Skandali me jahtin e Devollit, vetëvrasje politike për mashtruesin Shpend Ahmeti - Lajme - Kosova Sot
Skandali me jahtin e Devollit, vetëvrasje politike për mashtruesin Shpend Ahmeti

Skandali me jahtin e Devollit, vetëvrasje politike për mashtruesin Shpend Ahmeti

Hertica:Matrapazi Shpend Ahmeti është i lidhur ngushtë me bandat e interesave kriminale të Devollëve

Sahitaj:Kalimi i fundjavës në jaht privat të një biznesmeni,kudo në botën e civilizuar,do të merrej si skandal dhe korrupsion "parekcelans" direkt ,e jo indirekt.

"Për qytetarët e varfër të Prishtinës është pak më tepër se irrituese të shohin 'të parin' e tyre duke shëtitur me jahtin luksoz të Blerim Devollit. Tani veç sa ka filluar të zbardhet fytyra e vërtetë e lidhjeve të shumëpërfolura të Lëvizjes "Vetëvendosje" me mafiooligarkët e inkriminuar. Qytetarët e Kosovës, në veçanti ata të Prishtinës, po i shohin me sytë e tyre hipokrizinë, mashtrimet dhe gënjeshtrat e Lëvizjes "Vetëvendosje" të Shpend Ahmetit dhe sejmenëve të inkriminuar të tij, dashurinë dhe patriotizmin e tij të rrejshëm, mashtrues e fals. Kapërcimi përrallor nga vozitja me autobus lokal në jahtin luksoz, përveçse orekse të sëmura, nënçmim dhe ofendim për qytetarët, do të jetë udhëtimi i tij i fundit drejt theqafjes politike të kryetarit Ahmeti", është shprehur analisti Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot

Shpend Ahmeti, kryetari më kontrovers i Prishtinës, të shtunën është fotografuar duke u kapur "mat" në jahtin në pronësi të mafio-oligarkut Blerim Devolli, të cilin thuhet se e ka blerë rreth 6 milionë euro. Fill pas publikimit të këtyre fotove kanë plasur edhe reagimet e para të opinionit publik. Sipas analistëve, ky fakt vetëm sa i përforcon dyshimet se Shpend Ahmeti gjatë gjithë mandatit të tij ka keqpërdorur e abuzuar fuqishëm e pandashëm detyrën dhe pozitën zyrtare me familjen e tej inkriminuar Devolli, duke ua dhënë tenderët, pastaj hapësirat për reklamim, lejet e ndërtimit e shumë të tjera, favore të kundërligjshme, për ta përfunduar mandatin shume shpejt duke ua dhënë edhe tokën publike më të mirë në zemër të Prishtinës, respektivisht Stacionin e Autobusëve, në sipërfaqe prej mbi 15 hektarësh, për të ndërtuar mbi 200 mijë metra katrore qendra tregtare, hotele e qendra biznesi, të gjitha këto në tokë komunale të qytetarëve të Prishtinës, 2 hektarë tokë ngjitur me Pallatin e Rinisë dhe jo vetëm kaq! Pas daljes në sipërfaqe të kësaj lidhje të re të Shpend Ahmetit me Devollët, analistët ngrenë me të drejtë dhe detyrim nevojën që edhe Prokuroria e Shtetit të fillojë menjëherë të hetojë aferat mega-lidhjet korruptive të Shpend Ahmetit me vëllezërit Devolli dhe mentorin e tyre, Baton Haxhiu, ngase po shihet ashiqare që vetvetiu po i zbardhet "fytyra" e vërtetë e të super-korruptuarit Shpend Ahmeti, me "sejmenët" e vetë Dardan Sejdiu, Liburn Aliu dhe e Dardan Molliqaj, kur Shpendi të shtunën mbrë- ma është fotografuar në jahtin mbi 6 milionësh të Blerim Devollit, i cili në këtë jaht dyshohet se ndoshta ishte edhe me shoqëruesin e vetëm, Dardan Sejdiun, sepse është kryetar i Prishtinës dhe po punon për interesa të Devollëve te inkriminuar, duke dëmtuar e bllokuar rëndë interesat e qytetarëve të Prishtinës dhe duke goditur edhe të ardhmen e tyre. Sipas analistëve, tani del ashiqare se Shpend Ahmeti është ai i cili gati 4 vjet vetëm i gënjente qytetarët prishtinas se gjoja vozitet me autobus lokal, ndërkaq fshehurazi me para të komunës fluturonte me biznes-klasë me Dardan Sejdiun, duke shëtitur edhe kontinentet nëpër rrugët e trasuara të krimit të organizuar në Ballkan, Evropë, Azi, Amerikë dhe jo vetëm, ndërkaq që tani viziton e "pushon" duke i përfunduar "pazaret" me vëllezërit Devolli në jahtin milionëshe të blerë në kurriz të popullit. Tani njohësit e skenës politike dhe të zhvillimeve rreth komunës së Prishtinës, të qeverisur nga VV-ja, me të drejtë shtrojnë pyetjen se a është futur me vetëdije "paria" e VV-së që nga dhjetori 2013 përmes pozitës së kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, të bëhet pjesë e garës për të marrë e përvetësuar mundësisht një pjesë sa më të madhe të "Pogaçes në sofrën e krimit të organizuar" në Kosovë, të cilën e kanë në disponim e menaxhim të përhershëm vëllezërit Devolli&Baton Haxhiu, por të udhëhequr në fakt nga mentori i tyre, i super-inkriminuari edhe në Shqipëri dhe në Serbi, e të lidhur fort me pjesë të majave të qeverive respektive të të tria vendeve në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd, të gjitha përmes bashkëpunë- torit të ish- kryekriminelit Milosheviq dhe ish-shefit të UDB-së, Stanishiqit, nga batakçiu i shumëpërfolur Baton Fazli Baxhiu! Edhe përkundër faktit se gazetari i ka kontaktuar Blerim dhe Shkëlqim Devollin, si dhe Baton Haxhiun, të njëjtit nuk u janë përgjigjur.

