Reagime të shumta kundër deklaratës fyese të Donald Trump

  • 12 January 2018 - 21:55
Reagime të shumta kundër deklaratës fyese të Donald Trump

Reagime të shumta kanë ardhur pas zemërimit që shkaktoi gjuha e përdorur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të përshkruar disa vende të huaja në një takim në Zyrën Ovale.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër komentet e Kreut të Shtëpisë së Bardhë. Nëse konfirmohet se vërtet Trump i ka thënë ato fjalë, kjo do të ishte e turpshme dhe shokuese u shpreh zëdhënësi i zyrës për të drejtat e njeriut Rupert Colville. Ai thekson se deklarata të tilla mund të rrezikojnë jetën e njerëzve pasi do të ushqenin ksenofobinë.

Sipas mediave amerikane, Trump është shprehur se SHBA nuk duhet të pranojë në territorin e saj njerëz që vijnë nga vende fundërrina, duke iu referuar disa vendeve të Afrikës. Ndërkohë, mësohet se ambasadori amerikan në Panama është dorëhequr, duke shpjeguar se nuk mund të punojë më për administratën Trump.

Kjo dorëheqje, sipas mediave amerikane, lidhet me komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Senatori democrat, Dik Darbin, i cili ishte i pranishëm në takim, tha se Trump përdori një gjuhë raciste. Kurse Kryetari republikan i Kongresit, Pol Rajan, tha se komentet e liderit amerikan ishin “fatkeqe” dhe “të padobishme”.

Shoqata Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë në SHBA ka akuzuar presidentin se ka rënë në nivelin e racizmit dhe ksenofobisë. Mia Love, kongresmenja republikane, e vetme me origjinë haito-amerikane, ka bërë thirrje që Trump të kërkojë falje publike për komentet. Por Stiv King, një kongresmen republikan nga Ajova, ka mbështetur qëndrimin e liderit amerikan.

Ndërkaq, disa vende të Afrikës kanë thirrur për këshillim të dërguarin diplomatik të Shteteve të Bashkuara. Unioni Afrikan në një deklaratë nënvizon se janë shumë të alarmuar.

Ngjarja është komentuar gjithashtu edhe nga ish-lideri amerikan, Barak Obama. Në një intervistë televizive, ai theksoi se “presidentët duhet të kenë më shumë kujdes në sjelljen e tyre”.

(Kosova Sot)