Pse parashikimi i fituesve 'Oskar' është duke u bërë çdo vit më i vështirë?

  • 18 February 2019 - 07:59
Pse parashikimi i fituesve 'Oskar' është duke u bërë çdo vit më i vështirë?

Asnjë film në gjuhë të huaj nuk ka fituar ndonjëherë në kategorinë e filmit më të mirë 

Në vitin 2016, si reagim ndaj kontroversës #OscarsSoWhite, Akademia e filmit dhe shkencës filloi që të përpiqej ta reformonte anëtarësinë e vet. Qëllimi ishte që të sigurohej se nuk do të shpërbleheshin vetëm 'filmat e vjetër, të mirë', që zërat e rinj të merreshin parasysh dhe, më e rëndësishmja, të evitohej publiciteti i keq. Lajmi i mirë për Akademinë është se përpjekjet e tyre kanë pasur efekt sizmik te nominimi i filmave dhe aktorëve.

Por, si efekt anësor, ndryshimet kanë bërë që parashikimi se kush do të marrë çmimin 'Oskar', të bëhet më i vështirë sesa ndonjëherë më parë. Megjithatë, kjo e bën parashikimin një punë më interesante. Kur flasim për ndryshime, anëtarësia e Akademisë në vitin 2017 (viti më i fundit për të cilin ka të dhëna) kishte 6,687 anëtarë. Në vitin 2016, Akademia shtoi 683 anëtarë të ri - shumica e tyre femra, njerëz me ngjyrë, apo jo amerikanë. Në vitin 2017, ky numër u bë edhe më i madh, duke ftuar 774 anëtarë të rinj, derisa në vitin 2018, 928 sish.

Pëlqenin gjëra të parashikueshme 

Ata po ashtu e bënë më të vështirë votimin për anëtarët 'jo-aktivë', duke i definuar anëtarët aktivë si "ata që janë punuar në industrinë e filmit gjatë 10 vjetëve të fundit; ata që kanë punuar ndonjëherë gjatë këtyre 10 vjetëve, qoftë në vazhdimësi, apo jo; anëtarët të cilët kanë fituar, apo janë nominuar për Oskar". Ky veprim përjashtoi disa nga votuesit e vjetër, të pensionuar, të cilët thuajse nuk i takonin aspak botës së filmit, apo karriera e të cilëve kishte mbaruar dekada më parë.

Ndër anëtarët e ri përfshihen Jordal Peele nga "Get Out"; Gal Gadot nga "Wonder Woman"; Daniel Kaluuya nga "Widows" dhe nga "Star Wars" u pranua Daisy Ridley. Por, Akademia ftoi edhe regjisorë të rinj, artistë VFX dhe pjesëtarë të kinematografisë, me qëllim të balancimit. Ky është një ndryshim i konsiderueshëm, meqë mosha mesatare e anëtarëve ishte mbi 60 vjet, shumica prej tyre ishin meshkuj, të racës së bardhë. Ata pëlqenin gjëra të parashikueshme - filma me meshkuj në rolet kryesore, filmat rreth njerëzve të mëdhenj të historisë - dhe ata ishin të prirë që të votonin në mënyrë të parashikueshme. Një kohë të gjatë, blloku më i madh ishin aktorët, prandaj filmat me performanca të mëdha qendrore, tentonin që të ishin tepër të përfaqësuar, derisa filmat e një zhanri më teknik - p.sh. "Mad Max: Fury Road" - shpesh liheshin anash nga çmimet e mëdha.

Kështu që sot, parashikimi i Oskarëve është bërë më shumë shkencë, sesa art. Lloji i nominimit të cilin e merr filmi, sidomos nëse përfshijnë kategorinë e regjisorit më të mirë, apo editimit më të mirë, të kombinuar me shpërblimet e marra më parë, sidomos me ato të shoqatave të ndryshme, jep një listë shumë më të shkurtër për profesionistët e industrisë. Globet e Arta janë tregues i keq për fituesit e Oskarëve në kategorinë e filmit më të mirë dhe vetëm pak më të fortë në kategoritë e aktrimit. Shpërblimet SAG janë parashikues më të mirë të shpërblimeve të aktrimit, dhe fituesi i audiencës së Festivalit të filmit në Toronto viteve të fundit ka pasur gjasa të mëdha për ta fituar çmimin 'Oskar', sesa që kanë pasur fituesit e Kanës, Berlinit, apo Venedikut, respektivisht të festivaleve të filmit të mbajtur në këto qytete.

"Roma" dhe "The favourite" kanë udhëhequr me nga 10 nominime 

Një parashikues historikisht i fortë ishte shpërblimi i Shoqatës së producentëve për filmin (PGA) më të mirë: në 20-30 raste filmi që ka marrë këtë shpërblim, është shpërblyer edhe me Oskar. Por, sivjet duket se kjo lidhje është dobësuar. PGA-ja iu nda filmit "Green Book", i cili nuk duket si pretendent për 'Oskar' meqë regjisori i tij, Peter Farrelly, nuk është nominuar për kategorinë e aktorit më të mirë. Fituesi i PGA-së në kategorinë e Dokumentarit më të mirë, "Won't You Be My Neighbor", as që mori ndonjë nominim për Oskar. Sikur filmat e nominuar vitin e kaluar të ishin disa vjet më parë, atëherë me gjasë do të fitonte filmi "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri", ose "Dunkirk".

As ky vit nuk duket aspak më i lehtë për ta parashikuar. "Roma" dhe "The Favourite" kanë udhëhequr me nga 10 nominime, por nëse fiton ndonjëri nga këta filma, kjo do të ishte thyerje e konsiderueshme nga norma. Filmi "Roma" është në tërësi në spanjisht dhe "mixtec" dhe asnjë film në gjuhë të huaj nuk ka fituar ndonjëherë në kategorinë e filmit më të mirë. Në ndërkohë, filmi "The Favourite" është një film me tri femra në rolet kryesore, pa asnjë rol të rëndësishëm të meshkujve, gjë që historikisht është hendikep që të merret seriozisht nga Akademia.  

(Kosova Sot)