 

Mashtronte se vozitej me autobus lokal, zbulohet me foto në jahtin shumëmilionësh Analisti politik Ali Hertica vlerëson se ky zbulim skandaloz që i bën vetes Shpend Ahmeti, për lidhjet e tij tepër kriminale me Devollin, do të jetë vetëvrasja finale e tij në politikë, vetëm pak muaj para fundit të mandatit në cilësinë e kryetarit të komunës."Politika dhe politikanët e elitës shqiptare, të pangopur me keqpërdorimet e tyre markante, me mjetet e tatimpaguesve kosovarë dhe me mosnjohjen e besimit që u dhanë me votën e tyre, një shembull tipik markant që është vetë kryetari Shpend Ahmeti, sot dalin më shumë fshehtësi të panjohura deri më tani të politikave të tyre ditore. Rasti i të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, me ato fotot në Budva tek jahti që kushton miliona, është vetëm një fakt që e zbulon vetë ai, që flet se ky matrapaz ishte i maskuar, me plot mashtrime e gënjeshtra, ku si i pari i kryeqytetit kinse nuk dëshiron të vozitet as në Q7, sepse po del se që ajo veturë nuk qenka sa duhet komode për egon e tij, por tani ec me jahte", është shprehur Hertica. Sipas Herticës, jahti i tillë i Shpendit mund të rrotullohet sa hap e mbyll sytë nga vota qytetare, sepse ai është jahti i krimit te organizuar. "E gjithë kjo po del se ky matrapaz e mashtrues është i lidhur ngushtë me bandat e interesave kriminale të Devollëve dhe bandat e tjera të sejmenëve të grupit të tij politik. Subjekti i tij politik, që shumë qytetarë kanë pasur një shpresë, si parti e re politike e painfiltruar në krim e korrupsion, tani po del se në brendësinë e këtij subjekti politik paska skenarë të tmerrshëm të keqpërdorimit të milionave dhe bashkëpunim me shumë grupe kriminale ekonomike, që sot po zhvatin tmerrësisht qytetarin. E gjithë kjo oligarki mafioze e inkriminuar nga të gjitha subjektet politike dalëngadalë po e nxjerr në vete dhe po del me fytyrat mashtruese, të cilat ishin shpresa e ndryshimeve politike dhe jetën e qytetarit të përvuajtur që nuk kanë si të ballafaqohen as me kërkesat e fëmijëve të tyre të pangopur për bukë. Ndërsa tek ne del se liderët politikë udhëtojnë dhe blejnë JAHTE të sheikëve arabikë, e ku një ditë do të kërcejnë në humnerë edhe këta, sikur kishin përfunduar disa politikanë sheikë, sikur ishte vetë rasti i Gadafit", theksoi Hertica për gazetën "Kosova Sot". Edhe analisti politik Blerim Burjani thotë se në një situatë të tillë është shumë mirë që politikanët po e shpërfaqin fytyrën e tyre të vërtetë pikërisht në këtë vit zgjedhor, prandaj qytetari duhet të jetë shumë i kujdesshëm se kujt duhet t'ia japë votën."Është pozitive që këtë vit janë zgjedhjet lokale, pra është moment i rëndësishëm për qytetarët të vendosin nëse duan ndryshime. Unë personalisht kam thënë në shumë raste dhe vazhdoj të potencoj se organet e rendit dhe të ligjit duhet të kryejnë punën e tyre si duhet dhe me kohë, pa u komplikuar gjendja dhe pa u bërë dëmet në buxhetin e shtetit. Pra vonesat në trajtim të rasteve të shumta, që shkaktojnë edhe zbehjen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve, efikasiteti është më se i rëndësishëm", është shprehur Burjani.

