Kosova pa sundim ligji, si Çikagoja e vitit 1920! - Lajme - Kosova Sot
Kosova pa sundim ligji, si Çikagoja e vitit 1920!

Kosova pa sundim ligji, si Çikagoja e vitit 1920!

PASOJAT E RËNDA TË DËSHTIMIT TË SHTETIT TË SË DREJTËS

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së të drejtës konsiderojnë se rruga e Kosovës për në BE do të jetë tepër e gjatë, dhe madje e vështirë të kalohet, derisa institucionet e këtij shteti të ri vazhdojnë të jenë të kapura me një drejtësi të tejkriminalizuar. Sipas njohësve të këtij realiteti të zymtë, ky sistem aktual i drejtësisë, i dizajnuar kriminalisht nga politika korruptive, nuk po mund t'i shmanget assesi kontrollit të saj, prandaj kurrë nuk do ta luftojë korrupsionin e krimin e organizuar të pushtetarëve në të gjitha pushtetet dhe nivelet, por vetëm do të mbyllë dosjet e tyre njërën pas tjetrës, duke bërë kështu edhe avokatinë dhe mbrojtjen e të inkriminuarave të pushtetit dhe mafio-oligarkisë kriminale! Prandaj, është një vlerësim i përgjithshëm ekspertësh dhe analistësh që thonë se Kosovës nuk ka se çka i duhet një sistem drejtësie i instaluar që amniston nga përballja me drejtësinë, krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike, kontrabanduesit dhe nëntokën kriminale, sepse pikërisht lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar është problem i mungesës së vullnetit politiko-korruptiv për të vepruar drejt, e jo vetëm i drejtësisë, sepse drejtësia e politika po bashkëjetojnë "në një shtrat të krimit të organizuar " të korruptuar për interesa të tyre të përbashkëta kriminale! Një shkëputje e fortë e këtyre lidhjeve, sipas analistëve, nuk do të mund të ndodhë derisa në Kosovë nëntoka në të cilën bëjnë pjesë disa, e goxha familje mafioze të organizuara dhe në goxha klane kriminale, do të kenë në duart e tyre shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe tërë sistemin e drejtësisë.

Image

Korrupsioni alarmant

Faktori ndërkombëtar duhet të imponojë me urgjencë një VETTING edhe për Kosovën, për të pastruar politikën dhe sistemin e drejtë- sisë, ndryshe, sipas analistëve, Kosova po vazhdon të jetë si në kohën e Al Kaponës, Koza Nostrës etj., ku të fortët dhe nëntoka e bëjnë ligjin, ngase edhe "de fakto" janë mbi ligjin e Kushtetutën e vendit. Një gjykim dhe vlerësim të tillë e ka edhe njohësi i fushës së sigurisë Naim Miftari. "Me këtë kast të korruptuar politikanësh dhe prokurorësh tanë, ne nuk do të hyjmë në BE edhe 50 vjetët e ardhshëm. Ngecja ndaj luftës kundër korrupsionit dhe ndaj krimit të organizuar që disa vjet maskohet kinse me disa arrestime, ku shpesh po bëjnë vetëm teatër, ngase herë pas here po bëhen edhe arrestime kinse kundër terrorizmit e disa individëve, që në fakt janë vetëm spektakël mediatik për t'u arsyetuar para ndërkombëtarëve si shtet ligjor", tha Miftari për "Kosova Sot". Ai madje shton se derisa në kuluaret zyrtare të shtetit, por edhe në nivel të shoqërisë civile, po flitet me të madhe për rrezikun nga terrorizmi edhe në Kosovë, si pasojë e mosfunksionimit të ligjit, sipas tij, kjo "monedhë" po përdoret vetëm për ta shpërqendruar vëmendjen nga krimi dhe korrupsioni institucional sesa që është realiteti ashtu si po paraqitet. "Sa i përket vetëdijes time, shumë më i rrezikshëm sesa terrorizmi është korrupsioni që sjell mosbesimin në institucione dhe krijon varfëri, dhe si pasojë më pastaj është pikërisht varfëria që e sjell edhe terrorizmi, pasi njeriu i uritur mashtrohet me një copë "bukë". Shteti ynë do të shërbejë si pronë private e disa familjeve mafioze që fatkeqësisht shumica janë të lidhur ngushtë me politikën dhe këto familje mafioze janë të shtrira dhe kontrollojnë edhe partitë politike, pushtetin dhe financat, me ta edhe organet e drejtësisë, si prokurorë, gjyqtarë, hetues etj. Prandaj, edhe janë të paprekshëm nga ligji dhe drejtësia, pasi faktikisht drejtësia në Kosovë vepron vetëm kundër qytetarëve të thjeshtë të varfër dhe kundër qytetarëve të paskrahë. Në këtë gjendje që jemi realisht mund të themi pa pikë dyshimi që Kosova i ngjan sot shumë qytetit amerikan Çikagos të vitit 1920", potencoi Miftari për "Kosova Sot".

Nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës që nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë

 Ndërsa, sipas analistit Naim Kelmendi, askush nuk mund ta vërë në dyshim të vërtetën se de fakto është pikërisht nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës që nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë, dhe kështu fatkeqësisht qëndrojnë mbi ligjin, e që për ta faktikisht mund të thuhet se drejtësia nuk ekziston fare."Prandaj, derisa të jetë kjo gjendje e mungesës së llogaridhënies dhe pandëshkueshmërisë brenda vetë sistemit të drejtësisë, sikur janë p.sh. gjyqtarët e prokurorët të paprekur, dhe që askush nuk u kërkon përgjegjësi, atëherë nuk do të ketë kurrë drejtësi. Kështu pra me këtë trend vendnumërimi në këtë sistem, shteti i Kosovës zor se do të ketë shansin e shpejtë për të hyrë në Bashkësinë Evropiane, me këtë drejtësi të kriminalizuar", vijoi më tutje ai për "Kosova Sot". Sipas Kelmendit, edhe de-fakto edhe dejure Kosova mbetet larg standardeve evropiane.

Image

KAPITI: ARMIKU REAL I INTEGRIMIT TË KOSOVËS NË BE JANË POLITIKA, PARTITË POLITIKE DHE DREJTËSIA NË KOSOVË!

Edhe analisti Skënder Kapiti vlerëson se armiku real i integrimit të Kosovës në BE janë politika, partitë politike dhe drejtësia në Kosovë. "Ato pengojnë integrimin e Kosovës duke mos lejuar dhe duke e penguar qëllimisht ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik në Kosovë. Atyre nuk u pëlqen ndërtimi i shtetit modern kosovar me standarde moderne shtetformuese, sepse ata duan ta mbajnë shtetin, drejtësinë dhe ligjin në Kosovë jashtë standardeve, sepse një shtet modern dhe ligjor është kushti themelor i integrimit në BE. Mirëpo, integrimin në BE, politika e politikanët kosovarë, pushteti, drejtësia,biznesi i tyre dhe sidomos kokat e shtrigës së korrupsionit që janë kryetarët dhe lidershipi i partive politike, të gjithë këta integrimin e Kosovës në BE e shikojnë si rrezik dhe kërcënim për ta, prandaj dhe në çdo mënyrë ata e pengojnë, pasi ata do të humbnin privilegjet dhe se do të përballeshin me ligjin dhe me drejtësinë për çdo krim, abuzim, vjedhje dhe poshtërsi që kanë bërë me ligjin ,me drejtësinë, me shtetin dhe me pushtetin", u shpreh ai. "Pra, këta jo vetëm se nuk kane vullnet e dëshirë për integrimin e Kosovës në BE, por përkundrazi vullneti i tyre ekstremist është shumë negativ në lidhje me integrimin e Kosovës", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

PRETENI: PROKURORËT MERREN ME VETVETEN, ATA JANË AKTIVË VETËM NËSE GODITEN PERSONALISHT...

Të pashpresë e sheh perspektivën evropiane të Kosovës, me këtë nivel të sistemit të sundimit të ligjit edhe Hasan Preteni, ish-shef i Agjencisë Antikorrupsion, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për Etikë, Transparencë. Ai thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është jofunksional, se janë të kota raportimet se po lëviz pozitivisht ky segment. "Kjo është demagogji dhe hipokrizi. Që nga pas lufta deri në "pavarësi" politika korruptohej duke u mbrojtur nën paravanin e statusit politik të vendit. Pas shtetëzimit tani po shpiken tema kinse me prioritet, jo njohjet ndërkombëtare, jo Asociacioni, Demarkacioni dhe tema të tjera, të cilat nuk duan t'i zgjidhin, por të cilat i ruajnë si paravan për të vepruar në gllabërimin e vendit. Tashmë tre vjet qytetari "ushqehet" me Demarkacion dhe Asociacion, por politika, edhe pse janë të vetëdijshëm se duhet realizuar që të dyja pa asnjë ndryshim, ata këtë krizë artificiale e shfrytëzuan për t'u pasuruar edhe më shumë, kurse edhe organet e drejtësisë, duke monitoruar dhe heshtazi duke u pasuruar", tha Preteni për "Kosova Sot". Ai madje identifikon konkretisht edhe atë se cilat janë këtu problemet kryesore reale:"Prokurorët merren me vetveten,ata janë aktivë vetëm nëse goditen personalisht, gjyqtarët i kanë dënimet blanko, të gjitha dënimet me kusht vetëm i ndërrojnë emrat,kurse aktorët e këtyre dy mekanizmave punojnë pa norma, pa pasur nevojë për llogaridhënie dhe pa fije transparence. Pasurohen duke i shërbyer krimit, duke përkthyer materiale profesionale ( kontrata nga projektet ndërkombëtare) shkruajnë komente, ligjërojnë nëpër fakultete-universitete private dhe angazhime të tjera, të gjitha me lekë dhe gjatë orarit të punës",tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas Pretenit, vetëm një model VETTING-u si në Shqipëri zgjidh nyjën e këtij problemi.

(Kosova Sot)

1 orë e 41 minuta më parë
10/12/18