Idriz Ajeti ishte 'individ-institucion'

  • 16 February 2019 - 08:32
Idriz Ajeti ishte 'individ-institucion'

Akademiku i ndjerë, Ajeti, do të kujtohet si një nga albanologët më seriozë 

Kur shoh akademikët e ASHAK-ut, si Rexhep Ismajlin, të pranuar edhe ndërkombëtarisht, por edhe punën e ishakademikut Idriz Ajeti, nuk ka mundësi njeriu që të mos fascinohet me sendërtimin e tyre akademik 

Akademiku Idriz Ajeti vdiq në moshën 102- vjeçare. Bile, sa herë që flasim për ditëlindjen dhe vdekjen e këtij brezi, shpesh themi: "Dikur nuk i kanë regjistruar foshnjat me kohë dhe ka mundësi të ketë lindur edhe më herët, por e kanë shënuar krejt më vonë."Nëse është shënuar edhe më herët, atëherë i bie se ka pasur një jetëgjatësi shumë më të lartë se mesatarja e popullsisë kosovare.

Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), jepen këto të dhëna biografike për të ndjerin Ajeti: "Lindi në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme më 26. VI. 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit - në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit.

Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: "Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë". Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës." Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në të njëjtin burim informacioni, lidhur me atë se cilat poste kishte dhe çfarë kontributesh të tjera praktike në fushën e arsimit kombëtar, janë edhe këto me rëndësi për t'i ndarë në kolumnen për lexuesit: "Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore "Gjurmime albanologjike" (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969- 1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

" Në bibliografinë e tij, "të lodhet dora" duke lëvizur kursorin lart-poshtë, pasi që veprimtaria e tij është e shumëvëllimshe. "Zeja" e tij kryesore ishte studimi i gjuhës shqipe dhe krahasimet e saj hera-herës edhe me gjuhë të tjera të vjetra. Ai mund të thuhet se është ndër brezat më kontributdhënës në trajtesat për gjuhën shqipe, dialektet e kështu me radhë. Rrugëtimi i tij akademik është në shumicën e vendeve të ish-Jugosllavisë, në kryeqytetet më me ndikim të kohës në edukim, kulturë e shkencë, si: Beogradi, Zagrebi etj. Elitat politike dhe akademike u shkolluan pikërisht në këto vende dhe universitete, për të ardhur me kontribute të pamatshme si kuadro në Universitetin e Prishtinës, ASHAK etj. Sa i përket politikës, ishin të njëanshëm dhe s'do të merremi me sfondin e tyre partiak!

Tërheqja e akademikëve nga debatet politike e mbarëshoqërore

Nëse intelektuali përkufizohet në pjesëmarrjen e tij për të kontribuar për të mirën e përgjithshme, ruajtjen e interesit universal, pjesëmarrjen aktive në debatet mbarëshoqërore dhe mbarëqytetare, pa dyshim se në 20 vjetët e fundit të jetës së tij, akademiku Idriz Ajeti, bëri një jetë thuajse të tërhequr në rrethe studiuesish, por nuk ishte aq i pranishëm në hapësirën mediatike. Rrallëherë mund ta gjenit të kyçej në aq shumë debate të zhvilluara në hapësirën tonë publike, që në të shumtën e herës, dorën në mendje, ka qenë edhe e "kontaminuar" me etiketa, paragjykime, linçime publike dhe pa përdorim të gjuhës së mirëfilltë etike, analitike e profesionale.

Sidoqoftë, për këdo që e ka këtë koncept për intelektualin, sot nuk lartësohet angazhimi i të ndjerit akademik, Ajeti, sikur edhe i shumë akademikëve të tjerë të vdekur e të gjallë. Por para 20 vjetësh, ai ishte 82 vjetësh, që i bie se është vlerësim i përngutshëm dhe i pamatur, pasi që ishte edhe me moshë mjaft të shtyrë. Por ai ishte aktiv në mbrojtjen e gjuhën shqipe para akademikëve të tjerë serbë, mbi origjinën e saj të lashtë, dhe pa dyshim se ishte ndër më meritorët për të promovuar, mbrojtur dhe argumentuar origjinën e lashtë të gjuhës shqipe, unikalitetin e saj të papërsëritshëm, në vitet e mëhershme të ishJugosllavisë. Në rrethana edhe më të vështira, ai u bë zë studiuesi i gjuhës shqipe.