Avdiu: Ahmeti ta sqarojë afërsinë e padiskutueshme me pronarët e kompanisë "Devolli" Analisti Florim Zeqa është shprehur për "Kosova Sot" se qytetarët e Prishtinës dhe të mbarë Kosovës ende i mbajnë të freskëta në memorien e tyre premtimet elektorale të Shpend Ahmetit dhe partisë së tij (VVsë) për barazi qytetare, shërbime cilësore për qytetarët, hapje të vendeve të punës për të rinjtë, strehimin e familjeve të varfra dhe me nevojë e shumë premtime të tjera..."Për qytetarët e varfër të Prishtinës është pak më tepër se irrituese të shohin të parin e tyre duke shëtitur me jahtin luksoz të Blerim Devollit. Tani veç sa ka filluar të zbardhet 'fytyra' e vërtetë e lidhjeve të gjate e te shumëpërfolura të Lëvizjes 'Vetëvendosje' me mafio-oligarkët e inkriminuar. Qytetarët e Kosovës, në veçanti ata të Prishtinës po e shohin me sytë e tyre hipokrizinë dhe mashtrimet e Lëvizjes 'Vetëvendosje' të Shpend Ahmetit dhe sejmenëve të tij, dashurinë dhe patriotizmin e tij fals... Kapërcimi përrallor nga vozitja me autobus në jahtin luksoz, përveçse nënçmim dhe ofendim për qytetarët, do të jetë udhëtimi i theqafjes politike të kryetarit Ahmeti,...i cili sikurse pushtetarët e nivelit qendror është shkëputur skajshmërisht nga interesat e qytetarëve, duke u shërbyer vetëm mafio-oligarkëve ekonomikë dhe bizneseve të inkriminuara", është shprehur Zeqa për "Kosova Sot". Asamblistja e komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Lirije Avdiu, pas daljes në sipërfaqe të këtij skandali, thotë se të gjithë ata që kanë të ardhura, qoftë edhe të vogla, me pak kursime mund të largohen nga qyteti për fundjavë kjo është shumë normale, por në këtë rast nuk mund të jetë krejt normale dhe pa llogaridhënie për kryetarin Ahmeti, për specifikat që ka pozita e tij, por edhe premtimet e tij të dhëna para votuesve. "Normale në këtë kuptim është edhe shkuarja e Shpendit në Mal të Zi, por kur e ke parasysh që Shpend Ahmeti e fitoi udhëheqjen e Prishtinës duke u zotuar se do të shiste veturën e shtrenjtë të ishkryetarit, ai i cili kur mori aprovimin e Kuvendit për shitjen e veturës u zotua se edhe mobilet e shtrenjta të kabinetit të tij do të shiteshin për t'u zëvendësuar me më të thjeshtat, ai i cili i bën të ndihen keq qytetarët që dalin me vetura duke dalë vetë me autobus, ai të cilin qytetarët e takojnë në kohë pauze nëpër lokale ku specialitet janë sandviçët për fundjavë bën shëtitje me jaht milionësh. Kjo s'ka kuptim! Prandaj ia ka borxh qytetarëve një shpjegim për vendndodhjen e tij të shtunën mbrëma! Dhe rastin e hapjes së temës për afërsinë e padiskutueshme me pronaret e kompanisë 'Devolli', meqë, siç u raportua, jahti në të cilin u pa ai është pronë e tyre le ta shpjegojë edhe arsyen pse Komuna e Prishtinës e favorizon në forma të ndryshme kompaninë në fjalë", është shprehur ajo. "Nuk jemi naivë as budallenj, po shohim dhe po dëgjojmë për çdo ditë për të bëmat e tij, rezultatet e të cilave do t'i shohë edhe ai vetë në fund të vitit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet. Prishtina ka qenë test nga i cili ka rënë keq! Pra, ajo foto e kryetarit që mediet e shfaqen është shfaqja më e mire e një hipokrizie e mashtrimi të rrallë", theksoi për "Kosova Sot" asamlistja e Prishtinës, Lirije Avdiu

