Rruga Prizren-Tetovë pret me vjet

  • 05 November 2016 - 22:14
Rruga Prizren-Tetovë pret me vjet

PROJEKTI QË MBETET VETËM SI IDE

"Ne kemi biseduar me investitorë të Kuvajtit dhe ai kërkon nja 2 mijë hektarë rreth Drinit të Bardhë për të ndërtuar Prizrenin e ri. Me këtë përfiton Prizreni, sepse ajo hapësirë është gurore dhe tani nuk ka as shkurre", pohon Kabashi

Donatori kuvajtas kërkoi tokë për ndërtimin e Prizrenit të ri

Prizreni mund të shndërrohet në një oazë të rëndësishme të tregtisë rajonale, pasi ndodhet në trekëndëshin e kufirit Kosovë-Shqipëri-Maqedoni. Por, për këtë nevojitet edhe infrastruktura rrugore. Një nga idetë e hershme menjëherë pas luftës së vitit 1999 ishte edhe krijimi i rrugës që do të lidhet Prizrenin me Tetovën. Dikur kjo ka qenë një rrugë e vjetër kur prizrenasit janë furnizuar në Tetovë dhe anasjelltas. Ideja për rrugën PrizrenTetovë ishte e hershme e këtë e kishte thënë edhe vetë komandant Drini, Ekrem Rexha, i cili i vra pas luftës në rrethana misterioze. Me këtë projekt ai synonte edhe ruajtjen e lidhjeve mes shqiptarëve ë të dyja anët e kufirit, kur dihet se nuk mungojnë edhe miqësitë familjare mes banorëve të fshatrave të zonave. Por, ky projekt ka mbetur pezull tash e sa vjet, përkundër premtimeve të pushteteve të ndryshme për jetësimin e këtij projekti madhor, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kushti i investitorit

As Qeveria aktuale nuk jep ndonjë premtim konkret në lidhje me projektin. Fehmi Mujota, zv. ministër i Infrastrukturës, thotë se pas studimit të fizibilitetit Qeveria do të shohë mundësitë dhe format e realizimit të këtij projekti."Për të qenë korrekt me ju, më duhet të them se ne falënderojmë Komunën e Prizrenit për këtë nismë. Pasi që të kryhet studimi i fizibilitetit, ne pastaj do ta shohim mundësinë e Qeverisë për këtë qëllim", ka thënë Mujota për gazetën "Kosova Sot". Ndërsa, Lulzim Kabashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit, tregon se ai bashkë me ministrin Lutfi Zharku ka qenë në vizitë në Dubai tek një investitor kuvajatas për këtë. Sipas tij, kjo rrugë do të kushtojë 450 milionë euro, pasi ka një gjatësi prej 45 kilometrash dhe pos kësaj duhet edhe ndërtimi i tuneleve. Ndryshe, drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës kanë pranuar se ende nuk ka ndonjë projekt konkret për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Ata kanë theksuar se autoritetet lokale në këtë plan kanë realizuar kontakte me disa investitorë të jashtëm dhe se kanë mbetur në biseda për të shikuar mundësitë e jetësimit të projektit me koncesion."Ne kemi biseduar me investitorë të Kuvajtit dhe ai kërkon nja 2 mijë hektarë rreth Drinit të Bardhë për të ndërtuar Prizrenin e ri. Me këtë përfiton Prizreni, sepse ajo hapësirë është gurore dhe tani nuk ka as shkurre", pohon Kabashi për "Kosova Sot". Ndërkohë, edhe udhëheqësit e Komunës së Sharrit janë shprehur në favor të afrimit të lidhjeve rrugore me Maqedoninë dhe në këtë drejtim kanë ndarë mjete për vazhdimin e ndërtimit të rrugës nga Zaplluzha në drejtim të kufirit me shtetin fqinj. 

Ndikimet në turizëm

Ky projekt do të ndihmonte edhe turizmin e dy vendeve të Prizrenit dhe Malësisë së Tetovës. Këtë projekt e përkrahin edhe shumë qytetarë. Agim Berisha shprehet se duhet iniciuar një peticion për këtë."E dimë se këtë nuk mundet ta ndërtojë buxheti komunal i Prizrenit, por këtë duhet ta financojë shteti i Kosovës", shprehet Berisha. Ndërsa, Dafina Hoxha, eksperte e turizmit malor, mendon se ky projekt po qe se merret seriozisht do të gjente përkrahje edhe ndërkombëtare."Janë pikërisht këto dy pjesë, ku turizmi malor do të kishte përparim të madh, për faktin se janë male, që kanë pasuri të pakrahasueshme. Pastaj, lartësia mbidetare dhe bora që qëndron gjatë në malet e Sharrit", ka thënë ajo.

(Kosova Sot)