Kuvendi të kërkojë shkarkimin e Thaçit

  • 07 January 2018 - 07:49
Kuvendi të kërkojë shkarkimin e Thaçit

LIDERËT KRYENEÇË VËNË NË PIKËPYETJE PARTNERITETIN NDËRKOMBËTAR TË KOSOVËS

Quinti është i qartë në paralajmërimin diplomatik për puçin kundër Speciales

Analistët e skenës politike kosovare, politologë e specialistë të kësaj fushe, paralajmërojnë për pasojat e rënda që do të ketë Republika e Kosovës, në rast se puçi i liderëve kosovarë kundër Gjykatës Speciale do të ketë sukses. Analistët thonë se është shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Veçanta akt i shpërbërjes së shtetit, që do të pasohet me riaktivizim të Rezolutës 1244 dhe vendim që Kombet e Bashkuara të veprojnë kundër vendit tonë, duke marrë vendime për involvimin e drejtësisë ndërkombëtare. Analisti Gurakuç Kuçi, politolog, tha për "Kosova Sot", se vendet e Quintit ishin të qarta në deklaratën e tyre dhe shkuan përtej vendimit potencial për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. "Ndër të tjera, ata folën edhe për pasojat afatgjata të veprimeve në interes të një grupi njerëzish. Kjo deklaratë u drejtohej edhe qytetarëve të Kosovës, se veprimet e disa politikanëve prodhojnë izolim dhe dështim për shtetin e Kosovës, që do t'i vuajnë qytetarët më së shumti dhe jo politikanët, sikur sanksionet ndaj Irakut të Sadamit, që i vuanin qytetarët përderisa regjimi forcohej ", potencoi ai. "Gjykata prek pas luftën dhe shanset i ka për zgjerim edhe pas vitit 2000, deri me shpalljen e pavarë- sisë dhe këtu e kanë brengën politikanët", u shpreh Kuçi.

Ultimatumi ndërkombëtar

Analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se reagimet e vendeve të Quintit rreth tentim-shfuqizimit të Gjykatës Speciale tashmë e kanë marrë formën e ultimatumit. "Edhe një zyrtarë i lartë amerikan reagoi duke thënë së Amerika nuk do ta pengojë formimin e një Gjykate Speciale nga OKB-ja, kur dihet se Rezoluta 1244 ende është në fuqi. Të gjitha këto kritika shumë të rrepta, të cilat u publikuan edhe në gazetën prestigjioze amerikane 'Uashington Post', nuk po kuptohen ose nuk po dëshirohen të kuptohen seriozisht ", u shpreh ai. "Përpjekjet e vazhdueshme për anulim të punës së Gjykatës, të cilën vetë e kemi pranuar që në vitin 2015, veç kush nuk dëshiron ta pranojë se janë të rrezikshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ne jemi një vend i vogël, që pa ndihmën e miqve tanë vështirë se do të mbijetojmë në këtë fazë të tranzicionit dhe me të gjitha këto probleme të grumbulluara politike dhe të natyrës ekonomike-sociale, dhe kur dihet se jemi të rrethuar në katër anët më armiqtë tanë shekullorë", potencoi Mulliqi. Sipas tij, është mashtrim i madh, nëse dikush mendon se lehtë do të bëhet shfuqizimi i një marrëveshjes ndërkombëtare, kur dihet për investimet që janë bërë lidhur me formimin e Gjykatës nga BE-ja dhe nga Amerika. "Pastaj, faktori ndërkombëtar ka edhe mekanizma të tjerë të veprimit, kur dihet së në Kosovë ende janë prezente forcat e KFOR-it dhe EULEX-i", vijoi më tej Mulliqi. 

