Monografi për një korife elitar të arsimit tonë kombëtar

  • 20 January 2019 - 08:32
Monografi për një korife elitar të arsimit tonë kombëtar

Shkruan: Mehmet Halimi

Unë ndjeva një kënaqësi dhe nderim të veçantë kolegial e intelektual, shoqëror e njerëzor, kur dy autorët e nderuar, Hamza Halabaku dhe Mujë Berisha më propozuan dhe m' u lutën që unë të jem redaktor i veprës së tyre monografike me titull: "NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE",për faktin se Profesor Tahir Z.Berishën e kisha pasur profesor, shok e mik besnik, fqinj të respektuar dhe bashkëpunëtor e "vek për yrrnek" si edukator arsimor i vyer e i rryer i arsimit kombëtar ,nga njëra anë, por më kaploi një drithërimë e sëmbim zemre e dilemë e ndërgjegjësisë dhe përgjegjësisë sesa do të arrijë ta ndriçojë e vlerësojë veprën në fjalë,që është shkruar e hartuar për këtë kolos të kulturës e misionar të arsimit kombëtar,nga ana tjetër. Mirëpo, unë këtu, në këtë rast e çast,nuk do të flas drejtpërdrejt e kryesisht për protogonistin e veprës në fjalë ,për Prof. Tahir Z. Berishën.

Për të, kanë folur e shkruar dy autorët e monografisë në fjalë, por unë do të përpiqem me të gjitha aftësitë e mia mendore e përvojën time intelektuale ta studioj e analizoj, ta çmoj e vlerësoj punën titanike, djersën e mundin e pakursyer të koautorëve të monografisë në fjalë sesa ata ia kanë arritur qëllimit ta ndriçojnë e ta çmojnë dhe t' ia shpjegojnë publikut lexues punën gjigandeske të këtij kolosi e misionari të arsimit tonë kombëtar. E pra,rrjedhimisht e normalisht,merret vesh,se duke folur për vlerat e veprës në fjalë, flitet e zihet ngoje, nis e sos ,e vijimisht personazhi kryesor,i cili është strumbullari dhe epiqendra e veprës - Prof.Tahir Z.Berisha.

Gjatë leximit ndjeva një freskim e pasurim 

Duke i çmuar e nderuar koautorët e kësaj monografie sa vëllimore, po aq cilësore, sa të rëndësishme e të pëlqyeshme, po aq të mirëpritur, jo vetëm si shokë e miq serioz e dinjitoz, por edhe si shkrimtarë e poetë, si mjeshtër të përkryer të pendës e të përdorimit të fjalës,si intelektualë të rryer e të vyer të shkrimit shqip,më mbante besa e më ushqente shpresa dhe bindja e plotë se lënda e mirë ka rënë në duar të mjeshtërve të mirë e të sigurt. Ndaj me kureshtje të madhe e interesim të veçantë, me padurim, me vullnet e me gëzim të madh i hyra leximit të dorëshkrimit të monografisë në fjalë me shënime,sepse ai që lexon me shënime lexon dy herë. Vepër kjo,e cila i kushtohet një personaliteti me përmasa universale e shumëdimensionale,i cili me punën e tij kolosale la gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare. Punë me të cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse ai ,jetoi e veproi, punoi e krijoi vlera të arsimit tonë kombëtar,e madje edhe vetë u bë vlerë e rëndësishme komb- ëtare, e vlera është gjithçka,e jo lavdia.

Prandaj, Ju përgëzoj se edhe ju si bashkautorë duhet të mburreni e krenoheni që keni shkruar e shestuar,keni trajtuar e analizuar dhe keni ndriçuar gjithanshëm në hollësi e detaje,duke mos lënë asnjë segment të jetës së Prof.Tahir Z.Berishës pa qitë në dritë e pa vënë në spikamë gjithë veprimtarinë e tij arsimore e publicistiko-shkencore të një personaliteti me nam e famë,që ia la nderin popullit e atdheut të vet. Ai ashtu siç erdhi i pastër në këtë jetë, ashtu i pastër e me nderë shkoi nga kjo jetë, duke lënë si një meteor shkëlqimin e ndritshëm prapa. Sepse ai na la veprat e korpusin e katër vëllimeve enciklopedike "EMRAQË NUK HARROHEN",që kapin me mijëra faqe e lëndë të pasur nga fusha të ndryshme të arsimit e të dijes,që do t' u shërbejnë brezave në vijim. Duke lexuar veprën në fjalë, m'u duk sikur hyra nga një deriçkë,por sapo hyra në brendinë e saj m'u shpërfaq një horizont i gjerë e i pafund, me një mal të dhënash, faktesh e argumentesh, ngjarje e ndodhi,vepra e aksione,një thellësi oqeanike e një freski moralo-didaktike dhe etiko-estetike,sikur më stolisën e më pajisën me njohuri e dituri më të pasura,më të gjera e më të thella për punën e madhe e të nduarnduart edukativo-arsimore e publicistikoshkencore të këtij burri të madh të kombit shqiptar, siç ishte Prof.Tahir Z.Berisha.

