Çka janë duke u bërë Oskarëve "Abc"-ja dhe Akademia?

  • 15 February 2019 - 08:46
Çka janë duke u bërë Oskarëve

Transmetimi i ceremonisë Oskar tani është duke u udhëhequr nga forcat që janë bërë armiqësore ndaj asaj që janë filmat

Ekziston një industri kolektive e kundërpeshës ndaj veprimeve të çmendura të Akademisë për t'i bërë Oskarët më të prekshëm për shikuesit e gjerë, ku secila nga këto veprime është bërë nën presionin e ekzekutivëve të "ABC"-së

Ja një parashikim, apo mund të jetë vetëm një shpresë, të cilën megjithatë do ta them me gjuhën e 'topit të kristaltë': para se të vijë mbrëmja e Oskarëve, më 24 shkurt, Akademia e Filmit, Arteve dhe Shkencës do ta ketë reviduar vendimin e saj që të mos e transmetojë 'live' prezantimin e shpërblimeve të sivjetme për kinematografi. Ankesat në këtë drejtim kanë qenë tepër të zëshme, tepër me pasion dhe tepër të unifikuara, që të mund të injorohen.

Nëse kam të drejtë, dhe me të vërtetë do të ketë transmetim "live" të ndarjes së Oskarëve, atëherë kjo do të jetë vetëm edhe njëra nga idetë kokëtrasha sesi të ringjallet fama e Oskarëve. Arsyeja pse mendoj se do të ndodhë një gjë e tillë, është se ekziston një industri kolektive e kundërpeshës ndaj veprimeve të çmendura të Akademisë për t'i bërë Oskarët më të prekshëm për shikuesit e gjerë, ku secila nga këto veprime është bërë nën presionin e ekzekutivëve të "ABC"-së. Në këtë aspekt, pas kategorisë 'popullore' të Oskarit (can we all agree? worst idea ever), debakli i Kevin Hartit dhe tani këto ankesa rreth këtyre shpërblimeve kyçe artizane, atëherë kundërpesha mund të konsiderohet rezistencë. 

Dy blloqet kryesore të kinemasë

Në pjesën më të madhe, kjo është duke funksionuar. Jam duke folur rreth përpjekjeve për ndreqjen e diçkaje që ende nuk është thyer. Natyrisht, të gjithë duan të marrin Oskarin dhe të gjithë ne kemi teorinë tonë se si duhet të përmirësohet transmetimi në TV, apo edhe të bëhet më popullor. Por, e vërteta është se, në një epokë të shikueshmërisë së fragmentuar dhe audiencës 'së rehatshme', ku çdo gjë duke filluar nga "Super Bowl" e më tej, është duke u përpjekur që të mbetet në treg, Oskarët, përkundër famës së tyre, kanë ngecur në një vend.

Nuk është se ky spektakël ka humbur shikuesit, prandaj veprimet sikur ai për heqjen e transmetimit "live", janë më shumë veprime të dëshpëruara. Sivjet, kthimi i kinematografisë dhe editimi i të gjitha kategorive, nëse parashikimet e mia dalin të vërteta, do të kthejë të gjithë gjashtë minutat e shout. Dhe, pas të gjithave, kinematografia, në veçanti, mund të dalë tani si njëri ndër shpërblimet më 'seksi' të mbrëmjes.

Në një epokë të karakterizuar nga teknologjia dhe një dituri e përgjithshme e gjërave, ka shumë të ngjarë që shumë më shumë njerëz që e shikojnë tani ceremoninë Oskar, e dinë se çka është kinematografia dhe, ajo ka rëndësi për ta, sesa psh 30 ose 40 vjet më parë. Me celularët tanë, që të gjithë ne tani jemi kinematografë. Krahas kësaj kemi edhe editimin, i cili sipas shumë kinematografëve, bashkë me kinematografinë paraqesin dy blloqet kryesore të kinemasë.  

Ideja e kategorisë së filmave popullorë vdiq ende pa lindur

Përcaktimi për to i një statusi të dorës së dytë nuk është vetëm shenjë e pakujdesisë, por ofendon vetë esencën e filmave. Por, a nuk është mu kjo që, përmes një komedie gabimesh, ka karakterizuar Akademinë dhe organizimin e mbrëmjes Oskar nga "ABC"-ja këtë vjet? Vendimi dritëshkurtër për krijimin e një kategorie speciale për filmat 'popullorë' doli nga një diskutim i tillë. Dhe, derisa mund të kënaqemi që kjo ide u la të vdiste, ia vlen të analizohet se çka simbolizonte ajo: shprehjen se shpërblimet Oskar kishin një problem dhe se ai problem ishte se ata e kishin humbur kontaktin me shikuesit e rëndomtë.

Nëse e themi ndryshe, atëherë ja çka thoshin me të vërtetë fuqitë në "ABC". Ato thoshin se shou nuk ishte problem, por problem ishin vetë filmat. Filmat ishin tepër të vegjël për të joshur një masë të madhe shikuesish (apo aq sa donte ABC), dhe ata filma tani ishin, e dini, tepër artistikë. Edhe pse ideja e kategorisë së filmave popullorë vdiq ende pa lindur, vetëdija prapa saj nuk ka vdekur. Transmetimi i ceremonisë Oskar tani është duke u udhëhequr nga forcat që janë bërë armiqësore ndaj asaj që janë filmat. Kjo vetëdije është e pranishme në secilin prej vendimeve të fundit.

Edhe emërtimi i Kevin Hartit në postin e moderatorit, është në këtë frymë, meqë përkundër komenteve homofobe të tij, ai është një aktor i cili luan në filmat të cilët preferohen nga "populli" të shihen natën e Oskarëve. Dhe, kjo pa përmendur fare kohëzgjatjen e shout, e cila duhet të përfshihet brenda periudhës prej tri orësh, afat që është përcaktuar për ta trajtuar një problem tjetër: fjalimet e bëra nga fituesit.

(Kosova Sot)