Por në anën tjetër, kushdo që kritikon konceptin e dikurshëm të LDKsë mbi qasjen në politikën e saj gjatë fundviteve të '90-ta, e sheh edhe të ndjerin, si një nga figurat e LDK-së dhe shumë akademikë vinin nga radhët e kësaj partie me ndikim për kohën! Po ashtu, kushdo që e sheh me kritikën në trendin e krijuar lokal ndaj ASHAK-ut pas luftës, që aq shumë u paguan dhe bënë pak kontribute të njohura edhe ndërkombëtarisht për shkencën, edhe ish-akademikun, e shohin me atë sy kritik.

Kontributet e të lindurve jashtë Kosovës për arsimin dhe ASHAK-un 

Është interesante se sa shumë kanë kontribuar për ASHAK-un, akademikët e lindur jashtë Kosovës, qoftë në hapësirat shqiptare të Luginës së Preshevës, Bujanocit, Medvegjës, Plavë e Guci, Prespë e Malësi etj. Le të shohim disa nga ta: Ali Aliu lindi në Kranjë të Prespës; Anton K. Berishaj, u lind në Malësi, komuna e Podgoricës; Eqrem Basha u lind në Dibër; Hivzi Islami në Luginën e Preshevës, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja etj. Me fjalë të tjera, për arsimin në Kosovë dhe ASHAK-un, me plot merita janë shqiptarët e lindur jashtë Kosovës.

Idriz Ajeti dhe brezi i ASHAK-ut 

Pavarësisht se sot doktorantët brengosen aq shumë se ku do të publikojnë një artikull me standarde ndërkombëtare dhe do të plotësojnë kushtet e tyre për marrjen e titujve dhe gradimet e profesorëve në universitete , ASHAK dështoi ta bënte një revistë shkencore me impakt faktor dhe në përputhje me kriteret e shkencës bashkëkohore. Pavarësisht se kishin buxhet, nuk arritën të bëjnë një revistë e cila do të ndihmonte jo vetëm doktorantëve të rinj apo profesorët me tituj akademikë, ta mbronin atë që e kanë dhe të avanconin më tutje në mësimdhënien universitare.

Por duhet thënë të vërtetën e plotë se, ndërkombëtarizimi i një reviste shkencore, e krijuar nga ASHAK dhe e pranuar sikur të ishte me revistat analoge me impak faktor, ka pasur edhe pengesa politike me disa kode ndërkombëtare, të kushtëzuara edhe politikisht, për shkak të fuqisë së dobët politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare Gjithmonë paraqiten pengesa, por sërish nuk është se nuk do të mund të tejkaloheshin po të kishin përpjekje dhe vullnet më të madh. Sidoqoftë, duke parë trendët lokalë e globalë të këtyre revistave, në mos më keq, nuk ka gjë që nuk është keqpërdorur me namin e tyre.

Kur shoh akademikët e ASHAK-ut, si Rexhep Ismajlin, të pranuar edhe ndërkombëtarisht, por edhe punën e ishakademikut Idriz Ajeti, nuk ka mundësi njeriu që të mos fascinohet me sendërtimin e tyre akademik. I marr me seriozitet; bash ashtu si e shohim dikë të formuar me dituri dhe që i ka ato dituri me të vërtetë, janë ky brez, i cili kishte qindra pengesa, të cilat sot brezi im nuk i ka. Kishin vështirësi nga më të ndryshmet. Mirëpo, shumica e akademikëve të ASHAK-ut, sidomos në 20 vjetët e fundit, nuk i kanë pasur hallet financiare dhe kjo ka qenë lehtësimi më i madh. Kanë pasur kushte të mira financiare dhe kjo ka mundur t'ia krijojë komoditetin për të punuar më shumë në drejtim të themelimit të një reviste shkencore me kredenciale ndërkombëtare dhe të kishim ne si doktorantë të rinj, mundësi dhe hapësirë për të botuar.