Ndaj kur e shfletova dhe e lexova dhe e analizova në universin tim mendor, u binda se as besa e shpresa nuk më zhgënjeu, as syri e as mendja nuk më gënjeu. Sepse veprën në fjalë e lexova me një frymë ,me gëzim e durim e interesim të madh, me ëndje e kënaqësi, e nuk mund ta lëshoja nga dora as ta heq nga mendja derisa i dola në fund. Gjatë leximit ndjeva një freskim e pasurim me vlera artistike e historike,shpirtërore e njerëzore. Dhe me këtë rast e çast vërejta seriozitetin saktësinë e maturinë e bashkautorëve,qasjen e tyre të kujdesshme,gjuhën e pastër të gurrës popullore të letrarizuar e fjalët të përdorura me vend e me kripë,e kripa me karar,sepse "fjala është dukat,kur ajo thuhet me gratë"(fj.urt.pop.),stilin e rrjedhshëm e mbarështrimin e lëndës arsyeshëm e logjikshëm. Autorët pra, padyshim shihet se kanë bërë një "lavër" të mirë e të thellë,sipas vendit e rendit, duke mos lënë "lavrën laknuer" siç thotë bujku i mirë, e duke mos anashkaluar e duke mos harruar asnjë detaj sado të vogël të veprimtarisë së pasur e të ngjeshur,të gjerë e të thellë të protagonistit të tyre,që ishte si strumbullar i veprës në fjalë,në fushën e arsimit tonë kombëtar të Prof. Tahir Z.Berishës.

Punoi me zell e përkushtim për emancipimin dhe arsimimin tonë 

Suksesi në realizimin e kësaj monografie të autorëve në fjalë, rezulton nga fakti se ata zgjodhën një temë shestimi e trajtimi të qëlluar për një personalitet të shquar të arsimit tonë kombëtar - për Tahir Z.Berishën, i cili e ndoqi rrugën e veteranëve tanë prijatarë, si të: Mehmet Gjevorit, Beqir Kastratit, Shevqet Veliut, Zeqir Bajramit, Idriz Ajetit,Ramadan Jusufit e shumë veteranëve të tjerë që siç shprehet Ismail Kadare: "Kombet nuk i kapërcejnë krizat ekonomike dhe psikologjike pa përpjekjet e një elite që duhet të jetë laborator i kulturës, i përparimit dhe qytetërimit të tij". Kësaj elite i takon edhe Prof.Tahir Z.Berisha, i cili si korife i arsimit kombëtar, i thelloi, i intensifikoi dhe i zgjeroi aksionet e metodat në fushën e arsimit shqip, duke organizuar e udhëhequr dhjetë takime të veteranëve të arsimit në Kosovë. Temë kjo, sa fisnike e historike, po aq e etshme, e nevojshme dhe kureshtare për të njohur e mësuar misionin e shenjtë e të shtrenjtë të vepruar e të ushtruar nga misionari i arsimit tonë kombëtar, Prof.Tahir Z.Berisha, i cili punoi me zell e përkushtim për emancipimin dhe arsimimin tonë shoqëror e kombëtar.

