Miranda Hashani: Institucionet shtetërore të painteresuara për t'i ruajtur vlerat artistike

  • 13 January 2019 - 21:54
Miranda Hashani: Institucionet shtetërore të painteresuara për t'i ruajtur vlerat artistike

Në një prononcim për "Kosova Sot", këngëtarja Miranda Hashani ka potencuar se e drejta e autorit duhet të mbrohet me ligj. "Sa kam informacion unë, për këtë punë e di që në Kosovë ky ligj nuk funksionon. Më besoni që unë nuk kam ndonjë fuqi për t'i ndaluar. Është e vërtetë që dëmtohemi shumë, por ky është realiteti në Kosovë. Nuk jam e vetmja.

E di që kompozitori i nderuar Florent Boshnjaku ka vite që bën një luftë me institucionet, ka investuar shumë për t'u realizuar dhe për të funksionuar mbrojtja e së drejtës autoriale, por nuk ia ka dalë deri sot. Koha na ka shkelur, është dashur që moti kjo të funksionojë.

Me ligj duhet të merren masa gjithsesi, por nuk e di çka është duke ndodhur në këtë vend. As që kam pasur ndonjëherë mbështetje, me shumë keqardhje e them. Jo rastësisht ka ardhur arti dhe kultura në Kosovë në këtë gjendje ku është, edhe muzika, këngët e pavlera që dëgjojmë kudo, me tekste banale, e të rinjtë dhe fëmijët po edukohen pikërisht nga kjo muzikë, që është për të ardhur keq.

Ne vetë po e fundosim vlerën artistike që ka populli e vendi ynë, duke u treguar institucionet shtetërore të painteresuara për t'i ruajtur. Në medie nuk ka censurë, fliten e këndohen fjalë që deri dje në shoqëri i kemi pasur të ndaluara. Një popull në botë në të shumtën e rasteve njihet më së miri nëpërmjet artit, kulturës dhe sportit, jo përmes politikës e ekonomisë. Ne edhe atë vlerë që kishim dikur s'e kemi më", thekson ajo. Hashani shpreson që sa më shpejt dikush të marrë në duar e ta kthejë për së mbari këtë gjendje në kulturën tonë në përgjithësi.

Temën e plotë, mund ta lexoni në linkun e shënuar:

https://kosova-sot.info/kulture/345919/lulezimiipirateriseshkaktonkaostekartistetfoto/

(Kosova Sot)