Pse duhet një doktorant që me kushtetutë, lejohet në tri gjuhë, të botojë domosdo diku tjetër në gjuhë të huaj?! Natyrisht se duhet të botohet edhe jashtë vendit, në gjuhë të huaja angleze, frënge e gjermane apo të tjera, por pse duhet domosdoshmërisht të ketë pengesa nga formimi jo aq akademik i përdorimit të gjuhës angleze, kur kushtetuta e Kosovës, lejon arsimimin në tri gjuhë zyrtare: shqipe, serbe dhe angleze?! Me fjalë të tjera, në kuptimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, i bie edhe cenim i kësaj të drejte. S'po themi se nuk duhet dhe nuk është e vlefshme të dihen sa më shumë gjuhë të huaja, kur dihet sa lehtësojnë punën e studimeve shkencore, por të bëhet kusht i domosdoshëm, edhe kjo është e pakuptimtë. Sidoqoftë, kjo edhe për fajin e shkencës së dobët në Kosovë, por edhe në përgjithësi në hapësirat shqiptare, ku revistat shkencore nuk kanë kredenciale të pranuara ndërkombëtare e globale.

Bile vetëm një revistë shkencore të ishte, sa për të thënë se është një vend diku, ku mund të botosh edhe shqip. Ndryshe është një studim shkencor në gjuhën amëtare, e ndryshe në gjuhën e huaj. Nuk është "gjuhë rruge", por ju duhet përvetësim në nivel akademik të saj. Po të ishim një vend më me kushte jetësore të përshtatshme, do të ishte e kuptueshme. Prandaj, për 20 vjetët e fundit, në rrethanat e tranzicionit kosovar, roli i ASHAK-ut ka qenë i dobët, në krahasim me mundësitë, potencialet dhe aftësitë e tyre akademike. Ka një brez të ri, që i lexon ca libra, e di anglishten dhe kujton se e sfidon një akademik! Ky është kulmi i paditurisë! Kam pasur rastin edhe kur kolegë të mi të psikologjisë, pasi përfunduan katër a pesë provime në psikologji, në vitin e parë, fillonin të satirizonin me librat e psikologjisë së akademikut të ndjerë Pajazit Nushit, merreni me mend ju! Identifikoheshin me Frojdin, Jungun, Adlerin etj., sepse lexonin ndonjë kapitull aty-këtu në gjuhën angleze dhe të shkretët, u bënë psikologë botërorë!!!

Kjo ishte përtej çdo papjekurie! Prandaj, ndonëse jam brez i ri, ne ndajmë mendimin se pavarësisht kritikave ndaj ishakademikut Ajeti, ASHAK-ut etj., ky brez i akademikëve janë ndër më kontributdhënësit për të krijuar një bazë universare dhe akademike në Kosovë; janë brezi më i pjekur akademikisht dhe të patejkalueshëm deri më sot nga brezi i mësimeve në "shkollat-shtëpi" dhe shumë universitete të pas luftës së fundit, me cilësi të tmerrshme në formimin dhe gjenerimin e kuadrove të reja. Të krahasohesh "kuadrot e Beogradit e Zagrebit" në vitet e '50-ta, '60-ta e '70- ta, me kuadrot e viteve të '90-ta dhe menjëherë në dekadën e parë të pas luftës, është përtej çdo analogjie të papërligjur. Brezi i tyre janë rritur me libra, diçka që sot nuk e hasim as te profesorët, as te studentët. Është tragjike të dëgjosh aq shumë profesorë që lexuakan aq pak dhe mbështeten në disa "sllajde" të bëra njëherë e të papërditësuara kurrë!

(Kosova Sot)