Pikërisht,ky pishtar dhe misionar i arsimit tonë kombëtar,duke përhapur rreze drite të dijes njerëzore, sforcoi e pasuroi themelet e kështjellës arsimore,që do të shërbejë si shtyllë kurrizore e kulturës sonë kombëtare shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen. Në këtë mënyrë ,siç vënë në pah autorët, Tahir Z.Berishës i takon merita e lëvduar si prijatar punëmbarë,i cili krijoi kushte dhe i ofroi mundësi zhvillimit mbarëkombëtar në fushën e arsimimit në gjuhën tonë të ëmbël ,të shenjtë e të shtrenjtë shqipe,që është tapia e truallit tonë të lashtë autokton arbëror dhe simbolizon identitetin tonë kombëtar. Koautorët e monografisë në fjalë, Hamza Halabaku dhe Mujë Berisha, si dy projektues e arkitektë të mirë e të vyer,lëndën e tyre studimore e mbarështruan,me kujdes e dashuri,me vullnet e përkushtim,me përgjegjësi e saktësi,duke e organizuar e ndarë veprën në 15 pjesë e në 38 krerë, e të shtruar në 725 faqe tekst libror,të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të veprës monografike në fjalë. Nëpër këto pjesë e nëpër këta krerë, ata me mjeshtri endin dhe vekojnë indin lidhor nëpërmjet ngjarjeve e ndodhive,fakteve e argumenteve gojore e shkrimore,arkivore personale e shoqërore,që përbëjnë eshtrinë skeletore të monografisë dhe natyrshëm e logjikshëm ndërtojnë e ndërlidhin ngushtë formën dhe përmbajtjen si një tërësi të plotë unike të një vepre organike e biografike,arsimore e publicistiko-shkencore me njohuri të thella të rrjedhave jetësore të këtij misionari të shquar të arsimit tonë kombëtar. Veprës në fjalë i paraprinë parathënia e shkurtër, por e ngjeshur.

Nga sa u tha deri këtu,shihet qartë se monografia e autorëve Hamza Halabaku dhe Mujë Berisha e emërtuar me titullin kuptimplotë, sinjalizues e shpjegues, në funksion të idealeve kombëtare : "NJË JETË NË MISION TË DIJES DHE TË IDEALEVE KOMBËTARE",nuk ishte një punë as e lehtë dhe as e thjeshtë ,nuk ishte as një përmbledhje apo një regjistër faktesh e argumentesh me të cilët ndeshet dhe lufton protagonisti i tyre, Prof.Tahir Z.Berisha ,por monografia në falë është një monument artistikletrar e historiko-shkencor,të cilin penda e dalta e dy koautorëve e gdhendi dhe e latoi,e gatoi dhe mbrumoi,e renditi dhe e ngriti,e përpunoi dhe lartësoi,duke vënë në spikamë durimin dhe guximin,aftësinë dhe mjeshtërinë,trimërinë dhe diplomacinë dhe artikulimet e vlerave fisnike dhe bujare të popullit të vet më të vjetër të Ballkanit,Tahir Z. Berisha pati guxim dhe reagoi në momente të caktuara,luftoi dhe mbrojti të drejtat e popullit të vet të pambrojtur,të shtypur e të përbuzur nga shovinistët e hegjemonistët serbomëdhenj monorkofashistë e deri te satrapi e kasapi i Ballkanit - Slobodan Milosheviqi, i cili si një xhelat sadist që vret e pret e kurrë nuk ngopet me krime e gjenocid të paparë në historinë e njerëzimit, jo vetëm ndaj popullit shqiptar,por ndaj të gjithë popujve liridashës.

Autorët, Hamza Halabaku e Mujë Berisha,i kuptuan drejt e qartë synimet e qëllimet e promotorit Tahir Z. Berishës, sepse shkrimtari-shkrimtarin e artistiartistin dhe mendimtari-mendimtarin e kuptojnë më së miri. Koautorët e kësaj monografie kanë analizuar e studiuar, kanë ndriçuar e zbërthyer në mënyrë të përkryer shpirtin arsimdashës e atdhedashës të Tahir Z.Berishës, shpirtin guximtar të shqiptarit tradicional "shiko sojin nga ka ardhur-dardha pikë nën dardhë",që sipas traditës e edukatës patriotike të babait Zeqë Vërbanit, çdo shqiptar,në çdo kohë e në çdo rrezik, duhet t'i dalë zot popullit të vet e truallit atëror e stërgjyshor. Vetë Prof.Tahir Z.Berisha shpesh thoshte: "Çdo ngjarje që nuk shkruhet, nuk ruhet" apo "ajo që nuk shkruhet nuk ka ndodhur".Në analogji me këtë, unë si dialektolog, në ekspeditat e mia dialektologjike,më rastisi të dëgjoj nga një plak i zgjuar në Karadak,i cili më tha : "Kujtesa është gjah,e shkrimi është kurth". Ndaj shikuar nga ky kënd : ashtu siç e zë kurthi gjahun e nuk e lëshon të ikë dot, po ashtu edhe shkrimi e përjetëson kujtesën.

(Kosova Sot)