Abazi kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit Analisti Reshat Sahitaj theksoi për "Kosova Sot" se Shpend Ahmeti kaloi nga premtimet në zhgënjime. "Kalimi i fundjavës në Budvë i kryetarit të komunës së Prishtinës nuk do kishte shkaktuar reagime të shumta sikur Shpend Ahmeti të kishte kaluar në ndonjë hotel si çdo qytetar tjetër evropian më kushte standarde, mirëpo kalimi i fundjavës në një jaht luksoz të një biznesmeni, automatikisht krijon dyshime dhe natyrisht elektorati ka të drejtë t'i kërkojë llogari, e veçanërisht kur pronari i jahtit është biznesmen që vepron në juridiksionin ku Shpend Ahmeti është kryetar. Kalimi i fundjavës në jaht privat të një biznesmeni, kudo në botën e civilizuar, do të merrej si skandal dhe korrupsion "parekcelans" direkt , e jo indirekt. E njëjta gjë ka ndodhur dikur në Francë në jahtin e miliarderit Bernard Tapis, ku është zhvilluar një takim relaksues, mirëpo autoritetet franceze e asgjë- suan politikanin dhe e shkatërruan perandorinë e pasurisë se Bernard Tapissë, i cili ende nuk arrin të rimëkëmbët dhe ia shuan ëndrrat e tij për të qenë kryetar i Francës", thekson Sahitaj. Sipas tij, pushimi i Shpend Ahmetit në jahtin e biznesmenit është konflikt interesash që edhe fëmija e kupton, por nuk dëshirojnë të kuptojnë ata që kanë interesa materiale nga Shpendi dhe 'Devolli'. Analisti politik Haki Abazi, në reagimin e tij rreth shëtitjes së dyshimtë të shpend Ahemtit, kërkon dorëheqjen e tij të shpejtë dhe llogaridhënien para qytetarëve. Shëtitja luksoze e Shpend Ahmetit ka nxitur edhe reagimin e ishkandidatit të VV-së për deputet, Avni Zogiani, i cili aktualisht është anëtar i shoqërisë civile, i cili ka kërkuar sqarime nga Shpend Ahmeti se pse hipi në jaht. Ai po ashtu ka sqaruar se jahti nuk është mjet transporti, por mjet që simbolizon luksin. Zogiani kërkon të sqarohen lidhjet e kryetarit të Prishtinës me pronarin e jahtit, Blerim Devolli, dhe Kompaninë 'Devolli'. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë së Shtetit se a ka nisur hetimet ndaj Shpend Ahmetit dhe 'Devollit' për lidhjet e tyre të dyshimta, AKI-së për të mësuar nëse kanë informacione për këto lidhje të dyshimta, por edhe në adresë të Blerim Devollit si dhe Shkëlqim Devollit se cilat janë interesat e tyre për ta shëtitur me jaht kreun e komunës, Shpend Ahmeti. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe kreut të Komunës, Shpend Ahmeti, por asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje ditën e djeshme.

(Kosova Sot)

13 orë e 2 minuta më parë
19/01/19