vitin 1964, kur kishte thënë se "çmimin Nobel për të do ta konsideronte si një absurditet të llojit të vet". 

PRETENDENTI SERIOZ

Beckett ishte i preferuar nga anëtarët e tjerë të komitetit në vitin 1968, të cilët kishin lavdëruar "mëshirën njerëzore që frymëzon veprat e tij". Ndër pretendentët e tjerë kryesorë për këtë shpërbmil atë vit ishin edhe romancieri francez Andre Malraux, poeti britanik WH Auden dhe romancieri japonez Yasunari Kawabata. Emra të tjerë, të përmendur për çmimin kryesor global në vitin 1968, përfshinin edhe Ezra Pound dhe EM Forster - ku që të dy këta u refuzuan për shkak të moshës së shtyrë - Chinua Achebe, Charles de Gaulle and Graham Greene. Vladimir Nabokov përsëri ishte lënë anash nga një juri e cila më parë e kishte përshkruar romanin e tij "Lolita" si të pamoralshëm dhe tani nuk donte ta ndryshonte mendimin. Pretendenti për çmimin letrar ishte Eugène Ionesco, i cili vlerësohej për risinë që kishte sjellë në dramën moderne, por nuk ishte përzgjedhur, për shkak të natyrës kontroverse të punës së tij. Shkrimtari australian Patrick White, i cili pesë vjet më pas do ta merrte Nobelin, edhe në vitin 1968 ishte pretendent serioz. Komiteti kishte lavdëruar librin e tij "të mrekullueshëm", "The Tree of Man", duke thënë se White do të mund të bëhej "përfaqësuesi i parë i përhershëm i kontinentit të pestë në literaturë". Österling kishte insistuar për përzgjedhjen e Malraux përkundër pozitës së autorit si ministër i kulturës në qeverinë e De Gaulle-it, por kishte shtuar se një çmim për Kawabatan "do të ishte i justifikuar dhe i mirëseardhur', sikur edhe për Audenin, edhe pse intensiteti i poezive të tij kishte rënë kohët e fundit. Kawabata do të dilte triumfues, i lavdëruar nga juria "për zotësinë e narrativës, e cila me një sensibilitet të lartë shpreh esencën e mendjes japoneze".

SHPRESË SE AKADEMIA DO TË BËHET TRANSPARENTE

Përkundër rezervave të Osterlingut, Beckett do të fitonte një vit më pas, "për shkrimin e tij i cili, në forma të reja për novelë dhe dramë, në mungesë të njeriut modern e fiton ngritjen e vet". Auden, Malraux, Achebe, Pound, De Gaulle, Greene dhe Forster nuk fituan kurrë. Embargoja 50-vjeçare ndaj dokumenteve ku shprehen mendimet e anëtarëve të jurisë, d.m.th. se na duhet që të presim deri në vitin 2066 për të lexuar negociatat që ishin bërë me rastin e shpërblimit të Bob Dylanit si fitues të çmimit 'Nobel' në letërsi, në vitin 2016. Por, arkivat për vitin 2018 kanë të ngjarë që të duken më pak 'iluminues' në vitin 2068: Çmimi 'Nobel' për letërsi nuk ishte ndarë vitin e kaluar pasi që Akademia suedeze ishte goditur nga një skandal. Jean-Claude Arnault, burri i anëtares së akademisë, Katarina Frostenson, ishte akuzuar për sulm seksual, i cili më pas u dënua për dhunim dhe u dënua me burg. Pasoi një valë dorëheqjesh në akademi rreth trajtimit të akuzave dhe, njëzëri ishte vendosur që të shtyhej çmimi për një vit për shkak të "zvogëlimit të besimit të publikut". Fondacioni "Nobel", i cili e financon çmimin, ka thënë se shpreson që akademia të bëhet më transparente, derisa drejtori ekzekutiv Lars Heikensten ka shtuar: "Akademia ka kultivuar një kulturë të mbyllur për një periudhë të gjatë kohore. Kjo duhej të sfidohej, herët apo vonë".

 

(Kosova Sot)