Shfuqizimi është i pamundur pa ndryshime kushtetuese

Kurse eksperti Arsim Haziri, për "Kosova Sot', tha se përpjekja për t'i shpëtuar gjykimit ndërkombëtar, politikën tonë është duke e shtyrë të ndërmarrë çfarëdo veprimi, madje edhe që ndikojnë në kthimin e sovranitetit ndërkombëtar në Kosovë, po ashtu edhe në suspendimin e sovranitetit shtetëror, si dhe shumë elemente çka e zhbëjnë shtetësinë tonë. "Veprimet e fundit të trinomit politik edhe njëherë shprehin frikën që e kanë nga kjo Gjykatë, veçanërisht kur është përfolur se subjekt i kësaj drejtësie ndërkombëtare janë edhe 'peshqit e mëdhenj', që njëherësh po e mbajnë peng për afro dy dekada vendin dhe të ardhmen e tij", theksoi ai. Sipas Hazirit, veprimi i tyre është i padrejtë dhe në tërësi arsyeton për masën e elementeve kriminale gjatë viteve. "Ky pretendim i tyre nuk merr parasysh efektet negative që mund t'i prodhojë, natyrisht as izolimin e ndëshkimin që mund ta bëjnë shtetet e Quintit kundrejt gjendjes aktuale, si dhe të ardhmes evropiane. Gjykoj se trinomi politik njëherësh edhe antikombëtar nuk do të kenë as guximin e plotë, as mbështetjen parlamentare për ta shfuqizuar Ligjin për Specialen", shprehet ai. "Këtë madje e pamundë- son edhe e bën që të mos jetë në favor të kësaj skene politike edhe kategorizimi i kësaj çështjeje, që është objekt i Kushtetutës. Për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale përfundimisht kërkohet edhe votimi i dyfishtë, pra detyrimisht kërkohet edhe votimi i minoriteteve pakicë. Shtetet e Quintit përmes një komunikate publike kanë deklaruar se nëse arrihet të fuqizohet një çështje e tillë, atëherë përfundimisht për Kosovën dhe të ardhmen e saj do të prodhohen efekte negative", shpjegoi analisti Haziri. 

Përvjetori i zymtë

Analisti Florim Zeqa, për "Kosova Sot", tha se në përvjetorin e 10-të të pavarësisë, shteti rrezikon ri-kthimin nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila e njeh Kosovën pjesë integrale të Serbisë. "Vënia e fatit personal të liderëve shtetërorë, respektivisht e kryeministrit Ramush Haradinaj, presidentit Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli para interesit të shtetit është lojë e tepër e rrezikshme, e cila, përveçse do të vërë në pikëpyetje marrëdhëniet me shtetet e Quintit, gjegjësisht me Amerikën, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, mbi të gjitha rrezikon të ardhmen e shtetit tonë, të arriturës më të madhe kombëtare në shekullin e fundit, e arritur e përbashkët kjo me miqtë ndërkombëtarë", u shpreh ai. "Në rast se puçi i liderëve kosovarë kundër Gjykatës Speciale do të ketë sukses, atëherë pasojat për shtetin do të jenë të pariparueshme dhe konsekuencat tepër të gjata për qytetarët e vendit ", potencoi Zeqa. Sipas tij, për shfuqizimin eventual të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, përgjegjësia në radhë të parë duhet të kërkohet nga presidenti i shtetit Hashim Thaçi, i cili derisa ishte në postin e kryeministrit të vendit e solli Specialen nën presionin e paparë kundër deputetëve të partisë së tij dhe vartësve të tjerë të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës. "Pa dashur të lëshohem në "arsyet" që e shtyn Thaçin që të ndërrojë mendje ndaj Speciales, në momentin që hedhet në votim ligji, nga deputetët duhet të kërkohet shkarkimi i menjëhershëm i presidentit Hashim Thaçi, nën akuzat për tradhti kombëtare, rrezikim të shtetit dhe jetës së qytetarëve. Nga përgjegjësia nuk duhet të lirohen as ata deputetë që asokohe e votuan Gjykatën Speciale, ndërsa tani janë të gatshëm t'i vënë flakën vendit për mbrojtjen e interesave të liderëve partiakë", tha Zeqa. Sipas tij, aq serioze është situata, saqë edhe mediumet më të fuqishme botërore, siç është "The Washington Post", etj., kanë raportuar për flakareshat e rënda të shteteve të Quintit ndaj liderëve shtetërorë të Kosovës.

(Kosova Sot)