Shkrimtarët shkruajnë romane të lodhura

  • 16 January 2019 - 15:55
Shkrimtarët shkruajnë romane të lodhura

A ËSHTË ENDE LETËRSIA SHQIPE NË TRANZICION?

Shala: Duket se çdo gjë sillet në një qark të mbyllur

 

"Kemi shkrimtarë më shumë të 'Facebook'-ut sesa artistë të sinqertë. Fundja, letërsia e Kadaresë dhe Agollit është pak e vjetruar për kohën tonë. Shkrimtarët e sotëm duhet të mendojnë për të ardhmen e jo për historinë. Shkrimtarëve tanë u mungojnë elemente nga shkenca. Shkrimtarët nuk duhet ta kenë atë frikën se a janë më të mirë se Kadare, Agolli apo Pashku. Përparësia e tyre duhet të jetë se jetojnë në të sotmen, me idetë e reja për të ardhmen", thotë për gazetën "Kosova Sot" shkrimtari Ilir Muharremi

Njëtrajtshëm me shoqërinë, edhe letërsia shqipe, si pasqyrë e realitetit në të cilin zhvillohet, ka pësuar tranzicionin e saj, prej të cilit duket se po e rimerr veten duke ofruar autorë të rinj me tituj tendenciozë. Pas periudhës së dominimit të realizmit socialist, ku parulla i zuri vendin estetikës së mirëfilltë letrare, ishin të paktë ata shkrimtarë që i mbijetuan ndryshimit të sistemit, ndërsa shumë shkrimtarë të rinj e patën të vështirë të fitonin vëmendjen e lexuesit. Ndoshta, duke rënë pre e adhurimit për atë që vinte nga jashtë, vëmendja kryesore e publikut u përqendrua në shkrimtarët e huaj, qofshin këta nobelistë apo komercialë, duke lënë në harresë krijimtarinë vendase. Por, a kemi një rikthim të letërsisë shqipe? A po shkruhet dhe po lexohet letërsia shqipe këto vite? Sa e kanë përfshirë edhe letërsinë kriza dhe tranzicioni që kanë kaluar shoqëria dhe ekonomia shqiptare në këta 25 vjet, flasin njerëzit kompetentë të artit të të shkruarit.

Shala: Secili shkrimtar krijon në një epokë të caktuar

Image

Në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesja Zyrafete Shala, lidhur me temën e artikuluar, ka potencuar: "Kur kemi parasysh faktin se krijimtaria letrare është artikuluese e dëshirave, ëndrrave, vizioneve dhe mendësisë së popullit në një epoke të caktuar, atëherë është e qartë pse edhe letërsia shqipe ka kaluar nëpër kriza dhe etapa të tranzicionit, duke i përcjellë kështu zhvillimet e shoqërisë sonë."Dihet se dekadat e fundit karakterizohen me ndryshime të hovshme në rrafshin politik dhe shoqëror, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Breza të tërë për shekuj me radhë kanë ëndërruar ndryshimet rrënjësore historike, mirëpo arritja e tyre sikur na gjeti të papërgatitur, apo edhe nuk ishin ato që i kemi kërkuar. Është e vërtetë që përshtatja në rrethanat e krijuara është një proces që kërkon kohë, por ne befasi jemi gjetur në një kaos vlerash, shijesh, rrymash, stilesh, mendimesh, drejtimesh dhe jo vetëm që nuk po arrijmë të gjejmë një orientim i qartë, por ende nuk po arrijmë të bëjmë një ndarje mes vlerave dhe antivlerave. Është e natyrshme që zhvillimet e shoqërisë dhe ndryshimet që pëson ajo të reflektohen edhe në krijimtarinë letrare, sepse edhe krijuesit, sado që kanë dhuntinë të ngjizin një botë të veten, fiktive, "lëndën e parë" e marrin po nga ky mjedis, prandaj krizën që po dominon në çdo sferë të jetës e kemi edhe në letërsi. Duket se çdo gjë sillet në një qark të mbyllur, nga i cili vështirë mund të dilet. Megjithatë nuk mund të bëhen përgjithësime edhe kur flitet për këtë periudhë, sepse gjithnjë ka përjashtime", u shpreh ajo. Pyetjes se a kemi shkrimtarë të rinj sot që mund t'i afrohen penës së Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit apo Anton Pashkut shala përgjigjet se nuk e di se sa mund të konsiderohet i drejtë një krahasim i tillë, kur dihet se secili shkrimtar krijon në një epokë të caktuar, në rrethana që ndryshojnë nga ato të mëparshmet dhe synon ta përfaqësojë epokën në të cilën jeton. 

Muharremi: Autori te ne po varet nga lexuesi dhe jo nga shpirti i tij

Image

Në një prononcim për "Kosova Sot", profesori dhe shkrimtari Ilir Muharremi ka deklaruar se nuk mund të jemi optimistë për gjendjen e letërsisë shqiptare sot, sepse ende po imponon e kaluara."Nuk flas për autorë, por për tekste, sepse fundja i rëndësishëm është teksti. Çfarë tekste ofrojnë? Dashuri të lodhura, nuk kemi guxim të shprehim as erotikën e as problemet e kohës. Problemi te letërsia janë autori, botuesi, shteti dhe lexuesi. Autorët tanë më shumë shkruajnë reportazhe sesa letërsi të mirëfilltë, këtu çalojnë shumë". Tutje Muharremi potencon: "Kemi shkrimtarë më shumë të 'Facebook'-ut sesa artistë të sinqertë. Fundja letërsia e Kadaresë dhe Agollit është pak e vjetruar për kohën tonë. Shkrimtarët e sotëm duhet të mendojnë për të ardhmen e jo për historinë. Shkrimtarëve tonë u mungojnë elemente nga shkenca. Shkrimtarët nuk duhet të kenë atë frikën se a janë më të mirë se Kadareja, Agolli apo Pashku. Përparësia e tyre duhet të jetë se jetojnë në të sotmen me idetë e reja për të ardhmen", thekson ai. Shkrimtari Ben Blushi ka thënë para disa kohësh për medie se letërsia jonë s'e ka vizatuar apo fotografuar dot akoma shkrimtarin e shekullit që jetojmë.

Armend Preteni

(Kosova Sot)